“Është shumë më keq nga sa prisja!”- Darka e Korrespondentëve, Presidenti i SHBA batuta e kritika: Është mbledhur grupi më i madh i njerëzve me sindromën kundër Trump

Jul 25, 2026 | 8:11

Presidenti amerikan Donald Trump riktheu kritikat ndaj medias gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, një aktivitet kushtuar lirisë së shtypit, i cili ishte shtyrë në prill pas të shtënave me armë që ndodhën në vendin ku do të zhvillohej ceremonia.

trump1

Trump, administrata e të cilit ka pasur shpesh përplasje me mediat, e nisi fjalimin me tone të lehta dhe humor, por nuk vonoi të sulmonte ato që ai i quan “mediat e lajmeve të rreme”. Ai nuk kurseu as kundërshtarët politikë dhe figura të njohura të medias e showbiz-it, duke përmendur me kritika gazetarët Don Lemon dhe Lawrence O’Donnell, politikanët Chris Christie dhe Adam Schiff, si edhe artistët Bruce Springsteen dhe Jane Fonda.

“Këtu ndodhet vërtet grupi më i madh i njerëzve me sindromën e çmendurisë kundër Trump-it që është mbledhur ndonjëherë në të njëjtin vend”, tha presidenti amerikan me nota ironike. “Disa prej jush janë me fat që darka e fundit u ndërpre më herët, sepse kisha ndërmend t’ju thosha ca gjëra.”

Kjo ishte hera e parë që Trump mori pjesë në këtë darkë si president, pasi gjatë mandatit të tij të parë e kishte bojkotuar vazhdimisht aktivitetin.

Organizatat për lirinë e medias kanë kritikuar administratën Trump për paditë ndaj mediave, kufizimin e aksesit të disa gazetarëve dhe kërcënimet ndaj transmetuesve televizivë. Presidenti i ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se administrata e tij po promovon llogaridhënien dhe po lufton paragjykimet në media.

Ceremonia ishte planifikuar fillimisht të mbahej më 25 prill në hotelin “Washington Hilton”, por u anulua pasi një person tentoi të kalonte me forcë pikën e kontrollit të sigurisë dhe hapi zjarr me armë gjahu pranë sallës ku ndodheshin Trump dhe anëtarët e kabinetit të tij.

I dyshuari, Cole Allen, është deklaruar i pafajshëm për akuzat, mes të cilave edhe tentativa për vrasjen e presidentit.

Aktiviteti u zhvendos më pas në hotelin “Waldorf Astoria”, nën masa të rrepta sigurie. Në hapje të mbrëmjes, presidentja në largim e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Weijia Jiang e CBS News, deklaroi: “Sonte mesazhi ynë është i qartë: Jemi rikthyer. Nuk do të frikësohemi. Nuk do të lejojmë që një akt dhune të ketë fjalën e fundit.”

Edhe Trump dënoi dhunën politike, duke deklaruar: “Ne nuk i nënshtrohemi dhunës politike. Asnjë person i armatosur dhe i çrregulluar nuk do ta ndryshojë këtë.”

Gjatë ceremonisë u nderua edhe efektivi i Shërbimit Sekret, Victor Gonzalez, i cili u plagos gjatë sulmit të prillit, ndërsa konsiderohet se ndihmoi në parandalimin e një tragjedie më të madhe.

Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë është një traditë më shumë se një shekullore në Uashington, që mbledh fonde për bursa në gazetari dhe promovon lirinë e shtypit, të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së.

Trump e mbylli fjalimin me një tjetër batutë drejtuar gazetarëve: “E di që nuk ishte e lehtë të gjenit këpucë që shkonin me jelekun antiplumb. Shumë prej jush nuk donin ta vishnin, sepse preferonin të vdisnin sesa të dukeshin 10 kilogramë më të rëndë.”

Në fund, ai falënderoi organizatorët për ftesën, por shtoi me ironi: “Ishte një mbrëmje interesante. Nuk e dija çfarë të prisja… dhe ishte shumë më keq nga sa e kisha imagjinuar.”  

© Panorama.al

Te lidhura