Flet drejtori Ilirjan Proko: Përfitojnë 954 familje që jetojnë në ambientet e ish-uzinave. Kredi për 1800 të pastrehë
Kreu i Entit të Banesave: Blerja e ndërtesave tona do bëhet me vlerën e kostos së ndërtimit
Sistemimi i kategorive të pastreha në banesa është fokusi i punës së Entit Kombëtar të Banesave, duke zbatuar dy programe paralele.
Në një intervistë për gazetën, kreu i Entit Kombëtar të Banesave, Ilirjan Proko, sqaron se programi i parë është ai i banesave sociale me kosto të ulët që ndërtohen nga vetë Enti dhe që qytetarët do t’i privatizojnë me koston e ndërtimit. Vetëm për Korçën, Shkodrën dhe Kavajën kanë përfunduar 135 apartamente, të cilat janë në fazë hipotekimi. Një tjetër program është ai i subvencionimit të interesave të kredive për blerje banese. Deri më tani, për katëgorinë e ish-pronarëve janë disbursuar 240 kredi, ndërsa rreth 760 janë në proces. Nga ana tjrtr, për ata qytetarë që janë dërguar nga këshillat bashkiakë, janë disbursuar gati 50 për qind e kredive, çka bën që të jenë në proces edhe një mijë kredi të tjera. Gjithsej rreth 1800 kredi janë në proces.
Si ka ecur puna e Entit në programet që po zbaton sa u përket banesave sociale me kosto të ulët? Si ka qenë kjo ecuri gjatë vitit 2011, duke qenë se tani bëhen edhe bilancet për punën e një viti më parë?
Gjithë puna ku fokusohet Enti këto kohë, është e përqendruar në tri programe paralele. Programi i parë dhe më i rëndësishëm është ai i ndërtimit të banesave me kosto të ulët. Enti ka përfunduar në fillim të këtij viti 3 banesa në Shkodër, Korçë dhe Kavajë me rreth 135 apartamente banimi, për të cilët ne jemi në fazën e hipotekimit të tyre dhe, menjëherë pas marrjes së certifikatës së pronësisë pranë hipotekave përkatëse, do të dërgojmë shkresën në këshillat bashkiakë përkatës për të bërë ndarjen e qytetarëve që do të përfitojnë. Ju duhet të dini që gjithë investimet kryhen nga Enti në bashkëpunim me bashkitë përkatëse. Janë ato që vendosin sheshe të lira në dispozicion për llogari të Entit dhe ndarjet e gjithë familjeve që do të sistemohen me strehim në këto banesa janë atribut i vendimmarrjeve të pushtetit vendor. Së dyti, këta qytetarë do t’i privatizojnë këto banesa me kosto të ulët. Ky është programi i banesave me kosto të ulët, ku qytetarët do t’i privatizojnë këto banesa me koston reale të ndërtimit, që sipas llogaritjeve tona, kostoja reale e këtyre banesave është 200-211 euro. Nëse themi që në Kavajë është 189 euro m2, në Korçë duhet të jetë 202-204 euro m2, ndërsa në Shkodër 210 euro m2. Kjo vlerë përfshin në totalin e saj koston e shpenzimit të kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra gjithë vlerën e investimit që ka kryer Enti tek këto banesa. Nëse një banesë ndërtohet në Tiranë dhe është 100 m2, nuk besoj se do i kalonte 20 mijë eurot dhe nuk është siç e ka sot Tirana, që kalon nga 50 mijë euro e më shumë.
Po projekti i kredive të buta, si po vijon? Sa kredi janë dhënë gjatë vitit 2011 për blerje banese, cila kategori ka përfituar më shumë nga subvencionimi dhe cilat janë objektivat për 2012-n?
Po pika e dytë ku është fokusuar Enti është subvencionimi i interesave të kredisë për qytetarët e pastrehë në Republikën e Shqipërisë. Këto janë ndarë në dy nënprograme. I pari që ngarkon në mënyrë specifike Entin Kombëtar të Banesave që të trajtojë me kredi të zbutur nga shteti gjithë familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, për të cilët EKB, deri më sot gjatë vitit 2010-2011 dhe në vazhdim, ka dërguar pranë bankës rreth 1 mijë familje. Pra, këto familje janë dërguar pranë kësaj banke për të përfituar kredi me zero për qind interes, sipas kushtit të parashikuar nga udhëzimi. Nga këto 1 mijë familje të dërguara në bankë, kanë tërhequr kredinë rreth 240 familje. Qytetari quhet që është përfitues i kësaj kredie të zbutur në momentin kur e merr këtë kredi, pra kur banka ia xhiron apo disburson fondet. Atëherë, ne e heqim nga lista jonë, menjëherë pas përfitimit të kësaj kredie. Enti Kombëtar i Banesave u dërgon bashkive përkatëse listat me emrat e qytetarëve që kanë përfituar dhe kërkohet që të hiqen nga database-i i tyre. Njëkohësisht, ne lajmërojmë edhe pronarin e banesës, në të cilën qytetari është sistemuar, sepse në bazë të udhëzimit, qytetari 30 ditë pas disbursimit të kredisë është i detyruar të lirojë shtëpinë. Thënë ndryshe, ne sot kemi liruar 240 apartamente, që u kanë kaluar pronarëve të ligjshëm.
Po ata qytetarë që sipas vendimit të Këshillit Bashkiak marrin kredi të zbutur për banesë, sa ka qenë numri i përfituesve?
Subvencionimi i kredisë për qytetarët që kanë përfituar me interes 3 për qind nëpërmjet vendimeve të këshillave bashkiakë të bashkive, është një tjetër nënkategori. Të gjithë qytetarët e tjerë, përveç kategorisë banorë në ish-pronë, kanë aplikuar pranë bashkive përkatëse dhe me vendimet respektive të këshillave bashkiakë kanë përfituar kredi të zbutur nga shteti me një afat likuidimi për 30 vjet, me 3 për qind interes. Nëse varianti banor në ish-pronë ishte 30 vjet me zero interes, kjo është për 30 vjet me 3 për qind interes. Për këtë kategori janë dërguar nga këshillat bashkiakë në gjithë vendin rreth 2 mijë familje. Gati 50 për qind e kanë bërë efektive këtë kredi dhe ne paguajmë rakordimin e subvencionit në bankë. Nga ana tjetër, njoftojmë bashkitë përkatëse për kredinë që ata kanë marrë, sepse një kopje e kontratës së kredisë që banka lidh, vjen automatikisht pranë Entit dhe, së bashku me atë që paguan qytetari, duhet të paguajë edhe Enti subvencionin për pjesën tjetër. Ne lajmërojmë pas kësaj këshillat bashkiakë, në mënyrë të menjëhershme, për të hequr nga lista ata që kanë përfituar. Natyrisht, Enti ka edhe një database të tij, që në çdo moment e vë në dispozicion. Në dijeninë time, ajo do jetë në faqen e internetit shumë shpejt, por me kod për çdo bashki për të marrë të dhënat në mënyrë elektronike. Në vijim vazhdon procedura e kreditimit. Gjithë këshillat bashkiakë vazhdojnë me procedurat e dhënies së këtyre kredive. Afati i procedurës për kreditë ka qenë një vit nga data e miratimit të këshillit bashkiak, në fakt është 6 muaj fiks, sipas udhëzimit dhe 6 muaj të tjerë e shtyn Enti në mënyrë të menjëhershme.
Cilat janë dokumentet që paraqiten në bankë për të përfituar këtë kredi, pas miratimit që jepet nga institucione siç është Enti?
Dokumentet që paraqiten në bankë janë një certifikatë familjare, vërtetim për gjendjen juridike, vërtetim për të ardhurat financiare dhe prona që do të vërë kolateral. Kredia merret veçse në momentin kur vendoset kolateral. Banka çon vlerësuesit e vet në gjithë objektin që ai ka zgjedhur. Pra, nëse një shtëpi 3 plus 1 në Tiranë është tek shuma 72 milionë lekë e vlerësuar sipas çmimeve të tregut, banka i jep 80 për qind të kësaj vlere dhe duhet që shtëpia të jetë në vlerën e 72 milionë lekëve.
Po para se të përfitohet kredia, domethënë para se të shkohet në bankë, cilat janë ato dokumente që paraqiten nga familjarët për të përfituar kredinë për blerje banese?
Familjarët do të plotësojnë një sërë dokumentesh për të përfituar kredi: dokument mbi të ardhurat neto të të gjithë pjesëtarëve të familjes që kanë përfituar kredi, certifikatë familjare, kopje të kartave të identitetit, vërtetimin mbi gjendjen gjyqësore dhe pika tjetër dokumentacioni mbi atë pronë që ai pretendon të blejë. Të gjitha banesat qytetarët i përzgjedhin vetë në tregun e lirë të banesave. Vlerësimi për tregun mbështetet te tabela e miratuar nga ne. Në rastin e Tiranës është bërë një rritje e vogël. Vjet ka qenë çmimi referues 84 mijë lekë, sivjet është 89 e 400. Kjo rritje ka ardhur besoj nga rritja e euros. Sigurisht që në parashikimet e veta qeveria ka pasur parasysh edhe ndihmën që do t’i jepej sektorit të ndërtimit, i cili ka vuajtur pasojat e krizës dhe nuk janë blerë shumë apartamente. Ky program i kreditimit të blerjes së banesave në një farë mënyre është bërë edhe për t’i dhënë një fluks sektorit të ndërtimit. Kështu që sot mund të themi që janë 1400 apartamente të blera nga sektori privat përmes këtij programi.
Si do të jetë programi i subvencionimit të interesit të kredive për blerjen e banesave për të pastrehët përgjatë këtij viti?
Procedura e kreditimit të familjeve vazhdon. Ne kemi planifikuar edhe gjatë këtij viti 2012 të njëjtën procedurë. Përgjithësisht, ecuria e projektit ka qenë me një ritëm të lartë. Nëse ne themi që në vitin 2010 kishim gati 600 familje që përfitonin për 2011-n, jemi pak më shumë se 800 dhe presim që për 2012-n numri të rritet akoma, pasi njerëzit ndërgjegjësohen më shumë dhe procedurat janë më të lehta. Por edhe në valën e sotme, ku gjithë apartamentet do të kalojnë në fazë hipotekimi, do të jetë akoma më e thjeshtë. Nëse sot ndërtuesi e ka hipotekën, nuk mendoj se shkon më shumë se një muaj kohë për të kryer procedurën. Vërtetimet e punës dhe pagës janë procedura që duan një ditë kohë. Negociata me pronarin e shtëpisë mund të kërkojë kohë dhe po i lëmë një muaj apo dy muaj dhe vendoset që (X) shumë parash do të paguhet nga unë dhe (X) shumë nga të ardhurat e familjarit. Madje, ne në shumicën e rasteve, edhe kur qytetari është në limitin e të ardhurave, sepse të drejtën e kontrollimit të të ardhurave e ka po këshilli i bashkisë dhe bashkia që ta miraton dhe ka një limit për të miratuar këto të ardhura, në marrëveshjen që ka bërë Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Financave është lënë dhe mundësia e dorëzanisë dhe funksionon në mënyrë perfekte.
Kreditë për blerje banese në të gjithë vendin
Nr. Bashkia Nr. i Nr. i familjeve Kreditë me 3% Total 0% e 3%
Familjeve të që kanë
dërguara lidhur kontratë
në BKT me BKT1 Tiranë 470 113 146 259
2 Durrës 42 12 5 17
3 Shkodër 140 35 0 35
4 Kavajë 17 10 11 21
5 Vlorë 92 14 68 82
6 Korçë 30 9 107 116
7 Gjirokastër 27 8 46 54
8 Elbasan 9 1 0 1
9 Pogradec 24 9 34 43
10 Berat 6 1 37 38
11 Kuçovë 29 3 10 13
12 Shijak 38 15 0 15
13 Krujë 1 1 22 23
14 Peshkopi 18 1 50 51
15 Librazhd 1 1 18 19
16 Peqin 2 1 17 18
17 Bilisht 0 0 0 0
18 çorovodë 0 0 0 0
19 UraVGurore 1 1 0 1
20 Fier 1 1 113 114
21 Roskovec 3 0 0 0
22 Ballsh 0 0 0 0
23 Burrel 1 0 0 0
24 Rëshen 2 2 23 25
25 Sarandë 12 4 52 56
26 Delvinë 13 7 9 16
27 Përmet 6 0 0 0
28 Erseke 0 0 0 0
29 Këlcyrë 4 1 0 1
30 Poliçan 4 0 0 0
31 Libohovë 1 0 0 0
32 Rrogozhinë 4 4
33 Kukës 94 94
34 Lezhë 73 73
35 Laç 25 25
36 Lushnjë 25 25
37 Bilisht 12 12
38 Gramsh 10 10
39 Kamëz 5 5
Total 994 250 1016 1266Rreth 104 familjë janë me interes 4 për qind
Rreth 11 familje janë me 0 për qind interes
Totali 1386 familje që kanë përfituar
Godinat e zaptuara, si do të hipotekohen apartamentet
Enti: Nga privatizimi fitojnë 954 familje, sa do paguajnë për truallin e shtëpinë
Enti Kombëtar i Banesave është duke punuar njëkohësisht edhe me sistemimin e lidhjen e kontratave të privatizimit me të gjithë ata qytetarë që përfitojnë sipas vendimeve të qeverisë. Bëhet fjalë për atë kategori që është sistemuar dhe jeton në ish-objekte shtetërore, të cilat janë përshtatur nga qytetarët si banesa. Në total, sipas Entit, nga 11 vendimet që kanë dalë deri më tani, janë identifikuar mbi 900 njësi banimi, ku me pothuajse gjysmën është lidhur kontrata e privatizimit. “Në fakt, ne kemi evidentuar deri tani 954 njësi banimi, për 450 nga të cilat kemi lidhur kontratën e privatizimit, pjesa tjetër ose është në procedurë, ose është në fazë ku ne jemi duke marrë certifikatën e pronësisë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, shprehet Proko. Ai thekson se për të kryer këto privatizime, ka një sërë procedurash standarde për të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, por pavarësisht punës voluminoze është bërë e mundur që procesi i privatizimit të ecë me ritme të kënaqshme. “I kemi plotësuar procedurat e nevojshme për 95 për qind të gjithë këtyre vendimeve të qeverisë dhe në gati për 90 për qind i kemi marrë certifikatat e pronësisë dhe jemi në fazë pune. Pjesa tjetër është në dalje e sipër të certifikatave”, vlerëson kreu i Entit. Ai sqaron se për të privatizuar një njësi banimi në këto ish-objekte shtetërore, duhet që të bëhet edhe një pagesë e cila është minimale. “Privatizimi i objektit është njësh total për gjithë qytetarët, ndërsa për truallin ligji presupozon që privatizimi bëhet sipas të ardhurave për frymë që ka çdo familje. Nëse ai ka të ardhura 9 mijë lekë për frymë, privatizimin e truallit e merr me zero lekë; Nëse të ardhurat janë nga 9-14 mijë lekë për frymë, privatizimi bëhet me gjysmën e vlerës së truallit. Nëse janë mbi 14 mijë lekë për frymë, privatizimi i truallit bëhet sipas vlerës së plotë të truallit”, shprehet Proko. Ai shpjegon se e gjithë procedura e privatizimit nuk kalon 10-15 ditë. Qytetarët kanë në dorë që të shlyejnë menjëherë vlerën që duhet të paguajnë, por kanë edhe mundësinë e pagesës me këste për 25 vjet dhe me një interes me 2 për qind çdo vit. Interesi në fakt përfshin inflacionin dhe jo fitimin e Entit.
Vendimi i qeverisë
Në maj të vitit të kaluar, qeveria përmes një VKM-je uli në 30 për qind vlerën e privatizimit të objekteve. Kjo detyroi Entin që ato kontrata që ishin lidhur në muajt dhjetor-prill të rivlerësohen. “Vendimi presupozon që gjithë këto objekte të privatizohen sa 30 për qind e vlerës së parashikuar nga Enti në vitin 1995, që i bie që çmimi referues për metër të jetë 4.5 mijë lekë të vjetër”, shprehet Proko.
Dokumentet
Qytetarët që janë të interesuar të privatizojnë njësinë e banimit ku jetojnë që i përket një ish-objekti shtetëror dhe që kjo e drejtë privatizimi i është dhënë nga qeveria, duhet të paraqesin edhe një sërë dokumentesh pranë Entit. Në thelb, këto dokumente përfshijnë dokumentacionin që vërteton të ardhurat, pra vërtetim për ata që janë në punë, për ata që janë pa punë dhe një deklaratë noteriale që ky deklarim dokumentacioni është i rregullt dhe i ligjshëm. Enti në një moment të dytë bën verifikimin e këtij dokumentacioni dhe, në rast parregullsie, qytetari penalizohet e mban përgjegjësi sipas specifikave që cakton ligji.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











