ELBASAN – Falsifikimi i dëftesave të shkollave të mesme hap një tjetër skandal në universitetin e Elbasanit. Gjashtë studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” kanë rezultuar se janë regjistruar me dëftesa të siguruara në mënyrë të paligjshme në shkolla të ndryshme të vendit. Policia e Elbasanit bëri të ditur dje detaje të zbulimit të abuzimeve të zbardhura falë dhe bashkëpunimit me drejtuesit e universitetit. Sipas saj, bëhet fjalë për studentë të sistemit part-time, të cilët janë përjashtuar tashmë nga universiteti i Elbasanit. Studentët janë nga mosha 21 deri në atë 52-vjeçare dhe me banim në Tiranë, Durrës, Bulqizë e Shkodër. Nga hetimet e kryera, rezulton se këta persona kanë mundur të sigurojnë nga një diplomë të shkollës së mesme kundrejt shumave që variojnë deri në 1 milion lekë, madje duke i vulosur edhe në Drejtoritë Arsimore në rrethet ku ato banojnë, çka tregonte se këto dokumente kanë qenë të rregullta për të vijuar studimet e larta. Nga ana tjetër, burime nga grupi hetimor saktësojnë se hetimet kishin më shumë se tre muaj që kishin nisur dhe janë finalizuar një ditë më parë, duke i komunikuar akuzën studentëve dhe masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Elbasanit po heton edhe mënyrën se si studentët janë regjistruar pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani”, i cili ka si detyrë të verifikojë numrin e amzës në të gjitha rastet kur studentët nisin studimet. Hetimet po vazhdojnë për të gjithë personat e implikuar dhe pritet që ato të përfshijnë drejtues të shkollave prej nga janë siguruar dëftesat. Pas identifikimit të studentëve që kanë nisur shkollën e lartë pa përfunduar zyrtarisht të mesmen, pritet që lista e të implikuarve të zgjerohet. Të 6 studentët po ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa nuk kanë mundësi të vazhdojnë studimet në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. a.k











