Një artiste që i është kushtuar kujdesit për kafshët. Ena Bulku është koordinatore për adoptimin pranë organizatës “Animal Rights in Albania”. Krijimi i organizatës, paragjykimet dhe procedurat e adoptimit të një qeni apo maceje të braktisur
T’i kushtosh vëmendje kafshëve të braktisura në rrugë, të shpenzosh para nga xhepi personal për t’i joshur me pak qumësht apo mish, t’i dërgosh tek veterineri për mjekim në rastin e kafshëve të plagosura, apo vaksinim rutinë, mund të tingëllojë teprim i kohëve moderne, teksa numërohen qindra familje shqiptare me të ardhura minimale dhe mungesa të theksuara të nevojave jetike. Por, Ena Bulku, aktiviste për të drejtat e kafshëve dhe një nga themelueset e organizatës ARA (Animal Rights in Albania), tregon përpos sipërmarrjes në grup, njëherësh edhe pozicionin e saj si koordinatore e adoptimit të kafshëve në familjet shqiptare. Përpjekjet për të përmirësuar sadopak kulturën e cenuar të kujdesit ndaj qenve apo maceve, dhe për më tepër shansi për t’u krijuar atyre një strehëz familjare, kanë në themel thjesht dashurinë për kafshët dhe ndjenjën e humanizmit njerëzor. Ena tregon për jetën e saj, e cila rrotullohet rreth këtyre kafshëve, përvojën personale të adoptimit të shumë prej tyre, lidhjen shpirtërore me to dhe nevojën për të përmirësuar njëfarësoj realitetin dyshues shqiptar përkundrejt kafshëve të braktisura.
Ena, si lindi ideja për krijimin e shoqatës në mbrojtje të të drejtave të kafshëve, e njohur si ARA-s (Animal Rights in Albania)?
Ka lindur si ide e një grupi vullnetarësh. Gjithnjë kam qenë natyrë, që kur shihja një mace apo qen të braktisur në rrugë, përpiqesha t’i blija një salsiçe, qumësht. Ndërsa, në Ditën ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, 3 tetor 2010, mësova se do të zhvillohej një marshim në kryeqytet. Shumë entuziaste për këtë nismë, por që së bashku me një grup individësh të tjerë gjykuam që të mos e linim vetëm në kuadrin e një marshimi të thjeshtë. U bashkuam disa të rinj me interesa të përbashkëta, në mbrojtjen e të drejtave të kafshëve dhe kësisoj lindi ideja e ARA (Animal Rights in Albania), organizata e vetme e këtij lloji në Shqipëri.
Nuk tingëllon paksa e tepruar në një kohë kur qindra familje shqiptare jetojnë në varfëri të tejskajshme, në pamundësi të plotësimit të nevojave jetike?
Hezitimet e fillimit nuk kanë munguar. Madje, shumë individë na kanë përbuzur. Meqenëse ka shumë njerëz që vuajnë edhe për bukën e gojës, ne marrim guxim t’u vijmë në ndihmë kafshëve. E thënë kështu, tingëllon pak “vulgare”, por deri diku i mirëkuptojmë, sepse nuk janë mësuar me kulturën e kujdesit ndaj një kafshe. Por, dashuria për kafshët dhe mbështetja e një çifti veterinerësh këtu në kryeqytet, dhe disa dyqaneve me ushqime enkas për kafshë, na shtyu drejt krijimit të kësaj organizate. Tek e fundit, asgjë nuk kishim për të humbur…
Si i siguroni të ardhurat?
Nuk bëhet fjalë për fonde të posaçme të dhëna nga qeveria, apo financime nga individë të përcaktuar. Absolutisht jo. Kam përfunduar studimet në Akademinë e Arteve, pikturoj dhe me të ardhurat që fitoj nga shitja e ndonjë pikture, mundësoj vaksinimin, sterilizimin apo blerjen e ushqimeve për kafshët.
Ju merreni me adoptimin e kafshëve, si funksionon kjo procedurë?
Ne i nxjerrim online fotografitë e kafshëve për adoptim. Vendosim të dhënat personale, fotot respektive të qenit apo maces e mandej person at e interesuar më shkruajnë në e-mail. Zhvilloj takimin e parë dhe, pas pyetjeve për moshën, për historikun e familjes me kafshët, për faktin nëse ka persona alergjikë apo jo, vendoset adoptimi i kafshës. Sigurisht, nëse shoh një afeksion të menjëhershëm dhe jo rrudhje buzësh, kushtet e favorshme në shtëpi për të mbajtur një kafshë, menjëherë plotësojmë një formular adoptimi. Me kalimin e ditëve, kam të drejtë të bëj një vizitë të paralajmëruar në ambientin ku mbahet kafsha, dhe nëse shoh parregullsi e kushte aspak të favorshme, e rimarr kafshën me vete.
Keni preferenca për adoptuesit?
Mosha mesatare e individëve që zgjedhin të mbajnë një qen apo një mace në shtëpi, është kryesisht 25 vjeç e sipër. Por, ka edhe familje me fëmijë të rritur që kanë interesin e tyre për të marrë një kafshë. Ka ndodhur që jemi përballur me hezitime nga më të çuditshmet që, kur e kanë parë kafshën nga afër, nuk u është dukur aq e bukur sa nga fotoja, dhe e kanë dorëzuar. Kjo është një situatë tepër e sikletshme, sepse pas mbajtjes në shtëpi për disa ditë të kafshës, ajo krijon afeksion dhe e ka të vështirë shkëputjen nga mikpritësit familjarë. Gjithsesi, kemi pasur sukses në procesin e adoptimeve, ku numëroj rreth 300 mace dhe qen të adoptuar në më pak se një vit.
Po ndërkohë te ne vazhdon ende metoda e vrasjes së qenve “rrugaçë”…
Menduam se kishte reshtur kjo punë. Dëgjuam disa zëra që është një kamion me kafaze që i mblidhte këto kafshë, dhe që nuk dihet se ku përfundonin. Kemi komunikuar me Institutin e Veterinarisë se mbase ato grumbulloheshin për t’u vaksinuar e matrikuluar, por ata u shprehën se nuk ekzistojnë fonde të posaçme për këtë nismë. Atëherë, lind pyetja se ku përfundojnë këto kafshë. Ndodh që ato i vrasin, dhe më pas i djegin. Në ditët në vazhdim, kemi menduar për organizimin e një proteste para Bashkisë.
Atëherë si i bëhet me lukuninë e qenve që mbushin rrugët?
Ka shumë qenë që shqetësojnë banorët gjatë natës me të lehurat e tyre dhe ky është një realitet i pastër. Jemi përpjekur të lidhemi me Bashkinë për të krijuar një strehë, ku të mblidhen këto kafshë, të sterilizohen, dhe të vaksinohen, por asnjë përgjigje. Tek e fundit, kafshëve të sëmura t’u jepet fund, kësisoj pengohet edhe përhapja e sëmundjeve si leshmanioza apo zgjebja, të cilat janë lehtësisht të përhapshme tek njerëzit. Nëse flasim për qentë e racës, siç është edhe pit bull-i, një kafshë tepër e rrezikshme, që kafshon edhe të zotin, atëherë kjo situatë duhet studiuar. Nëse qeni kafshon një qytetar të rastësishëm, ekzistojnë edhe penalizime, me gjobë deri në 200 mijë lekë të vjetër. Dhe kjo pjesë, di që është e përcaktuar edhe me ligj.
Përveçse të merreshit me kafshët e rrugëve, nuk mund të zgjidhnit diçka tjetër?
Që në momentin që kam lindur, në familjen time kemi mbajtur disa kafshë. Kam pasur ndjenjën e përgjegjësisë për t’i ushqyer apo për t’i pastruar ato. Jam ushqyer me dashurinë për kafshët, dhe gjithnjë jam përpjekur që të marr kafshë nga rruga, jo ato të racës. Sepse ato marrin frymë njësoj si një mace persiane, apo qen Aski. Dashuria për kafshët qëndron në themel të nismës sime, e disa miqve të mi, pjesë e ARA-s.
VIP-at, marshim për të drejtat e kafshëve
Në Ditën Botërore të Kafshëve, organizata shqiptare “ARA”, në mbrojtje të të drejtave të tyre, organizoi një marshim në qendër të kryeqytetit. Pjesëmarrja ishte e konsiderueshme, ku përveç themeluesve të organizatës, kishte edhe shumë të rinj, prindër dhe fëmijë të grupmoshave të ndryshme, tek të cilët dashuria për kafshët ishte mbi çdo interes. Gjithashtu, në këtë ngjarje në tavolina të posaçme ishin vendosur piktura, libra apo lodra me qëllim shitjeje, në mënyrë që me paratë e përfituara të bëhej e mundur blerja e ushqimeve për kafshët e grumbulluara në qendër, vaksinimi apo mjekimi i tyre tek veterinerët. Të pranishëm në këtë event ishin edhe personazhe publikë, si: Bledi Strakosha, Adrian Gaxha, Marjana Kondi e Fabian Basha i “Produkt 28”, të cilët njihen botërisht për interesin dhe dashurinë e tyre për kafshët që mbajnë në shtëpi, por që njëherësh ishin në pozicionin e ambasadorëve të kësaj organizate në vendin tonë.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











