Elbasan, rezultatet e para nxjerrin fitues Sejdinin

May 10, 2011 | 10:06

Bashkia e Elbasanit mbetet ende pezull përsa i përket fituesit për kryebashkiak. Kjo pasi deri më tani janë numëruar 28, nga 96 qendra votimi gjithsej.Rezultatet përfundimtare kanë dalë vetëm për Bashkinë e Peqinit, ku fitues doli kandidati i PD-së, ndërsa në Bashkinë e Gramshit, fitues është kandidati i PS-së. Gjatë gjithë ditës, procesi i numërimit në Elbasan ka vijuar normalisht, por në orën 20:00, komisionerët kanë vendosur ta ndërpresin punën për shkak të lodhjes. Ata nuk kanë mundur të vijojnë më tej, duke vendosur bashkarisht, pa kontestimin e asnjërës palë që numërimi të vijojë mëngjesin e ditës së sotme. Burime nga KZAZ-të e qarkut bënë të ditur se ka vijuar normalisht numërimi në 7 bashkitë dhe 42 komunat, përjashtuar atë të Pishaj, që për arsye teknike është shtyrë për një datë tjetër. Në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” të qytetit, u krye gjatë të gjithë ditës numërimi për fletët e votimit për kandidatët për kryetar bashkie, Qazim Sejdini, kreu aktual i zgjedhur nga koalicioni “Aleanca për të ardhmen”, dhe Durim Hushi i “Aleanca për qytetarin”. Deri në orën 20:00 u numëruan 28 kuti votimi, ku Qazim Sejdini ka marrë 7777 vota, ndërsa kandidati tjetër, Durim Hushi, 5170 vota. Pra kreu aktual i Bashkisë është në avantazh me një diferencë prej 2607 vota. Kryetari i KZAZ Nr. 12, Shkëlqim Duka, deklaron dje gjatë ditës se procesi i numërimit po vijon normalisht dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë incident. Procesi i votimit është ndjekur edhe nga dhjetëra vëzhgues, përfaqësues të partive të ndryshme politike, ndërsa janë numëruar edhe fletët e votimit për këshilltarët, ku në koalicion PD-ja ka marrë 4802 vota, ndërsa koalicioni i PS-së 4312 vota. Është ende herët për të dhënë një rezultat se si do të përfundojë procesi i zgjedhjeve në Bashkinë e Elbasanit, pasi mbetet edhe 68 kuti të tjera votimi të pa hapura, kuti ku mendohet se ka shumë zona që janë bastion i të djathtës dhe që mund të përmbysin rezultatin. Numërimi i votave u ndoq për disa orë edhe nga kandidati për kreun e bashkisë, Qazim Sejdini.
Ka qenë qyteti i Peqinit i pari që ka përfunduar këtë proces, me fitoren e kandidatit Ilir Rrushi, i cili merr një mandat të dytë në këtë post nën siglën e PD-së. Edhe në komunën Bradashesh, Sabri Sollaku do të drejtojë për të katërtin mandat radhazi. Procesi i numërimit u mbyll dje edhe në komunën Qendër në Librazhd, ku kandidati i zgjedhur nga “Aleanca për të ardhmen”, Enver Shkurti, ka rezultuar fitues ndaj Firduz Kurtit, (kryetar aktual) i zgjedhur nga “Aleanca e qytetarit”. Ende nuk janë numëruar votat për Bashkinë e Librazhdit, ku kandidon për kryetar bashkie i zgjedhuri nga “Aleanca për qytetarin” Shefki Çota, ndërsa Enver Koçi nga “Aleanca për të ardhmen”. Në komunën Qukës  ka përfunduar procesi, ku me 80 vota në avantazh ka fituar Fatmir Kryeziu nën siglën e PS-së, kundrejt kryetarit aktual Ymer Blloshmi. Rreth pasdites, edhe Bashkia Gramsh mbylli procesin e numërimit, ku humbi kryetari aktual Kastriot Zëra, i PD-së dhe fitoi Dritan Bici i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. Në KZAZ-në e Bashkisë së Elbasanit, procesi i numërimit është mbyllur rreth orës 20:00 me vendim të komisionerëve për t’u rihapur të martën në orën 08.00, ndërsa vazhdon procesi i numërimit në pesë KZAZ e qarkut të Elbasanit.

Elbasan

Bashkia Gramsh
Dritan Bici, PS, 3274 vota
Kastriot Zëra, PD 1926 vota

Bashkia Peqin
Ilir Rrushi, PD, 2607 vota
Naim Teqa, PS, 904 vota

Bashkia cerrik
Servet Duzha, PD, 2328 vota
Arben Ruçi, PS, 1928 vota

Komuna Qendër Librazhd
Enver Shkurti, PS, 2300 vota
Firduz Kurti, PD, 2000 vota

PD-ja merr Bashkinë e Cërrikut

Partia Demokratike fiton Bashkinë e Cërrikut. Kandidati Servet Duzha, i “Aleanca për qytetarin” , fitoi 400 vota më shumë se kandidati i PS-së, Arben Ruçi. Procesi i numërimit të votave në këtë KZAZ ka nisur me vonesë, pasi në momentin e fundit të dorëzimit të kutive mbrëmjen e së dielës, PS-ja vendosi të ndërrojë anëtarët e komisionit si dhe të numërimit të votave, për arsye që asnjë nga selia e PS-së nuk dha detaje. Edhe pse nisi me vonesë, procesi i numërimit në këtë KZAZ eci me ritme të shpejta, ku kandidati për kryetar bashkie i zgjedhur nga ” Aleanca për qytetarin”, që në fillim të numërimit të votave doli në avantazh. Procesi zgjati rreth nëntë orë, ku u numëruan 17 kuti votimi dhe rezultati përfundimtar që nxori fitues Servet Duzhën, ishte 2328 vota, ndërsa Arben Ruçi, i cili ishte kryetar në këtë Bashki, mori vetëm 1928 vota. Në Cërrik kandidonte nën siglën e LZHK-së edhe Florenc Doko, i cili mori 400 vota.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Bashkia Laç
Që prej vitit 1990, qyteti i Laçit është drejtuar nga kandidatë të Partisë Demokratike. Por zgjedhjet e 8 majit duket se e kanë përmbysur këtë bastion, pasi kandidati i PS-së, Artur Bardhi,  është në avantazh me më shumë se 1 mijë vota, kundrejt kandidatit të PD-së, Bardh Rica. Ky i fundit ka fituar deri më tani 2377 vota, ndërsa Bardhi ka gjithsej 3094 vota. Ku rezultat nuk është final, pasi sot pritet të numërohen pesë kutitë e fundit, të cilat edhe mund të përmbysin shifrat e deritanishme. Gjithsesi, në qytetin e Laçit kanë nisur festimet për fitoren e kandidatit të PS-së që mbrëmë, ndonëse fitorja e tij nuk është ende zyrtare, derisa të numërohet edhe kutia e fundit.

© Panorama.al

Te lidhura