Policia dhe Prokuroria e Sarandës kanë penguar ceremoninë mortore të familjarëve të një 40-vjeçari, i cili kishte humbur jetën në rrethana të paqarta, teka ishte gjendur i vdekur në banesë t shtunën, vetëm 4 ditë pas kthimit nga Greqia.
Shërbimi funeral i njoftuar nga familjes në Sarandë kishte shkuar për shërbimet mortore, por organet ligjzbatuese ndërhynë, sepse familja e të ndjerit Gerti Kallojeri, nuk kishte raport mjekësor për vdekjen. Për këtë qëllim është kërkuar nisja e trupit drejt Tiranës, për ekspertim në Mjekësinë Ligjore.
Sipas burimeve policore, mësohet se 40-vjeçari kishte rreth katër ditë që kishte ardhur nga Greqia, ku punon prej vitesh. Ka qenë nëna e tij ajo që e ka gjetur mesditën e të shtunës të birin të pajetë në shtëpinë e tyre, në Ksamil.
Familjarët nuk njoftuan as spitalin dhe as policinë për fatkeqësinë, që të kryheshin procedurat e rastit për shkaqet e vdekjes, por kërkuan shërbimin funeral. Ky i fundit kishte shkuar për të bërë gjithçka gati për varrimin, pa kërkuar asnjë raport mjekësor që të lejonte varrimin e 40-vjeçarit.
E informuar, në këto kushte, Prokuroria e Sarandës dhe Policia, e cila shkoi në banesë për të ndjekur nga afër rastin, pas hetimeve të kryera pengoi varrimin e 40-vjeçarit dhe pas urdhrit të lëshuar prej tyre u krye edhe transportimi i trupit me ambulancë drejt Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për ekspertizë.
Të pyetur nga specialistë të hetimit, përfaqësuesit e shërbimit funeral mësohet se janë shprehur:
“Na njoftuan familjarët që i kemi bërë veprimet ligjore. Ndërsa nuk kanë parë me sy asnjë raport ku të lejohej varrimi i tij”.
Gjithashtu mësohet se edhe nga ana e familjarëve nuk pati asnjë pretendim. Ngjarja është nën hetim aktiv, si për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së Kallojerit, ashtu edhe për fshehjen e ngjarjes nga familjarët.
© Panorama.al












