ERMELA MEZURAJ- Pas ndarjes me Ervinin, fillon aventurat me Torosin

May 14, 2011 | 13:03

Me sa duket, “deja vu”-ja që Ermela Mezuraj,  fituesja e “Big Brother 4”, përjetoi brenda shtëpisë së vëzhguar kur në një moment të lojës iu shfaq Torosi, shpjegohet me një afeksion miqësie speciale mes tyre. Të dy janë tipa moskokëçarës, aventurierë dhe të paparashikueshëm. Me sa duket, u ngjit jashtë mase biseda. Kjo është vërtetuar dhe me faktin që pas përfundimit të “Big Brother 4” ata janë parë shpesh bashkë të tre, edhe me Ervinin. Më tepër kanë qenë të pranishëm në fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit në mbështetje të Lulzim Bashës, dhe për show në clube të ndryshme, ku nga ish-banorët e “BB4”, dy më të preferuarit ishin pikërisht Ermela dhe Toros. Ka qenë kjo miqësi e hapur mes tyre që e ka bërë Ervinin të ndihet xheloz për Torosin, aq sa në një debat të fortë me Ermelën, për këtë arsye ia ka shprehur këtë xhelozi, duke e vendosur atë para zgjedhjes, ndërsa i është drejtuar me fjalët:” Ose mua, ose Torosin!”. Dhe, Ermela, pas kësaj bisede të fundit mes tyre, nuk ka menduar të vazhdojë më me debat, por ka vendosur ta mbyllë direkt lidhjen me kaq, natyrisht duke i pohuar se mes saj dhe Torosit nuk kishte asgjë më shumë sesa një shoqëri e pastër dhe e hapur. 24-vjeçarja  nga Vlora, Ermela Mezuraj, dhe 33-vjeçari nga Tirana, Ervin Sinjari, janë ndarë përfundimisht, ndërkohë që pas sherrit Ervini ka vendosur të largohet për pak kohë në Itali, si për t’iu larguar stresit dhe presionit që mund të ndiente këtu pas ndarjes. Ndërsa Ermela po vazhdon rrjedhën e saj të jetës normalisht, duke planifikuar se ç’do të bëjë me jetën e saj profesionale. Miku i saj më i afërt për momentin është Torosi, me të cilin kalon shumë orë, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të ketë diçka më shumë, veç shoqërisë dhe bashkëpunimit. Madje, edhe të enjten në natën e spektaklit të “Dancing with thë stars” në “Vizion Plus”, ata ishin të pranishëm në sallë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ndërkohë që asgjë e re nga fronti i jetës së Ervinit. Ai, me sa duket, ka vendosur të qëndrojë larg komenteve që mund t’i bëhen për ndarjen nga Ermela, duke mbyllur madje dhe wall-in e profilit të tij në Facebook dhe duke mos lejuar që miqtë e tij të komentojnë në lidhje me këtë ndryshim aspak të këndshëm në jetën e tij. Ndërkohë që nuk vihet në dyshim debulesa dhe nostalgjia për ditët që ka kaluar me Ermelën, pasi ai ende nuk i ka hequr albumet e fotove çift me të nga FB.

Konflikti në Vlorë, Ervini xheloz për Torosin

U duk si një lidhje pasionante, por duket se parashikimi i banorëve të tjerë të BB4 se lidhja Ermela–Ervin nuk do të zgjaste, doli vërtet. Konklikti ndodhi dy javë më parë në një festë të organizuar nga Shkëlqimi i BB4, në inaugurimin e restorantit të tij pranë portit të qytetit të Vlorës. Shkak u bë një ftesë që i kishte ardhur Ermelës për të qenë e pranishme në Maqedoni, në një show special ku ajo dhe Toros do të jenë sot dhe nesër dy të ftuarit e zgjedhur. Përveç faktit që ftesa ka qenë vetëm për ata të dy, dhe Ervini është ndier i përjashtuar duke u acaruar më shumë gjatë festës, ku Ermela nuk druhej fare të bënte gallatë, apo të kërcente më shumë me Torosin, Ergysin apo Shkëlqimin e djemtë e tjerë që kanë qenë në BB4. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer fare Ervinit, ndërsa ia kishte bërë të ditur se ai e shihte atë si femrën e jetës së tij me të cilën kishte menduar t’i bënte gjërat serioze, dhe ndaj i kërkonte të ishte pak më serioze. Pas hatërmbetjeve që kanë degjeneruar në sherr, Ermela ka vendosur që më kthimin në Tiranë të ndërpresë bashkëjetesën me Ervinin, të shkojë të marrë rrobat dhe ta mbyllë përfundimisht me kaq lidhjen e saj, që zgjati afër katër muaj. Ndërkohë që Ervini tashmë ndodhet në Itali dhe nuk dihet se sa do e bëjë publike jetën e tij tani, pas ndarjes. Pas kthimit nga Tajlanda, ai ka vendosur të jetojë përfundimisht në Tiranë, ku po merret me hapjen e palestrës së tij, ashtu siç e ka pasur një të tillë në Itali.

Ermela dhe aventurat me Torosin pas ndarjes

Të dy i bashkon shpirti i aventurës, ndaj nuk është çudi që të bëjnë marrëzira nga më të ndryshmet, për të provuar ndopak adrenalinë në prag të fillimit të verës. Kështu ndodhi vetëm katër ditë pas ndarjes së Ermelës nga Ervini. Toros, një djalë i thekur për të organizuar gjëra të bukura me shoqërinë e tij, nisur dhe nga jeta shumë argëtuese që ka bërë në Itali, Amerikë e shumë vende të tjera të botës, ia ka bërë ditët pas ndarjes Ermelës mjaft argëtuese. Si për t’ia larguar shijen e hidhur pas një ndodhie të tillë, ai së bashku me një mikun e tij i kanë bërë një suprizë asaj, ndërsa e kanë marrë në një makinë “Kuper” dhe me shpejtësi 200 km në orë, kanë udhëtuar të tre së bashku drejt Durrësit. Udhëtimin gati “të çmendur” e kanë regjistruar në një video me aparat celular, ku Ermela hidhet nga kënaqësia e një udhëtimi të tillë dhe ku supozon me shaka se po jeton vetëm tri minutat e fundit të jetës. Ndërkohë që Ermela e pasionuar pas makinave, këto ditë merr makinën tip “Smart” të Torosit dhe bën guidë në rrugët e Tiranës, për t’u mësuar me trafikun, në mënyrë që të ndihet e sigurt si shofere kur të blejë makinën e saj. Por, Toros, i cili qëndroi 22 ditë në lojën e BB4, ka qenë një mbështetës i Ermelës, kur ajo ishte në lojë. Ai e parashikoi atë si fituese, pasi sipas tij “loja e saj ishte loja më e pastër dhe e sinqertë dhe përfaqëson femrën reale në Shqipëri.”

Toros, planet në  televizion çift me Ermelën

Ata sot dhe nesër do të bëjnë show te Llixhat në Dibër të Madhe, pikërisht në Strugë dhe Ohër dhe do të jenë të dy. Ishte pikërisht kjo ftesë e ardhur vetëm për ata nga Ohri, që u bë dhe shkak për konfliktin mes çiftit Ervin-Ermela dhe dhënies fund të bashkëjetesës mes tyre. Ndërkohë që do të vazhdojnë gjatë gjithë verës të marrin pjesë në show-et që organizojnë klubet e natës brenda dhe jashtë Shqipërisë, ata tashmë kanë bërë plane për t’u shfaqur çift në ekran. Për Ermelën e dimë se ka pasionin televizionin, po ashtu zbulojmë se të njëjtin pasion ka dhe Torosi. Madje, është ai që ka përfunduar dy projekte për emisione në televizion. Thuhet se ka marrë konfirmimin për realizimin e një programi special, ku është menduar që ta prezantojnë të dy. Ende nuk mund të zbulohet se për çfarë formati bëhet fjalë ekzaktësisht dhe në cilin ekran do transmetohet. Tashmë Ermela i ka shfaqur prirjet e saj artistike, duke provuar të këndojë, të jetë imazh në ndonjë klip muzikor apo dhe të punojë në televizion si spikere lajmesh në “TV Lezha”. Ndoshta këtu s’përputhet me Ervinin, pikërisht tek ambicia e saj më e madhe për të hyrë në botën e televizionit, një dëshirë kjo që të shohim se kur do e realizojë. Ajo e pohoi vetë se përveç shumës 100 milionë, hyri në “Big Brother” kryesisht për famë dhe një të ardhme në televizion.

 

REDONA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura