Ngjarja në Dukagjin. Autorët morën hak për një vrasje që nipi i familjes kreu 2 vite më parë.
Qëllohen për gjakmarrje 70-vjeçari dhe vajza 17 vjeçe.
Ekzekutohen në mes të arës gjysh e mbesë. Krimi i dyfishtë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin e largët Kasnec të zonës së Dukagjinit.
Vajza 17-vjeçare, Marie Cuku dhe gjyshi i saj 70 vjeç, Kolë Cuku, u qëlluan me breshëri automatiku nga persona ende të pazbuluar. Adoleshentja ndërroi jetë në vend, ndërsa gjyshi i saj rrugës për në spitalin e Shkodrës. Policia tha dje se i kishte identifikuar autorët, por nuk jep të dhëna në lidhje me emrat apo mbi shkaqet e kësaj vrasjeje të dyfishtë. Dyshimet e para hidhen mbi një vrasje për shkaqe hakmarrjeje, ndonëse nuk përjashtohet ajo e konfliktit të pronësisë.
Vrasja e dyfishtë
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 16:30 në fshatin Kasnec të komunës Pult të Dukagjinit. Kolë Cuku, bashkë me mbesën 17-vjeçare kanë qenë duke punuar tokën pranë shtëpisë së tyre, kur një breshëri automatiku është derdhur ndaj tyre. Nga të dhënat e para të siguruara nga zona e thellë rezulton se 17-vjeçarja është rrëzuar e para pa jetë nga plumbat e armës, ndërsa gjyshi i saj ka rënë përtokë i plagosur në gjendje të rëndë. Të parët që kanë dëgjuar krismat dhe kanë dalë për t’u dhënë ndihmën e parë gjyshit e mbesës kanë qenë familjarët e tyre. Ata kanë konstatuar se vajza kishte ndërruar jetë nga plagët e marra, ndërsa 70-vjeçari jo. Me shpejtësi e kanë nisur Kolë Cukun drejt spitalit të Shkodrës, me shpresën se do të arrijë të mbijetojë deri në ndihmën e mjekëve. Por, edhe ai humbi jetën gjatë rrugës për në spital, pasi plagët e marra i kishin shkaktuar hemorragji të madhe.
Dyshimet e Policisë
Me të marrë vesh për ngjarjen, drejt fshatit Kir të Dukagjinit janë nisur forca të shumta policore të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, të cilat kanë nisur hetimet. Fillimisht janë siguruar provat nga vendi i ngjarjes, siç kanë qenë 15 gëzhoja të një arme zjarri që mendohet të jenë të një automatiku kallashnikov. Më pas është vazhduar me marrjen në pyetje të familjarëve të viktimave, në lidhje mbi autorët e mundshëm të krimit të dyfishtë. Mendohet se vrasja është realizuar nga të paktën dy persona dhe ka qenë e menduar mirë. Sipas bluve të Shkodrës, autorët e vrasjes kanë njohur mirë vendin e ngjarjes, si dhe lëvizjet e viktimave, duke u zënë kurth në mes të arës. Vrasja dhe largimi i shpejtë nga vendi i ngjarjes u ka lënë të kuptohet uniformave blu se autorët janë banorë të të njëjtit fshat, të cilët e njohin shumë mirë zonën. Megjithëse informacionet zyrtare mbi këtë ngjarje janë të rezervuara, burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se pista e parë për këtë ngjarje mendohet të jetë ajo e gjakmarrjes. Kjo lidhet me faktin se dy vite më parë, nipi i 70-vjeçarit, Gjokë Cuku, 23 vjeç, ka vrarë një bashkëfshatar të tijin, pas një konflikti që ata kanë pasur me njëri-tjetrin. Paralelisht me këtë pistë, policia po verifikon dhe nëse ekziston ndonjë konflikt pronësie apo ngatërresë mes familjes Cuku dhe autorëve të dyshuar të vrasjes së djeshme.
Krimi i 2010
Dyshohet se vrasja e ndodhur më 8 korrik 2010, kur 23-vjeçcari Gjokë Cuku vrau Ndoc Vocin, 62 vjeç, për një vijë uji, të ketë sjellë krimin e dyfishtë dje në Dukagjin. Në atë kohë, Voci kishte kallëzuar në polici konfliktin me bashkëfshatarin e tij, por pa kaluar dy ditë atij i është zënë pritë nga i riu, duke iu marrë jeta. Policia është ende në terren, në zonën e thellë të Dukagjinit për të marrë në pyetje palët, si dhe dëshmitarët e krimit në mes të ditës.
Shkodër, marshim kundër gjakmarrjes
Marshim paqësor kundër gjakmarrjes dhe dhurim vullnetar i gjakut me rastin e 14 qershorit, Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut. Në qytetin e Shkodrës, përkujtimi i kësaj dite ka marrë një organizim të veçantë, ku krahas dhurimit të gjakut që është edhe simbolika, organizatorët kishin menduar edhe një manifestim paqësor të organizuar kundër fenomenit të gjakmarrjes. “Jo gjakmarrjes, se bashku për jetën”, ka qenë kjo motoja e zgjedhur në një marshim-protestë kundër këtij fenomeni. “Fenomen i cili edhe sot është i pranishëm në Shqipëri”, u shprehën organizatorët e aktivitetit. Me moton: “Dhuro gjak, shpëto një jetë”, qytetarët dhuruan gjak në poliklinikën e Shkodrës. Më pas, të mbledhur në qendër të qytetit, të rinjtë e shkollave të ndryshme me pankarta në duar, tullumbace të bardha dhe të kuqe, si dhe pankarta ku shkruhej “Ndal gjakmarrjes”, “Stop Kanunit”, “Jo gjakmarrjes, së bashku për jetën”, marshuan në rrugët kryesore të qytetit për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë dhe institucionet jo vetëm në Shkodër, por në mbarë vendin. Qëllimi i këtij marshimi ka të bëjë me vetë simbolikën e kësaj dite, ku në qendër të saj ka shpëtimin e jetëve, duke dhuruar gjak. r.d
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











