Kreu i Grupit Parlamentarë i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka pritur në një takim, raportuesin e Parlamentit Europian, eurodeputetin Nicholaos Chountis.
Sipas zyrës së shtypit të PS-së, Ruçi ka bërë një prezantim të problematikave që lidhen me zgjedhjen e Presidentit, pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, reformën parlamentare dhe për çështjen e imunitetit.
Me kërkesë të Chountis, Ruçi e ka njohur zyrtarin evropian me qëndrimin e PS-së për këtë çështje, ndërsa eurodeputeti, sipas PS-së, ka vlerësuar objektivitetin e Kryetarit të Grupit Parlamentar socialist për çështjet që u diskutuan.











