Energjia dhe apatia përmes Foltoresh

Dec 5, 2025 | 9:30

NGA REDI SHEHU REDI SHEHU

Drunjëzimi i dëshirës për shprehje është shkalla e epërme e degradimit të mendimit intelektual për shkak të emancipimit të kotësisë në nivele alarmante. E tani, teksa qenia anon kah dëshira për shpërthim, ngjarjet dhe kuptimi i tyre banalizohet në të pafundmen përsëritje. Kështu, të shprehurit nuk është më art me të cilin t’i pikturon mendimin, por thjesht një punë që degradon në rutinë. Është saktësisht ajo që ndodh me politikën tonë, e cila degradon mendimin intelektual dhe analitik me përsëritjen deri në marri’ të vetvetes. Nga njëra anë kemi qeverisjen, e cila ndodhet në momentin më të dobët politik. Me zëvendëskryeministren, e cila po bën provat gjenerale të adaptimit me kangjellat e qelisë dhe të një kryeministri që kurrë më parë nuk kishte provuar hidhtësinë e prokurorëve kaq afër kopshtit shumëkatësh prej druri në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë. Nga krahu tjetër, një opozitë e cila përsërit veten në kotësinë e saj, tërësisht e pafuqishme në dëshirë të përfitojë nga momentumi politik për ta dërrmuar kundërshtarin pas knock out-it alla SPAK.

Sot, në vitin 2025, pas katër vitesh nga Foltorja 1.0, Berisha shprehet se “do zgjerojmë hapësirat, për mendim, për të rinjtë, për debatin”. Një deklaratë e tillë bëhet pasi ai sapo ka filluar Foltoren 2.0. Kjo deklaratë është vetakuza më domethënëse që tregon pikërisht atë që kemi thënë prej kohësh, që këto domosdoshmëri që ai përmend, nuk janë bërë kurrë dhe nuk ka dashur kurrë që të bëhen. Po përse pas katër vitesh, ai detyrohet të shprehet kështu? Sepse brenda PD-së, një lëvizje normale për logjikën më të thjeshtë politike, po merr udhë. Grupi i politikanëve më të votuar të PD-së vendosën të shfaqin haptazi kundërtezën e tyre se, rinovimi dhe fuqizimi i Partisë Demokratike është emergjenca më parësore se lufta me regjimin. Ata vendosën të shqyenin pëlhurën hipnotizuese me të cilën lidershipi demokrat kishte mbështjellë mediatikisht kokat e të gjithëve duke vënë rrëzimin e Ramës si domosdoshmëria parësore mbi riformatimin i PD-së disa herë humbëse.

Kështu, me aksionin politik të z. Salianji-Alimehmeti, të cilët vendosën të fillojë një foltore me demokratët e Durrësit, të mbështetur edhe nga të tjerë të votuar të PD-së, krijoi një tronditje me voltazh të lartë brenda kryesisë apatike berishiste. Sa herë që Berisha është ndjerë i rrezikuar, aq herë ai i është kthyer parimeve dhe hapave të saktë politikë. Në Foltoren e parë ai foli për hapje, për të dëgjuar zërin e të gjithëve, për afrimin e rinisë, të ekselencave, sjelljen e zërit të demokratëve në podiumin e politikës së partisë etj.. Sapo mbaroi punë me rizaptimin e partisë, iu kthye metodës së vjetër të shtypjes dhe tribalizmit politik. Tani që rrezikimi i kolltukut i vjen nga brenda, u kthehet përsëri metodave të duhura për përmirësim politik. Kjo konfirmon faktin se ai e di si PD mund të përmirësohet, por kostoja e këtij përmirësimi është edhe vetë pushteti i tij mbi këtë parti. E këtu, politika banalizohet në të pafundmen përsëritje dhe kotësia arrin nivelet alarmante.

Kthimi te baza e partisë është akt i përhershëm demokratik, i cili zhbën shkallën e epërme të degradimit politik. Kontakti me bazën është kontakti me burimin e fuqisë politike, ai është gjithmonë më i shëndetshmi dhe më i duhuri. Kur ky kontakt kthehet në filozofinë e partisë, në pulsin me të cilin ajo gjallon, atëherë funksionimi dhe fuqia e saj është e paparashikueshme. Ky kontakt është matësi i uthullimit ose jo të partisë, i degradimit ose jo të moralit të saj. Shkëputja prej bazës bëhet vetëm atëherë kur qëllimet politike kthehen në qëllime personale, atëherë kur partia nuk është një grup i emancipuar njerëzish me bindje dhe besime të ngjashme, por një fis politik me paragjykime dhe përfitime të ngjashme.

Tani pas katër vitesh nuk kemi një Foltore, por dy të tilla. Nëse Fotorja e parë e Berishës arriti të prodhojë energji politike në spektrin e djathtë, për të dytën apatia duket se është karakteristikë e saj. Foltorja e dytë e tij përballet me një energji tjetër politike, atë të Foltores Salianji. Këtu do të përballen energjia dhe apatia, të cilat do thjeshtojnë njëra-tjetrën. Kjo padyshim do të jetë edhe prova më reale nëse votuesit e djathtë kanë braktisur vërtet berishizmin apo mungesa e votave të djathta ka qenë manipulim dhe vjedhje e regjimit. Kafja e më të votuarve të PD-së disa ditë më parë, ishte shprehje e qartë e institucionalizimit të ndjenjës së përgjegjësisë karshi apatisë, mosdëshirës dhe marrëveshjeve të lidershipit të fosilizuar demokrat me qeverinë dhe kryeministrin. Kjo, herët a vonë do të ndodhte. Kjo pritej.

Takimi i Durrësit është konfirmimi për të disatën herë se e djathta shqiptare e ka në fibrën e vet politike emancipimin dhe inxhinierimin e ndryshimeve pozitive. Salianji dhe grupi i tij folën qartë për “orën e kurajës, përgjegjësive dhe vendimeve të mëdha”. Kjo shpreh qartë për një bindje për të sakrifikuar dhe jo një aventurë politike “Instagram”-i. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë dhe do të marrë përmasa serioze, atëherë për herë të parë në historinë 35- vjeçare të Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk do të këtë më ekskluzivitetin e opozitës shqiptare. Kjo për të është vërtetë një arsye e fortë për t’u shqetësuar.

Më 30 prill, Partia Demokratike ka zgjedhje të strukturave të saj, përfshirë edhe mbarimin e mandatit të kryetarit të vet. Foltorja Salianji-Alimehmeti do të përballet me makinerinë më të sofistikuar brenda partisë për ta mbytur dhe izoluar atë. Ama, ajo që vërtet do të vlente, është fakti se do të ketë konkurrueshmëri dhe oferta reale brenda PD-së. Jo çdo çarje apo mendim ndryshe vjen për të dëmtuar partinë. PD është aq e dëmtuar dhe degraduar sa çdo aksion, mendim apo organizim ndryshe vetëm se e ringjall dhe fuqizon atë, e nxjerr nga dekadenca dhe jep një perspektivë të djathtës. Sigurisht, këtu do të shihet qartë se sa Berisha dhe fisi i tij politik kanë primare luftën ndaj pushtetit apo luftën për pushtetin brenda partisë.

Foltorja 2.0 berishiste pas katër vitesh nuk ka çfarë ofron më demokratëve. Ajo do të përballet me atë të Salianji-Alimehmeti që vijnë me një imazh të ri dhe energji të reja. Kësaj radhe KOP-i nuk është prodhim i Berishës, por dalje e natyrshme e njerëzve dhe energjive të reja, pa skema dhe dirigjentë pas perdeve.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura