“Enveri shkoi në Dropull, më pas botoi ‘Dy popuj miq’”- Çfarë fshihej pas koncertit të Marinelës në Tiranë në ‘77-ën, Osman Mula: Strategjia për raporte më të mira me Greqinë

Aug 15, 2023 | 16:13

marinela koncert kengetarja grekeNGA UVIL ZAJMI

Ka qenë 14 gusht 1977, e diel, kur në faqet e shtypit shqiptar, në dy gazetat e përditshme dhe më të rëndësishmet, “Zëri i Popullit”, “Bashkim” me to edhe “Drita”, do të jepet njoftimi: “E ftuar nga Komiteti Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore Miqësore me Botën e Jashtme, arriti në Shqipëri ansambli artistik grek “Marinella”, i cili do të japë një numër shfaqjesh në rrethe të ndryshme të cilat janë pjesë e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve tona fqinjë”.

Grupi qëndroi në Shqipëri vetëm një javë, nga 12-19 gusht. Nga ai gusht i largët, gati një gjysmë shekulli më parë, në një rikthim tek ai turne, ato shfaqje, çfarë ka qenë ardhja e një këngëtareje të njohur dhe me famë nga një shtet perëndimor, në Shqipërinë komuniste? Aq më shumë nga Greqia, ndonëse një vend fqinj, por jo i një miqësie të madhe nga politika e kohën. Atmosfera, një kryeqytet te shkallët e pallatit të kulturës për një biletë dhe skandali me disa persona që u larguan nga shfaqja. Si u njoftua Enver Hoxha, reagimi i tij nga Durrësi dhe si e kujton Osman Mula, një personalitet i njohur i artit shqiptar, koncertin e saj në TOB dhe motivin pse nuk u transmetua direkt: “Marinela, u shfaq si një këngëtare, një personalitet i madh i interpretimit të këngës greke. Në Tv nuk u dha direkt, nga frika e ndonjë provokimi në sallë. Por, në pikat e montazhit në televizion nuk ngopeshim më zërin e saj”.

DO TË VIJË MARINELA: SI E PËRJETOI TIRANA PRAG ATMOSFERËN, KONCERTET DHE POST-SHFAQET

Ka qenë befasi kur në mjedisin kryeqytetas u hap fjala se Marinela nga Greqia do të vijë dhe do të këndojë në Shqipërinë komuniste, të tejmbyllur, të ndarë e shkëputur nga Europa e Bota. Në një vend ku mbizotëron ende një situatë e rëndë politike, ekonomike, me disa vite të ashpra që vijnë pas dënimeve të grupeve në art, ekonomi e ushtri. Pikërisht në atë periudhë, një këngëtare greke me famë e muzikës së lehtë, bashkë me dy grupe gjithashtu të njohur dhe kur buzuku grek do të dëgjohej për herë të parë jo vetëm në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, por edhe në disa qytete te tjera. Kur në Shqipëri nuk kishte shkelur, dhënë shfaqje asnjë muzikant, këngëtar, grup i huaj dhe nga shtete me të cilat Shqipëria, politika, muzika, arti, strategjia, propaganda, preferencat ishin ndarë publikisht dhe me kohë. Askush nuk mund të jepte një përgjigje të motivuar, të argumentuar, por kënaqësia për ta parë, dëgjuar Marinelën, nuk jepte kohë për arsyetime, enigma, që përveç liderit komunist, askush tjetër nuk mund të interpretonte atë ardhje surprizë, shoqëruar me shfaqje e spektakle, në Tiranë dhe në disa qytete në jug të Shqipërisë. Ato prag shfaqjeje brezi im i ka përjetuar nga afër, madje unë kam pasur fatin të jem në sallë në natën e dytë, duke hyrë pa biletë, falë atyre grave që prisnin biletat, që na njihnin, se tjetër mënyrë të asistoje nuk kishte.

Kujtoj se një atmosferë krejt ndryshe ka qenë ato dy ditë në Tiranë veçanërisht pranë Teatrit të Operës, paradite dhe në mbrëmje kur Mariela do të jepte dy shfaqet. Interesim i jashtëzakonshëm, të gjithë në kërkim të një ftese, me të cilën mund të merrje biletën. Por, ishte e pamundur, pasi të gjitha jepeshin me autorizim, planifikim për drejtuesit e dikastereve, zyrtarë, drejtorë, njerëz partiakë, që jepnin siguri, garanci për gjithçka, siç veprohej zakonisht në të tilla evenimente kulturore dhe sportive. Kurioziteti, dëshira për të qenë në sallë ishte e madhe, një shtet me muzikë të bukur, e përfaqësuar nga një ikonë do të këndonte pikërisht në atë sallë, ku pak vite më parë pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio ishin dënuar, persekutuar këngëtarë, kompozitorë, drejtues, prezentatorë vetëm se kishin shfaqur tendenca perëndimore në interpretime, tekstet, muzikën, paraqitjen e tyre, etj. Marinela do të jepte dy koncerte në Tiranë pikërisht në atë mjedis, i pari, e premte 19 gusht dhe i dyti të shtunën me 20 gusht 1977, në orën 19.00. Në një sallë të mbushur, ku në sfond duket qartë baneri klasik i kudondodhur “Lavdi Markszëm-Leninizmit”, e ndonëse shkruhet që të pranishëm janë artëdashës, punëtorë, njerëz të artit, kulturës, të rinj e të reja, por është e kundërta, kur pjesa më e madhe është publik i kontrolluar, një spektator deri në një farë mase i selesionuar, ku çdokush duhet të bëj kujdes, pa eufori, edhe kur kënga ishte e bukur, kërkohej seriozitet, entuziazmi duhet të jetë i rezervuar shoqëruar vetëm me duartrokitje. Ishin orientime jo të deklaruara, por të diktuara e që diheshin nga të gjithë. Në sektorin Vip, atë të galerisë, si zakonisht drejtues shteti, ministra Tefta Cami, Reis Malile, Anastas Kondo, Javer Malo, Dritëro Agolli, Xhustin Papajorgji, Omer Haxhia, Ferid Karagjozi, personel trupi diplomatik, me Stathis Micopullos, ambasadorin grek në rrallën e parë. Jo Enver Hoxha as Ramiz Alia, as anëtarë të byrosë politike, të cilët informacionet lidhur me shfaqjen do t’i merrnin menjëherë në përfundim të saj. Edhe për të treguar se partia nuk është organizatorja i atij evenimenti. Dy fjalime hapesë nga Riza Hajro dhe përgjegjësi i grupit grek, pasat shfaqja e natëssë parë. Në ditët vijuese, në faqet e gazetës “Drita”, me një trajtim klasik artistik, ashtu si mund të shkruhej në shtypin zyrtar të kohës për një shfaqje të tillë, do të jepnin opinionet e tyre Tish Daia, Udhëheqës Artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve dhe Ferdinanad Deda, Dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTVSH-së.

dffg

LARGIMI BEFASUES I DISA SPEKTATORËVE DHE REAGIMI I ENVER HOXHËS

Ka ndodhur në shfaqjen e parë, kur gjithçka ishte normale, papritur disa persona janë ngritur duke dalë nga salla, e lënë platenë, si shenjë proteste ndaj muzikës moderne, jo në linjën e propaganduar sipas tyre. Aq më shumë grupi i Marinelës, ajo vetë, ndërsa po këndonin në skenë. Vetëm pak komente nën zë: “Çfarë ishte ai veprim, i organizuar dhe nga kush, apo spontan?”. Të nesërmen në mëngjes, drejtues të shtetit, Nesti Nase, Javer Malo, kanë shkuar në Durrës, në vilën ku po kalonte pushimet Enver Hoxha duke i raportuar, treguar çfarë kishte ngjarë, e sqaruar se ata ishin disa punonjës të sigurimit të shtetit. Sipas kujtimeve të B. Collakut, i pranishëm në këtë ngjarje, tregon se pasi i dëgjoi, qëndrimi i Hoxhës ishte tejet normal, pa i dhënë asnjë rëndësi atij veprimi, madje duke mos u solidarizuar dhe pa u shqetësuar, përkundrazi, reagimi i tij ishte ndryshe nga çfarë edhe pritej. “Hoxha e shpreh, duke mos qenë dakord me të tilla sjellje dhe ato veprime nuk kanë lidhje me shfaqjen, marrëdhëniet miqësore midis dy popujve. Muzika greke duhet respektuar dëgjuar dhe vlerësuar. Ju nuk keni parë këngëtarë afrikanë çfarë bëjnë? Popujt të ndryshëm kanë sjellje të ndryshme? Sigurisht, ajo popullorja, tradicionalja”

gfdgfg

DOKUMENTARI I KINOSTUDIOS “SHQIPËRIA E RE”

Ai ka qenë dhe mbetet unik për kohën, një dokumentar i gjatë, gati 26 minuta do të realizonte Kinostudioja “Shqipëria e Re”, për grupin e Marinelës, ardhjen e saj në Shqipëri, përgatitur me kujdes dhe regji të Donika Mucit, operator Rodolf Radovani, bashkëpunëtor Kolec Traboini. Nga shfaqja e saj në TOB, vizitat në Ekspozitën “Shqipëria Sot”, në Galerinë KAF, dhe udhëtimi drejt jugut, me një autobuz Albturist italian, “FIAT”, të Delegacioneve. Qëndrimi në Vlorë, Hotel “Adriatiku” – Turizmi i vjetër, një shëtitje te Uji Ftohtë, një foto te Monumenti i Pavarësisë dhe në mbrëmje koncerti në Kino Teatrin e Kulturës. Nga Vlora në Tepelenë, Gjirokastër, një vizitë në kalanë e saj dhe shfaqja në sallën e kinemasë së qytetit. Rikthimi në Durrës, dhe shfaqja në Kino-Teatrin “Aleksandër Moisiu” e duartrokitur nga publiku. Nisja drejt Korçës, pamje e Kombinatit Metalurgjik, Përrenjasi, dhe vullnetarët e hekurudhës duke punuar që përshëndesin autobusin e grupit Marinela. Shfaqja në Korçë, në mbyllje të saj një buqetë me lule nga aktori Zhani Zicishti për Marinelën dhe në Pogradec ndalesa e fundit. Një shëtitje në Drilonin e Enver Hoxhës, disa fotografi, largimi për në Maqedoni, dhe drejt Greqisë.

osman mula

OSMAN MULA: MARINELA, NJË KËNGËTARE QË NA MAHNITI

Ajo erdhi në një kohë kur e gjithë Shqipëria e mbyllur dhe pa asnjë kontakt me botën, në këtë rast Greqinë, hapi serinë pas së cilës në Shqipëri erdhi edhe këngëtari Janis Parios, këngëtarja Mariza Koh e muzikës folk-pop”, shprehet Mula për gazetën “Panorama“.

Z. Mula, jemi në dhjetëvjeçarin e ndëshkimeve, kur ajo vjen në Shqipëri?

Pas Festivalit në Dizhon të Francës më 1970, me suksesin e jashtëzakonshëm të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve, atje që ishte një ngjarje e madhe për Shqipërinë, artin kombëtar, pas kaq vitesh ardhja e Marinelës në Shqipëri do të ishte ngjarja e dytë artistike e të tilla përmasave. Marinela erdhi në një vit, i cili ishte në vazhdim që nga 1973 e deri 77-78 me ngjarje që lidhen me zbulimet e grupeve armiqësore në art, ushtri, ekonomi, që me përjashtim të grupit të artit të gjithë të tjerët ishin me dënime maksimale.

Më folët për disa detaje, element artistikë, deri edhe veshjen e saj?

Ajo shoqërohej nga një formacion të vogël, 2-3 kitara akustike me bateri, flaut dhe një buzuk, instrument që për të parën herë u dëgjonte në Shqipëri. Një grup muzikor popullor tradicional i njohur për të treguar që artin e popullit kemi bazë. Pastaj vinte muzika e lehtë. Në sallë pata ndjekur shumë festivale të këngës me orkestra simfonike, por nuk kisha parë një formacion aq të vogël të kishte një performancë të shkëlqyer. Orkestronin thjeshtë e në linja shumë të shkurtra. Kishin informacion se vetëm duhet të këndonin, asgjë më shumë. Dhe ashtu u veprua, në skenë, këngë, muzikë, sic i kishin porositur që në Shqipëri duhej kujdes. Edhe në veshje, shumë thjeshtë, e kujdesshme, me një fustan të bardhë, pastaj një të zezë o te kuq, e dinte se këtu e konsideronin një veprim borgjez, ekstravagant.

Kontakti i parë, z. Mula: Si ishte përballja me një formacioni të tillë muzikor?

Ajo dhe grupi i saj takoheshin për herë të parë me një publik të tillë dhe ardhja e saj sigurisht duhet të shkonte normalisht. Ishin marrë masat, ndonëse spektatori duke dëgjuar “rrethimi imperialist-revizionist, monarkët grekë”, etj., si këto, ishte i papërgatitur për këtë kontakt kulturor. Kështu ndodhi, nuk shkoi në atë mënyrë që të ngjallte entuziazmin popullor, por gjithmonë kishte një rezervë.

Keni qenë i pranishëm në të dyja koncertet, çfarë kujtoni ndonjë detaj të veçantë?

Koncerti i parë ishte më i ftohtë, pati njerëz që u ngritën ikën, situatë që nuk u kishte ndodhur në një vend tjetër. Në shenjë mosaprovimi për mënyrën si këndonte, ato pak gjeste shoqëruar me trup e duar, i ka revoltuar disa persona që lanë sallën. Një veprim që nuk kaloi pa u komentuar edhe nga vetë Marinela e grupi i saj që nuk e kanë kuptuar, motivin e largimit demonstrativ të tyre. Të nesërmen, në koncertin e dytë, gjithçka kishte ndryshuar, me tjetër atmosferë u përcoll ajo natë, e fundit e Marinelës në Tiranë. I kishin marrë masat edhe pas një prononcimi jo publik të Enver Hoxhës.

Por, ka edhe një spektator të zgjedhur?

Marinela gjeti një publik që e dashuronte, ndonëse thuhej intelektualë, inteligjenca kështu i quanin. Ishin planifikuar ata më të urtë, të përzgjedhur, porositur dhe që bashkëngjitur me ftesën e marrjes së një bilete kishte shënimin që të përmbahen, jo ovacione e duartrokitje të gjata entuziaste. Dhe ashtu ndodhi. Në pjesën e parë të programit ajo këndoi më gjithë zërin dhe zemrën ndaj një spektatori që u shfaq racional. Në pjesën e dytë ai reagoi pak më ndryshe.

Keni një vlerësim për të, profesioniste jo vetëm si këngëtare?

I dhanë një gjysmë stoli, por nuk u ul, e shoqëronte çdo hap e çdo lëvizje me dorë. E njihte shumë mirë kuadrin dhe kamerën. Këndoi për sallën, duke e ndjekur e ndihmuar edhe kamerën, regjisorin me lëvizjet e saj. Televizioni e kishte të lehtë ta fokusonte një këngë, vetë atë, pasi ajo të krijonte mundësinë duke bashkëpunuar me kamerën si një profesioniste e vërtetë, që vetëm ajo mundet ta bënte.

Z. Osman, koncerti nuk u transmetua direkt në TVSH, cili ishte motivi?

Koncerti u regjistrua në televizion me regjisor Mevlan Shanajn. Nuk u dha direkt për disa arsye: Për teknikën, ndonjë defekt, apo çfarë mund të ndodhte papritur, në sallë mund të kishte provokues etj. U dha më vonë duke eliminuar disa gjëra nga regjistrimi direkt. Të nesërmen e koncertit, sigurisht komentet do të ishin më aktive nga ata që e kishin parë, kishin qenë ën sallë. Ai u pëlqye shumë për njerëzit, që të nesërmen ishte frikë nga njerëzit ta diskutonin, komentonin, ta thoshin se i kishte pëlqyer. Në televizion në pikat e montazhit, koncerti u dëgjonte disa herë sepse e kishim të pamundur të mos e rishfaqnin atë. Nuk ngopeshim më zërin e saj.

Përse u pëlqye Marinela?

Sepse e tillë ishte këngëtarja, shumë e përgatitur, me ritme ndryshonte për t’i dhënë sallës disa herë gjendje të ndryshme emocionale. Një interpretim, mënyra e të kënduarit të Marineles me një shtrirje vokale të plotë, zë të mbështetur në një zbërthim ideo-emocional me fraza të përgatitura me kujdes ku shpesh dëgjoje momente të qeta, pastaj shpërthyese. Marinela, një nga këngëtaret më të mira të muzikës, personalitet i madh i interpretimit të këngës greke, me një paraqitej dinjitoze, mbresëlënëse për nga bukuria, estetika, artikulimit të fjalës dhe për një njeri që dinte gjuhën, ishte një mrekulli ta dëgjoje, ta shihje në skenë.

Një shfaqje, jo me partinë organizatore, si e gjykoni këtë interpretim?

Një moment kur shteti donte të tregonte se nuk ishte kryetari i partisë një menaxher, por shteti organizator i atij koncerti. Ardhja e saj nuk ishte lënë në dorë të një personi, pasi një shfaqje jo e organizuar nga qeveria, mund të ndodhte ndonjë incident, siç qe veprimin e disave, i cili doli jashtë kontrollit në ruajtjen e disiplinës. Pra, jo linja e partisë, pasi partia nuk përzihej, sepse partia ishte ideologjia. Ky ishte mesazhi i parë. Që të vinte Ramiz Alia, ai ishte udhëheqës i partisë, do të thoshte që kishte ndryshuar, modifikuar ideologjia me pranimin e këngëtarëve borgjeze, siç konsideroheshin këto me frymë liberale. Temat e tyre nuk janë ato që frymëzojnë njerëzit e punës e të veprave, siç propagandohej.

Për koncerte drejt jugut, por flitet për pritje jo miqësore?

Sikur u pat folur për një pritje protestuese në Tepelenë, nuk jam i sigurt, pasi e ngatërronin këtë ardhje të saj gati, gati diversante, me një mentalitet të tillë e kanë parë. Pastaj them se si mund t’i linte të dilnin? Me sa më kujtohet, një pjesë e spektatorit në qytetet e jugut, ku ajo dha koncerte e dinin gjuhën, e kuptonin atë, dhe komunikimi ka qenë tejet miqësor e mikpritës.

Z. Mula, e gjykoni ardhjen e saj, një strategji për ndryshim politik?

Ato koncerte janë të lidhura me strategjinë e Enver Hoxhës, për të rregulluar marrëdhëniet me Greqinë. Po përgatiste terrenin, pasi një vit më vonë shkoi në Dropull, një vizitë e njohur ku ai i përshëndeti dhe greqisht dhe pak më vonë ai botoi librin “Dy popuj miq”. Pra, për të zbutur raportet me fqinjët, Enveri vendosi duke ftuar një artiste, dhe ju propozua Marinella. Ajo është e para këngëtare perëndimore që ka ardhur në kohën e diktaturës.

Marinela nuk këndoi asnjë këngë shqiptare?

Boll që nuk kishte këngë kundër shqiptarëve, këto ishin kërkesat tona, siç shkoi perfekt kudo që Marinela këndoi. Vite më vonë, i pari që ka kënduar ka qenë Janis Parios. Sepse ai kishte orkestrantin e vet Jorgo Kacaruho, me origjinë shqiptare. “Eja, mo, beja moj”, me bazë ritmike të lehtë, një nga orkestracionet më të bukura, nuk ndryshoi asgjë. Janis me disa këngëtarë që e shoqëronin, ishte vetëm një përpunim që ngjalli interes, e këndoi salla. Marinela e Janis Parios ishin këngëtarë tipikë të muzikës së lehtë greke dhe secili la përshtypje, me jehonë shumë pozitive në njohjen e muzikës greke. Parios kur erdhi më vonë ishte më i lirë, marrëdhëniet ishin më të natyrshme, tjetër atmosferë.

Edhe artistët tanë japin shfaqje në Greqi?

Me ardhjen e Marinelës, të Janis Parios, u krijua mundësia që mund të shkëmbenim të tilla shfaqje, koncerte, GreqiShqipëri, me formacione të vogla. Ishin Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Luan Zhegu, Liljana Kondakçi, disa nga këngëtarët që kënduan në Greqi.

fgdg

© Panorama.al

Te lidhura