Ekzekutoi gruan në Tiranë, vetëdorëzohet në Tropojë

Nov 11, 2011 | 8:44
Vendi ku Ismet Hysaj theri me thike bashkeshorten

Burimet zyrtare thanë dje se është vënë në pranga 40-vjeçari Ismet Hysaj, i cili mesditën e së dielës vrau me thikë, në sy të vajzës së mitur, bashkëshorten e tij, Jetlira Doçi, 24 vjeçe. Hysaj ishte “arratisur” menjëherë pas vrasjes, duke i lënë në kujdestari vajzën 2-vjeçare të afërmve të tij në Kodër Kamzë të Tiranës dhe më pas ishte fshehur te shtëpia e prindërve të tij në fshatin Luzhë të Tropojës. Sipas Policisë, gjatë pesë ditëve që ka qëndruar në arrati, Ismet Hysaj dyshohet të ketë qenë i fshehur te shtëpia e prindërve, ku edhe u arrestua. Të njëjtat burime konfirmuan se fillimisht është negociuar drejtpërdrejt me të dyshuarin për vrasje përmes telefonit të tij celular e më pas nëpërmjet prindërve të tij, që e kanë bindur të dorëzohej. Ai u arrestua gjatë një aksioni të kryer mesditën e djeshme nga forcat e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me ato të Kukësit në Tropojë dhe më pas është transportuar drejt kryeqytetit. Hysaj ishte shpallur në kërkim që prej datës 6 nëntor, ditën e Kurban Bajramit, sepse pas debateve të forta me bashkëshorten e tij 24-vjeçare, Jetlira Doçi, e ka goditur disa herë me thikë duke e lënë të vdekur në vend.
NEGOCIATAT
Operacioni i policisë për arrestimin e autorit të dyshuar të krimit në familje, Ismet Hysajt, nisi menjëherë pas vrasjes së bashkëshortes së tij, duke u zhvilluar në tri drejtime kryesore, por kryesisht në rrethin e Tropojës. Nga verifikimi nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, 40-vjeçari Hysaj është lokalizuar në Tropojë një ditë pasi kishte kryer krimin. Drejtues të Policisë së Tiranës kanë arritur të bisedojnë dy herë me të, duke negociuar për dorëzimin e tij në polici, duke i ofruar lehtësira, megjithatë ai ka refuzuar. Në këtë mënyrë është parë si një rrugë tjetër negocimi, komunikimi me familjarët e të dyshuarit, të cilëve u këshilluan nga grupi hetimor që në rast se mund të kontaktojnë me Ismet Hysajn, t’i sqarojnë përfitimet ligjore që mund të ketë në rast vetëdorëzimi. Duket se ditën e djeshme të afërmit e të dyshuarit kanë arritur ta bindin që të dorëzohet te forcat e rendit.
I dyshuari si autor i krimit të familjes, pasi goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen bashkëshortes së tij, në sy të vajzës 2-vjeçare, u “arratis” nga vendi i ngjarjes, bashkë me të bijën e mitur, e cila u gjet pasditen e së hënës. Vajza 2-vjeçare është gjetur nga policia në banesën e disa të afërmve të autorit të ngjarjes. zbulimi i saj u bë gjatë kontrolleve që policia ushtroi në Tiranë për të gjetur vendstrehimet e mundshme të autorit të vrasjes së gruas 27-vjeçare e cila u gjet pa jetë nga fqinjët e saj ndërsa polici privat me të cilin ajo bashkëjetonte, ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i ngjarjes, Ismet Hysaj ka qenë edhe më parë i martuar madje kishte edhe një djalë me gruan e parë me të cilën ishte divorcuar. Ai bashkëjetonte prej 6 muajsh me gruan që vrau me thikë ditën e Kurban Bajramit.
Sherri për xhelozi
Sipas hetimeve të zhvilluara në lidhje me vrasjen e shtetases Jetlira Doçi, ka rezultuar se shkak i ngjarjes ka qenë debati që ajo ka bërë me të shoqin, Ismet Hysaj, të shtunën e javës që shkoi. Shkak ka qenë kthimi vonë në shtëpi i Jetlira Doçit, çka është bërë shkak për xhelozi nga bashkëshorti i saj.
Etleva Delia

© Panorama.al

Te lidhura