Erozioni, Mediu: Rrezikojmë të humbasim 140 mijë hektarë tokë

May 25, 2011 | 10:12

“Infrastruktura e fshatit do të jetë njësoj si ajo e lagjeve të qytetit. Kemi asfaltuar 8 mijë km rrugë në një hark kohor 5-vjeçar. Kemi edhe disa mijëra të tjera për të asfaltuar. Reforma e tokës do të vazhdojë dhe prioritet është regjistrimi i saj”. Këtë deklaratë bëri dje kryeministri i vendit, Sali Berisha, duke garantuar fermerët se do të kenë mbështetjen maksimale. Në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Tokës, kreu i Ekzekutivit foli edhe për projektin e qeverisë për ullirin. Sipas tij, në dy vitet e fundit janë mbjellë 10 milionë rrënjë ulliri, ndërkohë që garantoi se Shqipëria ka potenciale edhe për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve të tjera. Ai nënvizoi se këtë vit ka nisur një projekt i dytë i madh, që ka të bëjë me të mbjelljen e 30 milionë rrënjëve arrorë, arra, gështenja, lajthi, bajame dhe shegë. “Ne besojmë se këtu potencialet janë shumë më të mëdha. “Ne besojmë se Shqipëria me një studim racional, me një qëndrim të vendosur, mund të mbjellë deri në 200 milion rrënjë. Shqipëria është një vend plot ujë, është një vend plot diell, ndaj dhe shqiptarët nuk kanë arsye për t’u ndjerë aspak skeptik mbi potencialet e jashtëzakonshme të tokës së tyre. Ne po procedojmë me një sërë reformash, ndër më kryesoret është regjistrimi i saj, ndërkohë, janë një seri projektesh kombëtare me te cilat ne synojmë një shfrytëzim më racional të pasurive, të pyjeve, të kullotave, të tokës në tërësi”, tha Kryeministri. I pranishëm në konferencë ishte edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Në fjalën e tij ai theksoi se reduktimi i varfërisë është një nga objektivat kombëtar dhe si e tillë ka qenë në fokus të të gjitha programeve dhe projekteve të ndërmarra.  “Procesi i transferimit të pyjeve dhe kullotave në drejtim të komunave ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarrë nga qeveria shqiptare e shoqëruar me politika të reja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe multifunksional për pyjet”, tha Mediu. Sipas tij, kjo politikë ka kërkuar një bashkëpunim me të gjithë përdoruesit, individët, fshatrat, komunat dhe palët e tjera të interesuara. Sipas tij, procesi i transferimit nuk ka qenë një proces i thjeshtë. Sipas ministrit të Mjedisit, erozioni i tokës është një tjetër çështje me të cilën përballet Shqipëria, e cila klasifikohet si një nga vendet mesdhetare me nivelin më të lartë të erozionit nga 21.4 në 34.7 ton/ha për vit. “Humbja e tokës është rezultat i  degradimit të bimësisë  apo nga punë hidro teknike që kryhen. Aktualisht, ka rreth 140 000 ha tokë të riskuara nga erozioni “, tha Mediu. Ai shtoi se problem tjetër me të cilat mund të përballet toka është dhe ndotja kimike e tokave bujqësore, por kjo nuk është një problem me të cilën përballet Shqipëria.

© Panorama.al

Te lidhura