Emigrantët kalojnë natën në kufi

Jan 9, 2012 | 11:33
Fluksi i makinave mbrëmë në Kapshticë

Mbrëmja e së dielës ka gjetur në radhë me qindra emigrantë shqiptarë, të cilët kanë tentuar të hyjnë në shtetin grek përmes pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Pavarësisht se i janë drejtuar kësaj dogane prej orëve të paradites apo në mesditë, burra, gra, pleq e fëmijë thuajse kanë kaluar gjithë natën në pritje për të kaluar përtej traut të kufirit. Të vendosura njëra pas tjetrës mjetet janë mbajtur në radhë për kryerjen e procedurave të kalimit. Territori doganor ka qenë i mbushur nga mjetet për shkak të përfundimit të afatit të qëndrimit të emigrantëve, të cilët familjarisht kanë nisur udhëtimin drejt shtetit helen. Dita e diel ka shënuar fluksin më të madh edhe për faktin se sipas emigrantëve, data 8 janar ka qenë afati i fundit i qëndrimit dhe të gjithë duhet të jenë në vendet e punës dhe fëmijët të rinisin mësimin pas festave. Ditën e djeshme, radha kalonte mbi 1 kilometër, duke krijuar shqetësime tek emigrantët, të cilët kanë qëndruar në pritje, në kushtet e dëborës dhe temperaturave disa gradë nën zero. Largimit të menjëhershëm të emigrantëve i është shtuar dhe ritmi i ulët i punës së palës greke dhe numri i reduktuar i sporteleve. Pala greke ka punuar vetëm me 4 sportele, kundrejt kapacitetit maksimal të numrit të sporteleve me të cilat kryen përpunimin e dokumentacionit pala shqiptare. Duke qenë se e diela ka shënuar edhe fundin zyrtar të festave, pasi 9 janari është edhe dita kur rinis procesi mësimor për të gjithë fëmijët e emigrantëve, të cilët ndjekin mësimin në shkollat e shtetit grek, pasditja dhe mbrëmja e së dielës kanë regjistruar edhe probleme në kalimin përtej traut të kufirit në këtë pikë. Mbi 500 mjete dhe dhjetëra autobusë të linjave ndërkombëtare kanë qëndruar në radhë për mëse 4 orë, para se të mund t’i afroheshin sporteleve të përpunimit të dokumentacionit. Pas mesditës e deri në orët e vona të mbrëmjes, pala greke, pavarësisht fluksit ka punuar me 3-4 sportele në hyrje, duke krijuar edhe vonesa të shumta gjatë kontrollit të dokumentacionit. Sipas informacioneve të marra për lëvizjen në 24 orët e fundit, mbi 9500 emigrantë kanë kaluar kufirin përmes kësaj pike doganore duke shënuar kështu një rekord daljesh. Udhëtarët kanë shprehur shqetësimin e tyre për vonesat gjatë procedurave të kalimit, pasi me radhët e krijuara u takonte të kalonin dhe orët e parë të ditës së sotme në kufi.

9500 veta kanë kaluar nga pika kufitare e Kapshticës vetëm gjatë së dielës, duke shënuar pikun e fluksit që nga nisja e kthimeve të emigrantëve drejt Greqisë

KAKAVIJE: Gjatë së dielës largohen në Greqi 7200 veta
GJIROKASTER – Ndonëse është pika më e madhe kufitare me Greqinë dhe me një fluks të konsiderueshëm udhëtarësh, Kakavija nuk ka shënuar radhë të mëdha. Që nga fillimi i së dielës e deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nëpërmjet kësaj pike kaluan drejt Greqisë 7200 persona dhe 1690 mjete. Mësohet se pala shqiptare po punon me 7 sportele në dalje dhe 4 në hyrje, ndërsa ajo greke me 3 në dalje dhe 4 në hyrje. Ky fluks shkaktohet prej emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi, të cilët kanë qëndruar deri në ditën e fundit të pushimeve në vendlindje. Sot është dita e parë e shkollës e këtij viti në arsimin grek, ku mësojnë fëmijët e emigrantëve.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura