Euroizimi i ekonomisë, BSH: Ndryshuam vendimin

May 9, 2011 | 9:07

Orientimi i ekonomisë drejt euros, ku shumica e veprimeve po kryhen në monedhë të huaj, duket se ka bindur Bankën e Shqipërisë se është momenti për të ndërhyrë me një masë. Më datë 27 prill, Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë mori një vendim që synon dekurajimin e përdorimit të valutës, pasi për bankat rriten kostot dhe inkurajimi i lekut.Vendimi përcakton çuarjen në zero të normës së remunerimit të rezervës së detyruar në euro dhe dollarë, që bankat e nivelit të dytë depozitojnë pranë Bankës së Shqipëri si garanci. Norma e remunerimit të komponentit në lekë të rezervës së detyruar mbeti i pandryshuar, në nivelin 70 për qind të normës bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të atyre anasjelltas, të riblerjes. Kjo masë nga Banka e Shqipërisë komentohet si një nxitje për ndërmjetësimin në lekë në sistemin bankar. Lidhur me vendimin e fundit të prillit, drejtori i Politikave Monetare pranë BSH, Erald Themeli, në një intervistë për gazetën shprehet se kjo masë vjen pas reflektimit që BSH, që pati edhe gjatë kohës së krizës kur euroizimi u evidentua më fort. “Banka e Shqipërisë e gjykoi të nevojshme thellimin e masave të saj të kujdesit ndaj pasojave të euroizimit, duke i plotësuar nismat mbikëqyrëse dhe rregullatore të ndërmarra prej saj në këtë drejtim edhe me instrumente monetare, të cilat nxisin përdorimin e monedhës vendase”, shprehet Themeli.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ulur normën e remunerimit të rezervës së detyrueshme në valutë. Çfarë do të thotë ky vendim dhe pse pikërisht tani?
Ndryshimi në politikën e remunerimit prezanton një trajtim të diferencuar të rezervës së detyruar në valutë kundrejt asaj në lekë. Më konkretisht, Banka e Shqipërisë nuk do të paguajë më interes mbi komponentin në euro dhe usd të rezervës së detyruar të depozituar nga bankat pranë Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, norma e remunerimit të rezervës së detyruar në lekë ka mbetur e pandryshueshme, në masën 70% të normës bazë të interesit. Kjo lëvizje synon të rritë koston e ndërmjetësimit në valutë të bankave. Ajo u motivua nga nevoja për nxitjen e mëtejshme të ndërmjetësimit financiar në lekë, në funksion të rritjes së efektivitetit të politikës monetare. Në të njëjtën kohë, ky vendim ndikon në kufizimin e pasojave negative që shoqërojnë përdorimin e valutës në ekonominë tonë në përgjithësi, dhe në veçanti në sistemin tonë financiar.
Në një këndvështrim më të gjerë, kjo masë përfshihet në grupin e masave për kontrollin e eurozimit. Euroizimi ka qenë në nivele relative të larta në Shqipëri. Një pjesë e konsiderueshme e tij është mbështetur në mënyrë natyrale edhe nga remitancat dhe nga flukse të tjera valutore të huaja. Por, gjatë krizës botërore financiare dhe ekonomike, brishtësia që euroizimi sjell në ekonomi, u evidentua më fort. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë e gjykoi të nevojshme thellimin e masave të saj të kujdesit ndaj pasojave të euroizimit, duke i plotësuar nismat mbikëqyrëse dhe rregullatore të ndërmarra prej saj në këtë drejtim edhe me instrumente monetare të cilat nxisin përdorimin e monedhës vendase.
Si pritet të reagojnë bankat ndaj këtij vendimi?
Nëpërmjet kësaj lëvizjeje, Banka e Shqipërisë jep një sinjal të qartë në favor të përdorimit të monedhës vendase në ekonominë dhe në tregjet financiare shqiptare. Për këtë arsye, dhe e parë në horizontin afatgjatë, efekti kryesor i kësaj lëvizjeje pritet të jetë një rritje e peshës së lekut në strukturën e aktiveve dhe të pasiveve të sistemit bankar, por edhe të transaksioneve në ekonominë shqiptare. Natyrisht që bëhet fjalë për efekte marxhinale, pasi natyra e problemeve të euroizimit është më e gjerë dhe më komplekse, por ky është kahu i lëvizjes që ne presim. Në një horizont më afatshkurtër, rritja e kostos së ndërmjetësimit në valutë e rrjedhur prej kësaj lëvizjeje, mbetet e ulët. Gjithsesi, bankat mund të reagojnë ndaj saj për të ruajtur marxhet e tyre të operimit. Ky reagim mund të marrë formën e uljes së normës së interesit për depozitat në valutë, të rritjes së normës së interesit për kreditë në valutë, ose mund të jetë një kombinim i këtyre dy opsioneve. Kahu dhe madhësia e reflektimit të këtij vendimi do të varet nga specifikat e secilës bankë. Megjithatë, duke pasur parasysh likuiditetin e tepërt në valutë të grumbulluar nga bankat dhe zgjerimin e ngadaltë të kredisë në valutë, në tërësi pritet që efekti i këtij ndryshimi të shfaqet më shumë në formën e uljes së normës së interesit të depozitave në valutë, se sa në formën e rritjes së normës së interesit për kreditë në valutë.
Mund të na shpjegoni me shembuj se si do të jetë zbatimi në praktikë i këtij vendimi?
Për të parë efektin e këtij ndryshimi, marrim një shembull. Banka A merr një depozitë prej 1000 eurosh. Ajo duhet të vendosë pranë Bankës së Shqipërisë në formën e rezervës së detyruar 10% të kësaj depozite, pra 100 euro. Përpara marrjes së vendimit për heqjen e remunerimit të komponentit në valutë, Banka e Shqipërisë do të remuneronte rezervën e detyruar në euro me një normë vjetore interesi prej 0.875% (70% të normës bazë të interesit për zonën euro prej 1.25%). Shuma e interesit për një vit për rezervën e detyruar prej 100 eurosh do të ishte 100 x 0.875/100 = 0.875 euro (ose 0.073 euro në muaj). Sipas rregullit të ri, rezerva e detyrueshme prej 100 eurosh nuk do të remunerohet. Banka A do të marrë 0 euro interes për këtë rezervë.

Ç’është rezerva e detyruar

Rezerva e detyruar është një instrument të cilin Banka e Shqipërisë e përdor për të rregulluar aktivitetin në tregun ndërbankar, për të administruar normat e interesit në të, si dhe për të kontrolluar qarkullimin e parasë në ekonomi. Norma e rezervës së detyruar është 10 për qind për depozitat e mbajtura në të gjitha monedhat. Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të depozitojnë, në formën e rezervës së detyruar, pranë Bankës së Shqipërisë 10 për qind të vlerës së depozitave të marra nga klientët e tyre. Banka e Shqipërisë mund të paguajë interes për rezervën e detyruar të depozituar pranë saj nga bankat e nivelit të dytë. Në gjuhën teknike, norma e interesit që Banka e Shqipërisë u paguan bankave për rezervën e detyruar, quhet normë e remunerimit. Vendimi i sotëm i Këshillit Mbikëqyrës e ul në zero normën e remunerimit për rezervat e detyruara të mbajtura në monedhe të huaj.
Ai nuk prek normën e rezervës së detyruar, e cila mbetet në 10 për qind për të gjitha monedhat.

© Panorama.al

Te lidhura