Elon Musk reagon ashpër pasi Bashkimi Evropian i vendosi gjobë 120 milionë euro platformës “X”: Do i përgjigjemi çdokujt që mori këtë vendim

Dec 6, 2025 | 16:10

Elon Musk lëshoi akuza të forta kundër Bashkimit Evropian pas vendosjes së një gjobe prej 120 milionë eurosh ndaj platformës “X” për shkelje të rregullave të transparencës, duke kërcënuar madje edhe me kundërmasa.

elon musk

“BE vendosi këtë gjobë të çmendur jo vetëm ndaj X, por edhe ndaj meje personalisht, gjë që është akoma më e çmendur!”, shkroi miliarderi dhe CEO i Tesla-s në X.

“Për këtë arsye, është e arsyeshme që përgjigjja jonë të mos drejtohet vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj individëve që morën këtë vendim kundër meje”.

Sipas autoriteteve evropiane, shkeljet lidhen me dizajnin mashtrues të “shenjes blu”, mungesën e transparencës në arkivin e reklamave dhe mosdhënien e aksesit në të dhënat publike për studiuesit.

Musk nuk sqaroi se çfarë forme mund të marrin kundërmasat e tij apo cilët persona do të vihen në shënjestër.

Vendimi i BE-së ka shkaktuar reagime të ashpra edhe në Uashington, ku zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar gjobën si sulm ndaj të drejtave më të gjera të lirisë së shprehjes.

Zëvendëspresidenti J.D. Vance deklaroi: “BE duhet të mbrojë lirinë e fjalës, jo të sulmojë kompanitë amerikane për gjëra pa vlerë”.

Edhe ministri i Jashtëm i SHBA-ve, Marco Rubio, shprehu pakënaqësinë e tij për gjobën e Komisionit Evropian ndaj platformës X, duke thënë se ajo përbën “sulm ndaj popullit amerikan nga qeveri të huaja”.

“Gjobën prej 120 milionë dollarësh që vendosi Komisioni Evropian nuk është vetëm sulm ndaj platformës X, por është sulm ndaj të gjitha platformave amerikane të teknologjisë dhe ndaj popullit amerikan, nga qeveri të huaja”, shkroi Rubio në një postim në rrjetin e Musk.

© Panorama.al

Te lidhura