Elbasan, festohet e ndarë Dita e ujit të bekuar

Jan 7, 2012 | 12:22
Julian Luli, që kapi kryqin në Elbasan

ELBASAN – Festa e ujit të bekuar, që presupozon pagëzimin e Krishtit, edhe këtë vit i ka ndarë dy kishat ortodokse në qytetin e Elbasanit. E ndërsa kisha ortodokse “Shën Koll” e realizon si çdo vit ritualin e hedhjes së kryqit në ambientin sportiv “Ajek”, ndryshe realizohet ky ritual në kishën autoqefale “Shën Maria” në Elbasan. Famullitari i kishës “Shën Maria”, at Nikolla Marku, e cilëson si mjaft të rëndësishme Ditën e ujit të bekuar, ndërsa shton se ka shumë vjet që këtë ritual e kryen në ambientet e kishës së tij. “Nuk ka rëndësi se ku kryhet ky rit i bekuar, e rëndësishme është që riti të realizohet dhe besimtarët të marrin ujë nga uji i bekuar në këtë ditë të shenjtë”, thotë at Nikolla. Edhe pse asnjëherë dy kishat nuk janë bashkuar që ta kryejnë së bashku këtë ritual, kjo nuk përbën asnjë shqetësim për at Nikolla Markun, pasi sipas tij kisha autoqefale “Shën Maria” është kisha shqiptare, është kisha e Fan Nolit, Visarion Xhuvanit etj. “Është kishë e kombit tonë, pra edhe rituali i organizuar për Ditën e ujit të bekuar është kryer në bazë të traditave shqiptare”, shprehet ai. Që në orën 10:30 në kishë at Nikolla Marku ka pritur rreth 100 besimtarë të krishterë, të cilët kanë marrë pjesë në ritualin e hedhjes së kryqit të bekuar, jo në lumë, por në një enë pagëzimi që përdoret nga kisha. Kryqin e ka fituar Elvis Josifi, 16 vjeç, një besimtar ortodoks, e më pas besimtarët kanë marrë ujë nga uji i bekuar. I njëjti ritual ka ndodhur edhe me kishën ortodokse në periferi të qytetit, i cili për shkak të ujërave të rrëmbyeshëm të Shkumbinit, është zhvilluar në një kompleks sportiv në periferi të qytetit të Elbasanit. Julian Luli, 30 vjeç, ishte fituesi për të pestin vit radhazi i kapjes së kryqit.                  m.s

© Panorama.al

Te lidhura