BRUKSEL- Marrëveshja mes vendeve të eurozonës dhe atyre të BE-së për disiplinë në buxhetet shtetërore që të luftojnë krizën e euros ka gjetur kundërshtimin e Britanisë.
Presidenti francez Nicoals Sarkozy ka deklaruar mëngjesin e sotëm se marrëveshja e re duhet të negociohet deri në mars, por Britania e Madhe sipas tij ka vendosur “kërkesa të papranueshme” në favor të ekonomisë së saj financiare.
“Dëshirojmë të mirën e vendeve të Eurozonës, pasi nga ajo varet rritja jonë ekonomike e përbashkët. Megjithatë, gjykimi im është se nuk do të ishte në të mirën e interesave të Britanisë së Madhe që të marrë pjesë në traktatin e kolektiv dhe si rrjedhojë, kam vendosur veton kundër”, ka thënë David Cameron.
Më parë në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare kishte dështuar përpjekja për të arritur një marrëveshje nga të gjithë 27 vendet anëtare mbi ndryshimin e Traktatit të BE-së.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy bëri të ditur se në të ardhmen nuk do të ketë më një përfshirje të kreditorëve privatë në larjen e borxheve për vendet e eurozonës të prekur nga kriza. Fondi i përhershëm i shpëtim it të euros sipas të dhënave të tij do të jetë funksionues deri në korrik të 2012 dhe jo siç ishte planifikuar më parë në 2013.
“Frenimi i borxheve dhe në mënyrë automatike vendosja e sanksioneve do të garantonin një buxhet solid”, deklaroi kancelarja Angela Merkel në përfundim të maratonës së bisedimeve që u zhvilluan gjatë natës në samitin e BE-së në Bruksel. Sipas saj, vendet e eurozonës duhet të rifitojnë besueshmërinë. ” Unë e kam thënë vazhdimisht se 17 vendet e eurozonës duhet të rifitojnë besueshmërinë dhe unë besoj se me vendimet e sotme mund të ketë sukses dhe do të ketë sukses”- tha ajo. (DW)
© Panorama.al











