Dëbimi i gazetarëve nga redaksitë dhe ndërprerja e sinjalit të News24 janë, sipas profesorit nga Kosova, Milazim Krasniqi, një episod brutaliteti ekstrem i qeverisë dhe drejtësisë ndaj gazetarisë në Shqipëri.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi shprehet se, po të përdoreshin çështjet pronësore ose interesat politike të pronarëve të mediave, një pjesë e madhe e medieve do të mund të mbyllej jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe në Europë.
Ai thekson se në rastet e kontestimeve pronësore-juridike, duhet të gjendet një zgjidhje e butë që të mos dëmtojë punonjësit dhe gazetarinë.
Reagimi i plote:
Dëbimi i gazetarëve nga redaksitë dhe ndalja e sinjalit të News 24 është episod brutaliteti ekstrem i qeverisë dhe drejtësisë ndaj medies e gazetarisë në Shqipëri. Po të përdoreshin çështjet pronësore-biznesore, ose aspekte të interesave politike të pronarëve të medies, me siguri 90 % e medieve do të mund të mbylleshin, jo vetëm në Shqipëri po kudo në rajon e në një % të lartë edhe në shtetet europiane. (Besoj se më së paku mediet e Berluskonit e të Rupert Mardokut do ta kalonin testin e pastërtisë në biznes.) Në raste kontestesh pronësore-juridike të pronarit me qeverinë e me drejtësinë, duhet të gjendet version i butë i zgjidhjes së kontesteve, që të mos penalizohen punonjësit dhe të mos dëmtohet gazetaria. Veprimet kaq brutale të qeverisë e drejtësisë ndaj medies e gazetarisë në një shtet kandidat për BE, si Shqipëria, janë tregues se shteti kandidat, e pakta në këtë stad ku është, injoron standardet e BE-së në fushën e medieve. Shqipëria në këtë stad do të duhej të zbatonte rekomandimet dhe zgjidhjet që ka adoptuar Bashkimi Europian për mediet e gazetarinë.
© Panorama.al












