ERMELA & ERVINI- Çifti në krizë, ndërpresin bashkëjetesën dhe janë në prag ndarjeje

May 7, 2011 | 14:21

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, aq më tepër kur bëhet fjalë për një lidhje të ekspozuar në sy të mediave. Pas një historie pasiononte dashurie të krijuar brenda shtëpisë së vëzhguar mes fitueses së “Big Brother 4”, 24-vjeçares Ermela Mezuraj dhe 33-vjeçarit Ervin Sinjari, duket se kanë filluar turbulencat e para, dhe konfliktet që i kanë bërë të mërziten jo pak aq  sa t’i thonë njëri-tjetrit “Vafsh në djall!” Konklikti i parë ka ndodhur plot një javë më parë në një festë të organizuar nga Shkëlqimi i BB4, në inaugurimin e restorantit të tij pranë portit të qytetit të Vlorës. Shkak është bërë një ftesë që i ka ardhur Ermelës para disa ditësh për të qenë e pranishme në Maqedoni. Bëhet fjalë për ftesë nga një pronar hoteli, ku i kërkohet Ermelës për të bërë show këtë fundjavë së bashku me Torosin atje, i cili nga ana e tij i ka shprehur interesin për ta menaxhuar Ermelën si personazh publik. Ndaj, dhe në këtë rast ftesa ka qenë vetëm për Torosin dhe Ermelën. Ervini nuk e ka pritur me dëshirë këtë  ftesë, duke i pohuar asaj se nuk ia vlen që ajo të konsumohet në klube të tilla vetëm për 500 mijë lekë të vjetër, ndërkohë që sipas tij asaj nuk i mungon asgjë për momentin. Konfliktet mes tyre janë acaruar aq shumë, saqë Ermela para tri ditësh vendosi të marrë rrobat dhe të largohet nga apartamenti i Ervinit, me të cilin bashkëjetonte që pas daljes nga shtëpia e “Big Brother”. Por, pavarësisht konfliktit, as Ervini dhe as Ermela nuk e kanë pohuar se bëhet fjalë për një ndarje përfundimtare, por për zënka momentale dhe normale për një çift të dashuruarish. Nga ana tjetër, miq të tyre të afërt kanë pohuar se realisht lidhja e tyre ndodhet në një krizë të vërtetë, meqenëse se bisedat e tyre kanë degjeneruar në fyerje. Ndërkohë, Ermela, pas largimit nga shtëpia e Ervinit, ka vendosur të shkojë në Maqedoni, ku është e ftuar të bëjë show, nisur edhe nga fakti se ajo edhe para hyrjes në BB4 ka shfaqur prirjet e saj artistike, pasi ka provuar të këndojë, të jetë imazh në ndonjë klip muzikor, apo dhe të punojë në televizion si spikere lajmesh në “Tv Lezha”. Ndoshta këtu nuk përputhet me Ervinin, pikërisht tek ambicia e saj më e madhe për të hyrë në botën e televizionit, një dëshirë kjo që të shohim se kur do e realizojë. Ajo e pohoi vetë se përveç shumës 100 milionë, ajo hyri në “Big Brother” kryesisht për famë dhe një të ardhme në televizion, ndërkohë që Ervini për vete ka vendosur të bëjë një jetë krejt ndryshe nga ajo që dëshiron Ermela. Ai preferon të jetojë jashtë vëmendjes publike. Pas kthimit nga Tajlanda, ai ka vendosur të jetojë përfundimisht në Tiranë, ku po merret me hapjen e palestrës së tij, ashtu siç e ka pasur një të tillë në Itali.

Ermela plane me Torosin, pa Ervinin
Edhe pse një çift që rrinin gjithmonë bashkë, Ermela dhe Ervini gjatë kësaj periudhe u miqësuan shumë me Torosin, edhe për faktin se të tre kanë qenë të ftuar në fushatën zgjedhorë të kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Në njëfarë mënyre, Torosi, i cili qëndroi vetëm 22 ditë në shtëpinë e “Big Brother”, është organizatori dhe personi i vetëm që arrin t’i bëjë bashkë banorët jashtë shtëpisë. Madje, ai në njëfarë mënyrë po merret me menaxhimin e aktivitetit të tyre tani jashtë shtëpisë, për të asistuar në promovime klubesh apo fundjava ndryshe, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë saj. Pikërisht festa e fundit, ku ai dhe Ermela do të jenë bashkë në Maqedoni, pa praninë e Ervinit, është bërë ndoshta dhe shkak për krijimin e konfliktit mes çiftit. Pavarësisht ftesave të ndryshme që Ermela mund të marrë nga fansat për të bërë show në clube, duket se Ervini është kundër tyre, pasi për momentin atij i ka interesuar më shumë lidhja, sepse me Ermelën ai kishte bërë plane serioze për fejesë. Pas daljes nga shtëpia, ata janë shoqëruar shpesh me banorët e tjerë, edhe me disa prej të cilëve kanë pasur konflikte, apo që janë xhelozuar me njëri-tjetrin. Kjo gjë ka ndodhur mes Ermelës dhe Ergysit, të cilët janë treguar më shumë të dashur se kurrë me njëri-tjetrin në festën e Shkëlqimit në Vlorë, ku është parë që Ergysi ta marrë në krahë apo ta ushqejë Ermelën, duke e llastuar në sy të të gjithëve.

Plani për pushime në Maldive
Mund të konsiderohet ndër lidhjet më intensive mes çifteve të krijuara këtë edicion të “Big Brother”. Kjo, për faktin se ata i shihje 24 orë në 24 bashkë dhe shumë të lidhur me familjet e tyre. Në intervistën e parë pas daljes si fitimtare nga “Big Brother 4”, Ermela pohoi se vlerësonte shumë përkushtimin e Ervinit ndaj saj dhe faktin që ai nuk ishte hatërmbetës, pasi për shkak të tipit që ka, kishte shumë mundësi të krijoheshin situata ku dhe ata s’mund të komunikonin për një kohë të gjatë. Ndërsa, nga ana e tij, Ervini e komentoi si vajzën që e ka kompletuar dhe që e kishte kërkuar gjithë jetën. Ai pohoi se dhurata që do i bënte Ermelës ishin disa ditë pushime të paharrueshme në Maldive, që tashmë nuk e dimë nëse do të kenë rast t’i shijojnë, nëse të sheshojnë mosmarrëveshjet mes tyre.

Pas konfliktit, Ervini në pub me një femër

Por Ervini nuk ka zgjedhur ta kalojë në vetmi, apo duke u mbyllur brenda mërzitjen e këtyre ditëve pa Ermelën. Ai ka vendosur që të enjten në mbrëmje të prenotojë një tavolinë në clubin “Tokio”, e mikut të tij Olsi Mingomataj, ndërsa është fotografuar në shoqërinë e vajzave të tjera. Ka vendosur ta kalojë një natë mesjave në club “Tokio” në zonën e ish-Bllokut, pasi mund të argëtohej shumë mirë edhe për faktin se Olsi, si ish-konkurrent i “Dancing with the stars Albania”, mbledh aty të enjteve të gjithë vipat pas spektaklit. Gjatë gjithë mbrëmjes Ervini nuk e ka dhënë veten, por i është gëzuar momentit, duke pirë dhe kërcyer në një shoqëri krejt ndryshe. Kjo nuk është hera e parë që Ervini fotografohet me femra të reja, madje dhe kur Ermela ishte në lojë. Gjithsesi, nuk dihet se si do t’i rregullojë punët me Ermelën, për të cilën ka pohuar gjithnjë se ndien vërtet dhe se kishte plane serioze për të lidhur jetën me të. Këtë ai e dëshmoi me faktin që edhe gjatë kohës kur Ermela ishte në lojë, ai ishte një nga mbështetësit më të fortë të saj, duke e shprehur në çdo moment se ai dhe Ermela ishin bërë për njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, Ermela mori dhe aprovimin e familjes së Ervinit, mamit, vëllait dhe motrës së tij.

 

REDONA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura