Ekzekutimi i volejbollistit, Policia: Po zbardhim krimin

Sep 15, 2011 | 12:00
Juxhin Guza (i pari djathtas), volejbollisti me numrin 3 me skuadrën e Teutës

Policia e Durrësit shpreson në arrestimin sa më shpejt të autorit të vrasjes së volejbollistit të ekipit “Teuta” të Durrësit, Juxhin Guza.Që pas momentit të plagosjes dhe më pas vdekjes së tij në spital pas goditjeve me thikë, në komisariat janë shoqëruar 30 persona, prej të cilëve 12 në cilësinë e dëshmitarëve, por nuk bëhen të ditur emra të dyshuarish. Provat materiale të sekuestruara në vendin e ngjarjes janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme. Policia ka shumë shpresë se autori do të identifikohet, madje mësohet se ai është marrë në pyetje për t’u vënë në pranga sapo të ketë prova të mjaftueshme.
Hetimet
Ngjarja e rëndë e plagosjes me armë të ftohtë e volejbollistit Juxhin Guza ka ndodhur në orën 01:30 të datës 13 shtator. 24-vjeçari Guza ka qenë së bashku me shoqërinë e ekipit “Tueta” në një lokal për të festuar 40-vjetorin e lindjes së menaxherit të klubit, Markelian Rexhepi. Krimi ka ndodhur në shkallët e pallatit ku jeton familja Guza, në Lagjen Nr. 5 të qytetit. Ai është bërë viktimë e një prite së paku nga dy-tre persona, të cilët duket se e kanë përgjuar gjatë të riun, derisa është kthyer me makinën e tij në banesë. Guza ka qenë i pambrojtur dhe krejt i papërgatitur për të reaguar, ndërkohë që befasia u ka dhënë mundësi vrasësve ta godasin me thikë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Volejbollisti ka mundur t’i rezistojë vdekjes për rreth 18 orë, për t’u dorëzuar përfundimisht në orën 19:00 të datës 13 shtator. Policia ka ndërtuar dy pista hetimi, ku e para është ajo e tentativës së grabitjes së varëses së florinjtë nga qafa e volejbollistit. Veç kësaj, oficerë të Policisë Kriminale po përpiqen të shkojnë edhe më tej. Ata kanë marrë dëshmitë e volejbollistëve të ekipit dhe drejtuesve të klubit për të mësuar lidhur me ndonjë problem personal të 24-vjeçarit Guza. Volejbollisti, një muaj më parë, më datë 11 gusht, ka mbushur plot 24 vjeç dhe priste të shpallte fejesën. Burime policore thonë se edhe e dashura e të riut 24-vjeçar është pyetur lidhur me ndonjë konflikt apo shqetësim të mëparshëm të Juxhin Guzës, dëshmi që do të mund të ndihmojnë organin e hetimit për të shkuar drejt autorit të krimit. Në vendin e ngjarjes policia ka mundur të marrë prova të mjaftueshme që do të shërbejnë për identifikim. Edhe në trupin e viktimës janë marrë prova, si shenja të gishtërinjve në rrobat e 24-vjeçarit, fije flokësh, mostër gjaku etj. Të gjitha janë dërguar në Laboratorin e Tiranës, nga ku priten rezultatet.
Homazhet
Është përcjellë me nderime për në banesën e fundit arkivoli me trupin e volejbollistit të ndjerë, Juxhini Guza. Homazhet për të ndjerin Guza u zhvilluan në ambientet e pallatit të sportit “Ramazan Njala” në Durrës, ku i dhanë lamtumirën e fundit qindra qytetarë, miq, të afërm, kolegë, funksionarë qendrorë e lokalë, si dhe drejtues të Federatës së Volejbollit shqiptar. Teksa e cilësoi si një ngjarje të rëndë dhe një çështje që duhet të zbardhet sa më shpejt, trajneri i ekipit të volejbollit të Teutës, Agim Doraci, tha se humbja e Juxhinit nuk është vetëm e familjarëve dhe e të afërmve të tij, por edhe e ekipit të Teutës, i cili humbi një nga lojtarët më të mirë të volejbollit shqiptar. “Guza ishte një shembull për të gjithë. Nuk ishte vetëm një lojtar i mirë, por edhe një djalë shembullor. Ai ishte një djalë shumë i qetë, shakaxhi dhe i qeshur. Nuk ngatërrohej me njeri. U bëj thirrje strukturave përkatëse të vënë përpara ligjit autorët dhe t’i ndëshkojnë ata maksimalisht”, u shpreh trajneri i Teutës, Agim Doraci. Në nder të kujtimit të tij, Federata e Volejbollit shqiptar ka vendosur që kupa e volejbollit që do të mbahet në Durrës më datë 5, 6 dhe 7 tetor, të mbajë emrin e të ndjerit, Juxhin Guza.

Akuza për mjekët

Familjarë e të afërm të Juxhin Guzës akuzojnë bluzat e bardha për pakujdesi e neglizhencë në trajtimin e ngjarjes. Juxhin Guza është dërguar në pak minuta pas ngjarjes në spital dhe policia, pasi ka marrë deklarimet e mjekëve, ka pohuar zyrtarisht se 24-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Prindërit e Guzës dhe volejbollistë të ekipit “Teuta” si dhe shokë të tij, kanë shkuar me nxitim në spital për të dhuruar gjak. Guzha ka humbur sasi të madhe gjaku dhe në deklarimin e një dite pas vdekjes së të riut policia shprehet se shkak i vdekjes është bërë hemorragjia. Veç dëmtimeve të tjera, ai ka marrë një plagë të rëndë në kofshë, e cila i ka dëmtuar enët e gjakut. Akuzat e familjes kanë qenë vetëm publike, ndërsa nuk është bërë padi në polici për këtë rast. Nga ana e tyre deklarohet se mjekët kanë bërë qepjen e jashtme të plagës, pa e kontrolluar mirë plagën e shkaktuar nga thika. Ndërsa mjekët, pas ngjarjes, deklaruan se është bërë maksimalja për të mbajtur në jetë 24-vjeçarin.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura