Emigrantët i marrin vendet e punës britanikëve

Jan 10, 2012 | 19:24

Një raport tronditës për britanikët ka treguar se ata kanë humbur rreth 160,000 vende pune gjatë dhjetë viteve të fundit, duke u zëvendësuar me punëtorë emigrantë.

Të dhënat janë publikuar sot nga një studim i pavarur i Komitetit Këshillues të Migrimit.

23 vende pune më pak për punëtorët britanikë për çdo 100 emigrantë nga jashtë BE-së, saktëson raporti.

Siç raporton Daily Mail, ky studim vjen në kundërthënie me raportin e Institutit Kombëtar të Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale, ku thuhej se numri i emigrantëve që vijnë në Britani të Madhe ka pasur ndikim të pakët ose aspak ndikim në numrin e të papunëve.

Në raport thuhet se që nga zgjerimi i Bashkimit Evropian në vitin 2004 shifrat e papunësisë janë rritur në Britaninë e Madhe, e cila tashmë mund të prekë shifrën 1 milionë.

Raporti tregoi gjithashtu se çmimet e banesave dhe qirave janë duke pësuar rritje nga numri i madh i emigrantëve që vijnë në Britani. Rritja është më e ndjeshme në Londër dhe në rajonet e Skocisë.

© Panorama.al

Te lidhura