Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka reaguar sërish kundër projektligjit të Francës për gjenocidin, i cili ka përfshirë edhe atë armen, duke u shprehur se Franca ka bërë gjenocid duke masakruar algjerianët e duke i djegur ata në furra. Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan një ditë më parë, kur Dhoma e Ulët Parlamentit francez vendosi se duhet të dënohen me burg dhe gjobë të gjithë ata që mohonin gjenocidin armen të kryer nga otomanët. Historianët thonë se turqit kanë vrarë rreth 1.5 milionë armenë në vitet 1915-1916 duke kryer gjenocid. Por autoritetet turke thonë se janë vrarë rreth 300 mijë armenë, të cilët luftuan përkrah rusëve. Pasi tërhoqi ambasadorin nga Franca dhe ndërpreu të gjitha marrëveshjet ekonomike dhe ushtarake me këtë vend, Kryeministri Erdogan tha se: “Ajo që ka bërë Franca në Algjeri ka qenë gjenocid”. Ai tha se në vitin 1945, rreth 15 për qind e popullsisë në Algjeri u martirizua pa mëshirë nga francezët. Erdogan akuzoi Presidentin francez Sarkozi për “turkofobi dhe islamofobi” me qëllimin për të fituar zgjedhjet.











