Më në fund, lajmet e herëpashershme për Eneda Tarifën dhe shtatzëninë e saj të supozuar tashmë kanë pohimin e vetë këngëtares. Artistja e njohur dhe moderatorja e suksesshme e spektaklit të humorit në “Top Channel”, “Portokalli”, ka pohuar për gazetën “Panorama” e lumtur: “Po, jam shtatzënë”. Eneda, përveç shfaqjes së përjavshme në “Portokalli”, këndon në fundjavë në club-in më të ri “Rockstoc” në Tiranë, së bashku me Elton Dedën, Kamela Islamajn dhe Marsela Çibukajn. Ajo pohon se kjo shtatzëni nuk do e kufizojë për punën, dhe se aktiviteti i saj artistik do të vazhdojë normalisht. “Jam shumë mirë, sapo kam hyrë në muajin e katërt të shtatzënisë dhe nuk po heq asgjë nga aktiviteti im artistik me koncertet, aktivitetet të tjera dhe “Portokallinë”. Më tej, Eneda sqaron se ka preferuar të vazhdojë jetën intensive: “Nuk dua të bëhem si e fiksuar, shtatzënia për mua është një gjë normale që e prisja, dhe mendoj që me punë kalohet më lehtë”, pohon ajo. Ndërkohë që ky është pohimi i parë që bën Eneda për këtë ndryshim të ri në jetën e saj personale, ndërsa pret të bëhet nënë për herë të parë. “Nuk isha e gatshme ta deklaroja shtatzëninë time për mediat, pasi ende s’i kisha mbushur tre muaj dhe ndoshta ishte çështje supersticioziteti derisa të kalonte faza e vështirë, ndërsa dihet që janë tre muajt e parë”, pohon Eneda. Më tej, ajo tregon se “ende nuk shihet seksi i fëmijës, por ajo rëndësi ka që fëmija është shumë mirë dhe që tani duket një bebe shumë e lëvizshme”, tregon ajo. Ndërkohë që ky është një fëmijë që vjen në jetë nga bashkëjetesa e saj me kompozitorin e njohur Erion Zaloshnja, me të cilin ka një histori 15-vjeçare dashurie. Për këngëtaren nuk ka qenë e nevojshme aspak një ceremoni martese apo celebrimi, për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë. Eneda pret të bëhet nënë për herë të parë në moshën 30-vjeçare, që konsiderohet mosha ideale për të gjitha vajzat e ekranit, që ndihen edhe të realizuara në karrierë. Përveç suksesit të saj si këngëtare, ajo moderon për herë të katërt show-n e humorit “Portokalli”, së bashku me Salsano Rrapin. Ndërkohë që ajo në intervistat e saj gjithmonë e ka konsideruar këtë eksperiencë të re një dritare të bukur në karrierën e saj televizive, pas 15 viteve sukses në muzikë. Po aq vite muzikë numëron dhe historia e saj e dashurisë me Erionin, histori e cila tashmë do të marrë një kuptim tjetër me sjelljen në jetë të fëmijës së parë. Lidhja e tyre është komentuar vazhdimisht nga mediat e shkruara, shoqëruar dhe me intervista të vetë këngëtares. Në një rrëfim të fundit të gazetës “Panorama” për lidhjen e saj me Erionin, Eneda pohoi se: “E vërteta është se ne kemi kaluar ato krizat e një lidhjeje, por përsëri i kemi tejkaluar. Me kalimin e viteve kemi kuptuar se ne nuk rrimë dot pa njëri-tjetrin. Është një ndjenjë që e kemi mbajtur gjallë me shumë kujdes duke larguar tundimet që na rrethojmë, ndërkohë që nuk kemi pasur ndonjë kërcënim real. Lidhja jonë është vendim, edhe pse vazhdimin nuk mund ta parashikoj”. Për sa i përket martesës, Eneda pohon: “Nuk e kemi planifikuar, pasi për ne të dy që bashkëjetojmë martesa është një konvencion. E rëndësishme është që ne do bëjmë një festë thjesht për qejfin tonë, por s’kemi vendosur se kur”.











