GJIROKASTER – Makina e emigrantit përplas për vdekje kalimtarin 67-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë në kthesën e Bodrishtës, kur automjeti tip “Audi 80” me targa greke INB 87 88 po qarkullonte me shpejtësi në drejtim të Kakavijës, çka rezultoi fatale për jetën e minoritarit nga Bodrishta, Thoma Qirko. Pas përplasjes fatale, drejtuesi i mjetit, Spartak Rapi, ka ndaluar duke i dhënë ndihmën e parë viktimës dhe njëkohësisht ka vënë në dijeni Policinë e Gjirokastrës dhe spitalin rajonal. Viktima sapo kishte zbritur nga një autobus që vinte nga kryeqyteti grek dhe po bëhej gati të kalonte rrugën për të shkuar në drejtim të fshatit të tij. Nxitimi për të kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin pa kontrolluar më parë lëvizjen e mjeteve në të, i kushtoi mjaft Thoma Qirkos. p.n











