Një raport i publikuar së fundmi nga Kombet e Bashkuara ka nxjerrë në pah një përfundim shqetësues, ku pavarësisht përparimeve në përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, emetimet e gazeve serrë në mbarë botën vazhdojnë të kenë një trend në rritje.
Sipas raportit vjetor “Gjendja e Veprimit për Klimën”, përdorimi global i qymyrit arriti një rekord historik vitin e kaluar, duke vënë në rrezik efektivitetin e përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar ngrohjen globale.
Edhe pse përdorimi i qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike u ul, për shkak të rritjes së ndjeshme të energjisë së rinovueshme, kërkesa e përgjithshme për energji elektrike u rrit aq shumë sa që shkaktoi gjithsesi një rritje në përdorimin total të qymyrit.
Raporti paraqet një tablo të zymtë mbi përpjekjet për të shmangur pasojat gjithnjë e më të rënda të krizës klimatike. Shumica e vendeve nuk po arrijnë të përmbushin objektivat për uljen e emetimeve të gazeve serrë, të cilat vazhdojnë të rriten, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në të kaluarën.
Për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C mbi nivelet para-industriale, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, bota duhet të arrijë emetime zero deri në vitin 2050.
Kjo do të thotë se më shumë sektorë duhet të kalojnë në përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në vend të naftës, gazit natyror apo lëndëve të tjera djegëse fosile.
Megjithëse shumica e qeverive janë zotuar për “heqjen graduale” të përdorimit të qymyrit pas marrëveshjeve të vitit 2021, disa vende vazhdojnë të promovojnë përdorimin e këtij lënde ndotëse.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, festoi këtë vit tejkalimin e 1 miliard tonëve të prodhimit të qymyrit, ndërsa në SHBA, Donald Trump ka deklaruar se ndryshimet klimatike janë një “mashtrim” dhe ka shprehur mbështetje për përdorimin e qymyrit dhe karburanteve fosile.
Sipas raportit të OKB-së, përpjekjet e Trump për të ndërprerë financimin dhe nxitjet për kalimin në burime energjie me emetime të ulëta karboni do të kenë ndikime afatgjata. Megjithatë, vende të tjera si Kina dhe Bashkimi Evropian mund të zbusin këtë ndikim nëse vazhdojnë të investojnë dhe promovojnë energjinë e rinovueshme.
Lajmi i mirë është se prodhimi i energjisë së rinovueshme është rritur ndjeshëm. Sipas raportit, energjia diellore është “burimi i energjisë që po rritet më shpejt në histori”. Megjithatë, kjo nuk është ende e mjaftueshme: ritmet vjetore të rritjes për energjinë diellore dhe atë me erë duhet të dyfishohen që bota të arrijë objektivat për uljen e emetimeve deri në fund të kësaj dekade.
Përparimi në uljen e emetimeve të CO₂ nga ngrohja e ndërtesave po ecën me ritëm shumë të ngadaltë. Po ashtu, shqetësime ngre edhe sektori industrial, veçanërisht prodhimi i çelikut, ku sasia e karbonit e emetuar për çdo njësi çeliku të prodhuar është në rritje, pavarësisht përpjekjeve të disa vendeve për të aplikuar teknologji me emetime të ulëta.
Ndërkohë, tranzicioni drejt automjeteve elektrike po përshpejtohet: më shumë se një në pesë automjete të reja të shitura vitin e kaluar ishin elektrike. Në Kinë, gati gjysma e automjeteve të reja të shitura ishin modele elektrike.
Raporti paralajmëron gjithashtu për gjendjen e “rezervuarëve natyrorë të karbonit” – pyje, torfiera, kënetat, oqeanet dhe ekosistemet e tjera që ruajnë karbon. Edhe pse vendet janë zotuar disa herë për mbrojtjen e pyjeve, ato vazhdojnë të shkatërrohen, ndonëse në disa rajone me ritme më të ngadalta.
Vetëm në vitin 2024 janë humbur përgjithmonë mbi 20 milionë dynym pyje. Ky numër është më i ulët se rekordi prej 110 milionë dynymësh të humbura në vitin 2017, por më i lartë se 78 milionët e vitit 2021. Raporti vëren se qeveritë duhet të veprojnë në një ritëm nëntë herë më të shpejtë për të ndalur shpyllëzimin.
Muajin e ardhshëm, liderët botërorë dhe zyrtarë të lartë do të takohen në Brazil për Samitin e Klimës të OKB-së – COP30, për të diskutuar rrugët konkrete që mund të ndjekë bota për të qëndruar brenda kufirit prej 1.5°C të ngrohjes globale, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015. Çdo qeveri pritet të paraqesë një plan kombëtar të detajuar për reduktimin e emetimeve, i njohur si “Kontribut Kombëtarisht i Përcaktuar”.
© Panorama.al














