“Është trembur, SPAK-u i ka shkuar në Kryeministri!”- Deklaratat e Ramës për BKH-në, Shehaj: Sulmet s’e shpëtojnë dot nga drejtësia, po i vjen fundi

Dec 14, 2025 | 18:19

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për oficerët e BKH-së, duke u shprehur se ai është trembur kur i kanë shkuar hetuesit në zyrë.

Agron shehaj-parlament

Sipas deputetit, Rama ka sulmuar oficerët e BKH-së, i ka sharë, i ka fyer, është tallur me ta dhe ka kërkuar t’i intimidojë.

“Por fundi i Edi Ramës është si të gjithë kryeministrat e tjerë të korruptuar të Evropës së Lindjes, para drejtësisë”, shprehet ai në një video në rrjetet sociale, ndërsa krahas shkruan se “Sulmet, tallja dhe intimidimi ndaj BKH-së nuk e shpëtojnë dot nga drejtësia. Si të gjithë të korruptuarve, edhe atij po i vjen fundi”.

Shehaj: Edi Rama është trembur, është trembur se i ka vajtur SPAK-u në zyrë. Sot ka sulmuar oficerët e BKH-së, i ka sharë, i ka fyer, është tallur me ta dhe ka kërkuar t’i intimidojë. Por fundi i Edi Ramës është si të gjithë kryeministrat e tjerë të korruptuar të Evropës së Lindjes, para drejtësisë.

REPLIKAT RAMA-BKH

DEKLARATA E KRYEMINISTRIT

Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij “Flasim”, ka komentuar një episod ku, sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar madje as rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.

Sipas kryeministrit, agjentët nuk pranuan as të linin tek dera “patllaken”, duke nënkuptuar armën.

“Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës” tha ai.

REAGIMI I BKH-SË

Pas kësaj deklarate, reagoi Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila hodhi poshtë deklaratën e Ramës, duke sqaruar se hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.

Më pas, sipas BKH-së, njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve dhe Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale”, tha BKH.

Byroja Kombëtare e Hetimit theksoi më tej se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

Reagimi i plotë i BKH-së

Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:

Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.

Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.

REAGIMI I RAMËS

Por replika nuk mbeti këtu, pasi kryeministri Rama reagoi sërish dhe sqaroi se kritika e tij ndaj BKH-së  nuk lidhej me armëmbajtjen me leje, por sipas tij, me mungesën e etikës profesionale dhe njohurive ligjore nga ana e tyre.

“Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë”, shkroi Rama.

Rama shtoi se nëse ky do të ishte një rast i izoluar, nuk do ta kishte përmendur publikisht, por sipas tij, episodi është pjesë e një serie problematikash që tregojnë boshllëqe etike dhe profesionale në disa struktura të drejtësisë së re.

“Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re”, tha Rama.

Reagimi i plotë kryeministrit Rama:

Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!

Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.

Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.

Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit.

© Panorama.al

Te lidhura