Ermela e BB dështon në politikë dhe përfundon në velinë

Dec 17, 2011 | 13:59

Një katapultim i menjëhershëm në politikë do t’i kishte shijuar dhe Ermela Mezurajt, fitueses së “Big Brother 5”, ashtu si shumë të rinjve, kryesisht artistë që kemi parë të përfshihen së fundi në forume partike. Direkt pas daljes nga loja si fituese e 100 milionëve të depozituara në bankë, natyrisht që Ermela kërkonte më shumë nga jeta. Iu duk se ato para që i kishte dëshiruar aq shumë, nuk po i hynin aspak në sy, kur mendonte se ambicies së saj për t’u bërë prezantuese në televizion i duhej një mbështetje më e fuqishme. E shquar për natyrën pa komplekse, qoftë edhe për të shprehur hapur dëshirat e saj të mëdha. Me bindjen se ajo është lindur për televizion, natyrisht që ishte ndër të vetmet që e shprehu hapur se pas mbylljes së lojës së vëzhguar nga kamerat, ajo po kalonte një periudhë “hendeku” në jetën e saj, pasi s’po merrte ofertat që kishte pritur pas popullaritetit të madh të fituar nga “Big Brother”. Në fillim ndryshoi punët në jetën e saj private, pas ndarjes nga Ervin Sinjari dhe rikthimi tek ish i dashuri pas 7 vitesh, një djalë nga Lezha me emrin Joti, me të cilin nisi bashëkjetesën në Tiranë tre muaj më parë. Më pas vendosi të largohet nga kamerat dhe të reflektojë më mirë për jetën e saj, duke menduar paralelisht për gjetjen fillimisht të një pune të mirë. Tentativat e para i bëri në politikë, ndërsa kërkoi të hynte në instancat e Partisë Demokratike, pasi ishte aktivizuar në verë në fushatën e Lulzim Bashës për zgjedhjet lokale.

Pas kësaj, Ermela tentoi të marrë një pozicion të mirë në Forumin Rinor të PD-së, duke synuar pikërisht postin e nënkryetares së Forumit Rinor të PD-së, që u mor nga këngëtarja 20-vjçare, Greta Koçi. Gjithsesi, njerëz të afërt të saj pohojnë se përpjekjet e Ermelës nuk kanë përfunduar, ndërsa vazhdon ende të kërkojë një punë zyre në administratë, për të cilën ende nuk ka mundur të lidhë ndonjë kontratë. Gjithsesi, 25-vjeçarja që fitoi famë në vitin 2011, deri në pritje të diçkaje më serioze për karrierën e saj, tashmë duket se ka bërë kompromis me veten, duke pohuar se më mirë të shfaqet diku, sesa askund. Siç e kemi parë në programin “E Diell” në “Top Channel”, Ermela ka hyrë në një garë kërcimi, ku u kërkon fansave ta votojnë në favor të skuadrës së saj gri, ndërsa kërcen me aktorin Florian Agalliu

POSTI NË FORUMIN RINOR TË PD-SË, QË IA RRËMBEU GRETA KOÇI

Në këtë rast rivale kishte një këngëtare me eksperiencë. Nëse do të flitej se cila prej tyre kishte më shumë famë, natyrisht që fansat do të ndaheshin në dy pjesë. Pasi vendi i nënkryetarit të Forumit Rinor të PD-së kishte mbetur vakant dhe brenda instancave të kësaj partie kishin filluar diskutimet se kush do të ishte personi i njohur, që do të emërohej në këtë post. Gjithsesi, Ermela e pyetur atëherë nga “Panorama”, u shpreh se ishte në kërkim të një pune që t’i pëlqente dhe natyrisht që televizioni mbetej prioritet. Ajo nuk e shprehu hapur ambicien e saj në politikë, duke mos dashur të bënte publike dhe bindjet e saj partiake. Ndërkohë që nuk e fshehu zhgënjimin që ndjeu pas daljes nga loja dhe zbritjes në realitet, ku në mendjen e saj kishte imagjinuar shumë oferta që e prisnin. E pavarësisht popullaritetit të fituar në mënyrë të shpejtë, në këtë rast doli më e zonja Greta, e cila është vetëm 20 vjeç dhe mban një post të rëndësishëm. Ndryshe nga Ermela, këngëtarja pohoi hapur në media se kishte qenë në planet e saj angazhimi për të hyrë në politikë. Ajo pohoi për gazetën “Panorama” se angazhimet e saj reale përkrah kësaj force politike kishin startuar që në vitin 2009, në zgjedhjet parlamentare.

EDHE QETSORI, JETMIRI E ARBRI S’MUNDËN TË DEPËRTOJNË NË POLITIKË

Fituesi i BB1, Arbër Çepani, në fakt mendoi të hynte në politikë në mënyrë më të rafinuar. menjëherë pas daljes fitues, ai vendosi të jetojë në Shqipëri dhe paratë e fituara i shpenzoi për të realizuar projektin e veçantë për bamirësi, siç kishte premtuar brenda lojës së “Big Brother 1”. Ishte kjo një mënyrë e mirëmenduar për t’i dhënë atij më shumë kredite në formimin e një figure të besueshme dhe të gatshme për politikan. Por deri tani nuk e kemi parë të ingranohet diku. Ndërkohë, e njëjta gjë ndodhi me Qetsor Ferunajn, fitues i BB2, i cili ishte i dyti në listat për deputetë të demokristianëve për qarkun e Vlorës, ndërsa vendosi të tërhiqej i zhgënjyer në kulmin e fushatës politike për zgjedhjet e 28 qershorit. Më pas, ai bëri përpjekje për t’u përfshirë në PD, por nuk mundi të depërtonte. Po ashtu ndodhi me fituesin e “BB3”, Jetmir Salaj, një tjetër djalë i shkathët nga Vlora, i cili shprehu hapur mediatikisht përfshirjen e tij në politikë, madje duke pohuar se kishte zgjedhur të njëjtën strategji me të cilën fitoi BB-në. Edhe pse ai nuk i bëri publike bindjet e tij politike, e vërteta rezultoi ndryshe dhe ai nuk arriti të bëhet pjesë.

© Panorama.al

Te lidhura