
Portugalia e Kristiano Ronaldos do ketë një test të vështirë sonte përballë boshnjakëve. Këta të fundit kanë thurur edhe një kurth për luzitanët, përderisa e kanë çuar ndeshjen në një stadium më të vogël se ai i Sarajevës, në Zenicë, qytet ky që njihet për tifozllëkun e zjarrtë. Në këtë stadium (u mund sivjet Shqipëria 2-0) Bosnja nuk ka humbur veçse një ndeshje miqësore 1-0 me Hungarinë në 2008-n. Takimi do luhet në orën 20:00, pesë minuta më vonë në Turqi, vendësit do presin Kroacinë, në një takim me atmosferë të zjarrtë aq sa janë marrë masa të jashtëzakonshme për këtë ndeshje. Në 20:15, Çekia do presë Malin e Zi, ndërsa 30 minuta më vonë, Estonia, surpriza e këtyre kualifikimeve, do të luajë shanset e veta përballë Irlandës. Takimet e kthimit do të luhen ditën e martë nga ku do dalin edhe katër skuadrat që do plotësojnë 16-tëshen e EURO 2012, që do startojë në qershorin e vitit tjetër në Poloni dhe Ukrainë.











