“Europa po sillet shumë mirë me ne”- Rama flet për negociatat: Besimi jonë për anëtarësimin është i fortë, ne i përkasim BE-së

Oct 21, 2025 | 15:26

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në panelin e organizuar nga Chatham House në Londër, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, ku foli për sfidat dhe perspektivën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

 

Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment pozitiv në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe se besimi i shqiptarëve në projektin evropian mbetet i palëkundur.

 “Kemi sfida, por jemi në një periudhë ku Europa po sillet shumë mirë me ne,” tha Rama, duke shtuar se për Shqipërinë integrimi evropian nuk është një ëndërr e largët, por një objektiv real dhe i arritshëm.

Rama u shpreh se qytetarët shqiptarë kanë një besim të fortë në BE.

“Mbi 90% e shqiptarëve i besojnë Europës dhe BE-së. Për ne, kjo nuk është asgjë më pak se ajo që ishte për etërit themelues të unionit. Për ne, të jemi pjesë e BE-së do të thotë siguri, përkatësi dhe stabilitet,” – u shpreh kreu i qeverisë.

Pjesë  nga diskutimi

Pyetje: Kryeministër, Shqipëria ka çelur me shpejtësi shumicën e kapitujve të BE. Por mbeten sfida ende. A jeni besimplotë për objektivin tuaj?

Edi Rama: Dëgjoni, ne kemi shumë sfida, por kur vijmë në Britani ndihemi më mirë për sfidat tona.

Pyetje: Po pse ndodh saktësisht kështu?

Edi Rama: Çfarë do të thotë saktësisht? Mos më ço aty se kemi dhe ministrin, kështu që kam përshtypjen që ka boll dhimbje, nuk ka nevojë më shumë prej nesh. Natyrisht qe kemi sfida, por siç ju thashë përpara hyrjes në këtë sallë, jemi në një përiudhë kohe kur Europa po sillet shumë mirë me ne. Është e vështirë që të bësh biseda pikante dhe rreziku për të qenë i mërzitshëm është shumë i madh. Rreziku që t’i bëjmë të gjithë këta të rinj të mendojnë se po humbasin kohën me ne, duke dëgjuar të gjithë lavdet tona, sa mirë po ecën Mali i Zi, sa Shqipëria po ecën mirë, – është i madh. Ajo çfarë mund të them është që në përgjithësi është në këtë pikë në kohë ne po ecim më mirë se Europa.

Pyetje Keni ende besim tek anëtarësimi në BE?

Kryeministri Edi Rama: Çfarë do të thuash me këtë?

Pyetje: Është ende një objektiv i rëndësishëm për vendin tuaj, do jetë transformuar?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, unë kisha besim edhe në kohën kur ishte qesharake për të pasur besim, por jo vetëm unë, por pjesa dërrmuese e shqiptarëve, më shumë se 90% e tyre i besojnë Europës dhe Bashkimit Europian, anëtarësimit në të sepse për ne nuk është asgjë, pos asaj që ishte për eterit themelues që më së fundi të jemi në pozitën ku zgjedhim lirisht të jemi dhe jemi të sigurt. Për ne, kjo është një bindje shumë e fortë, një besim i patundur dhe çfarëdo që të duhet do të jemi pjesë e betejës për të qenë pjesë.

Qysh prej agresionit kundër Ukrainës falë Vladimir Putinit, Europa u zgjua me zhurmë dhe jo vetëm po thotë sa e rëndësishme është gjeopolitikisht për ta marrë Ballkanin Perëndimor brenda, por po bën më të mirën e mundshme për ta shpejtuar një gjë të tillë. Ne aty ishim dhe më parë, punonim fort dhe më parë, përmbushnim kriteret për nisjen e negociatave edhe më parë, që u konfirmuan tre herë me radhë nga Komisioni Europian, por u refuzuam.

U refuzuam pikërisht se fjalët dhe veprat ishin larg njëra-tjetrës. Tashmë Europa është e tëra pro kësaj, në lëvizje për të arritur këtë gjë dhe me shpresë më së fundi do të arrijmë këtë objektiv, do të realizojmë një ëndërr dhe më pas një epokë e re, një jetë e re do të zërë fill, natyrisht me sfida të reja se gjithmonë sfidat janë të pranishme dhe nuk do të marrin kurrë fund, por së paku do të kemi tejkaluar këtë pengese të jashtëzakonshme midis nesh dhe vetes sepse ne përkasim aty dhe nuk mund të qëndrojmë jashtë.

© Panorama.al

Te lidhura