
TIRANE – Gati tre muaj pasi la mandatin e deputetes për shkak të emërimit si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi hedh në gjyq Kuvendin e Shqipërisë. Një kërkesë-padi e firmosur prej saj ka mbërritur pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, me kërkesën për dhënien e pagës së 6 muajve, periudhë gjatë së cilës deputetët e PS qëndruan në bojkot ndaj Parlamentit. Nëpërmjet kësaj kërkesë-padie, ish-deputetja e Partisë Socialiste, Meksi, i kërkon gjykatës të detyrojë Kuvendin t’i paguajë të gjitha përfitimet financiare që “i takonin” për shkak të statusit të deputetes për periudhën shtator 2009-maj 2010. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve, padia në fjalë është regjistruar si çështja numër 7637 në kryesekretarinë e Gjykatës së kryeqytetit. Regjistrimi i kërkesë-padisë, ku si palë paditëse është ish-deputetja Ermelinda Meksi, është regjistruar më datë 24 janar 2012. “Detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë, të më paguajë të gjitha përfitimet financiare që burojnë nga legjislacioni për ‘Statusin e deputetit’ dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit, për periudhën shtator 2009-maj 2010″, thuhej në objektin e padisë. Burime jozyrtare bënë të ditur se bëhet fjalë për dieta dhe shpenzime për shkak të detyrës, që duhet të mbuloheshin nga ana e Kuvendit. Në Gjykatën e Tiranës, kjo kërkesë-padi pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Manjola Bejleri. Ende nuk është përcaktuar data e parë e fillimit të këtij gjykimi. Ndërkohë, në Gjykatën e Tiranës janë duke u shqyrtuar pesë padi të të njëjtit lloj të pesë deputetëve të Partisë Socialiste. Në tetor të vitit 2010, deputetët Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Erion Braçe, Qemal Minxhozi, Ilir Gjoni dhe Alfred Dalipi paditën në Gjykatë Kuvendin e Shqipërisë. Ata i kërkuan gjykatës të detyronte Kuvendin t’u paguante shpenzimet telefonike dhe dietat për periudhën 25 shkurt-31 maj 2010. Deputetët pretendojnë se nuk u janë paguar dietat për këtë periudhë kohë, dieta që sipas tyre, i gëzojnë me ligj. Ata e cilësojnë këtë veprim si shkelje flagrante dhe të njëanshme të administratës së Kuvendit. Sipas tyre, mungesa e këtij përfitimi financiar po i pengon në kryerjen e detyrës. Gjykata është ende në proces shqyrtimi të këtyre padive. ar.ba
8 muaj
është koha gjatë të cilës ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, pretendon se nuk i janë paguar përfitimet financiare që i takonin me ligj.
© Panorama.alDeputetët
Pesë deputetë, paditë e të cilëve janë duke u shqyrtuar në Gjykatë, pretendonin se u ishte mohuar një përfitim financiar që shkonte afro 3.2 milionë lekë të vjetër për secilin. “Në këto kushte, si deputet i zgjedhur, po cungohem nga mjetet që bëjnë të mundur ushtrimin e detyrës kushtetuese si i zgjedhur nga populli, pa asnjë shkak të përligjur”, pohonin ata në paditë e tyre.











