Elis Bakaj ka shënuar sërish në kampionatin rumun të futbollit. Fantazisti shqiptar ka sigluar golin e dytë në ndeshjen në transfertën që skuadra e tij Dinamo e Bukureshtit luajti ndaj Universitatea Kraiova, në minutën e 40-t të pjesës së parë, pasi më parë kishte shënuar Kone në minutën e 5-të. Ky ishte goli i tretë i Bakajt në Rumani, por ndërkaq vazhdon ende problematika mes Dinamos së Tiranës dhe asaj të Bukureshtit për pagesën e kartonit të këtij lojtari. “Në klubin tonë edhe sot e kësaj dite, ende nuk kanë mbërritur paratë e kalimit të Elis Bakaj te rumunët e Dinamos së Bukureshtit”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij rreth çështjes Bakaj, administratori i bluve, Ismet Saliaj. Siç dihet, rumunët e Dinamos së Bukureshtit i detyrohen bluve të kryeqytetit tonë 250 mijë euro, në një kohë që lojtari, si individ, ka përfituar shumën 150 mijë euro teksa ka firmosur kontratën 5-vjeçare. Pasi kanë kaluar të gjitha limitet e pritjes, Dinamo ka bërë dhe një ankesë në UEFA, teksa pret që institucioni më i lartë i futbollit Europian të zgjidhë këtë situatë. Megjithatë, duke mbetur në deklaratën e Ismet Saliajt, rumunët kanë zbutur tonet, ndërsa u kanë deklaruar bluve tonë se do t’i sjellin paratë. “Na kanë kërkuar që të presim deri në fund të kësaj jave, sepse do t’i sjellin paratë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne ta kemi ngrirë kërkesën tonë në UEFA, prej së cilës presim një përgjigje. Shpresojmë të shqyrtohet ankesa jonë, sepse rumunët nuk janë treguar korrektë”, ka thënë Saliaj, në një kohë që duhet pritur fundi i kësaj jave për të parë sesa do të mund t’i japin lekët rumunët e Dinamos së Bukureshtit. Ajo që duhet nënvizuar është fakti se rumunët kanë qenë në vështirësi financiare, prandaj dhe ka pasur vonesa në dhënien e parave për blutë, “prandaj dhe e presim zgjidhjen prej UEFA-s”, tha Saliaj.
Klodian Duro
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro, ka rinovuar edhe për një sezon tjetër kontratën e tij me skuadrën Lask Linc në kampionatin austriak të futbollit. Megjithëse për sezonin tjetër skuadra ku ai aktivizohet do të luajë një kategori më poshtë, pasi ka rënë edhe matematikisht nga kategoria, përsëri lojtari ka preferuar që të vazhdojë kontratën me këtë skuadër edhe për faktin se tashmë është 35 vjeç dhe mund të mos ketë mundësi të tjera për të luajtur në Europë.











