Ervin Skela drejt PAS Janinës

Sep 12, 2011 | 12:44

Ervin Skela mund ta mbyllë karrierën e tij futbollistike në Greqi te PAS Janina. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, sipas të cilave fantazisti i Kombëtares shqiptare ka nisur tratativat me drejtuesit e këtij klubi. Skela është një lojtar i lirë që prej sezonit të shkuar, kur ish-skuadra e tij, Arka Gdinia, në kampionatin polak të futbollit ra nga kategoria. Vlonjati u largua nga kjo skuadër dhe që prej majit 2011 ka qenë në kërkim të një ekipi të ri. Në pamundësi për të firmosur te një skuadër në Gjermani, Skela mund të përfundojë te Janina ku luajnë aktualisht edhe Andi Lila dhe Emiljano Vila. Tratativa sipas mediave mund të mbyllet që këtë javë dhe Skela të nisë stërvitjen me këtë skuadër. Ndërkaq, përsa i përket lojtarëve të tjerë që luajnë në Europë vlen të theksohet goli i parë i Ervin Bulkut me skuadrën e tij të re, AZAL Baku. Bulku shënoi golin e vetëm për ekipin e tij në minutën e 45-të, ndaj FC Kapaz në fushën e këtyre të fundit. Gjithsesi, AZAL-i humbi me rezultatin 3 me 1. Ndërkaq, humbje ka shënuar edhe Këlni i Odise Roshit ndaj Nyrenbergut 2-1, në fushën e vet. Lojtari shqiptar nuk luajti asnjë minutë, madje sulmuesi shqiptar nuk ishte as në pankinë në këtë takim, pasi sipas trajnerit Solbaken, lojtari nuk ka qenë në formën e duhur pas ndeshjeve me ekipin përfaqësues të Shpresave të Shqipërisë. I Samir Ujkani i është kënaqur barazimit në tranfertë. Novara e tij ka barazur 2-2 në fushën e Kievo Veronës, ndërsa portieri i Kombëtares shqiptare luajti si titullar. Kjo ishte ndeshja e tij e parë, nga minuta e parë në Serie A.

Hyka, i kënaqur te Luzern: Dua të shënoj më shumë

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, ka pohuar se është i kënaqur me aktivizimin e tij te Luzern edhe pse në 7 ndeshje ai ka luajtur vetëm 1 herë si titullar. Gjatë një interviste për televizionin lokal të Luzernës, Hyka ka pohuar se dëshiron që të mos mbesë vetëm te kuota 1 e golave, por të shënojë më shumë gjatë këtij sezoni. “Jam shumë i kënaqur te Luzerni. Vërej se këtu më duan dhe më përkrahin që të gjithë, si drejtuesit e klubit dhe trajneri, por edhe tifozët. Kam luajtur përgjithësisht si zëvendësues, por gjithsesi jam i kënaqur që kam pasur minutat e mia thuajse në të gjitha ndeshjet. Kam shënuar një gol, por do të dëshiroja që të mos mbetesha këtu dhe të shënoja më shumë për ekipin tim”, ka pohuar Hyka.

© Panorama.al

Te lidhura