NIKOLETA KOVAÇI/ Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, sipas Policisë, është kryer nga 6 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë konkretisht për vetëm një shtetas shqiptar të përfshirë në këtë ngjarje.
Ai quhet Edmond Haxhia, një person që jeton në Angli dhe që ka edhe pasaportë britanike. Policia pretendon se Haxhia, duke pasur lidhje gjaku me personat që kanë qenë në konflikt me Nikulajt, ka organizuar gjithë mekanizmin e vrasjes, ndërkohë që për ta kryer këtë krim janë sjellë në Shqipëri 5 shtetas të huaj, një portugez, në rolin e ekzekutorit, dhe 4 shtetas britanikë, të cilët kanë bërë rolin e informatorëve.
Përveç Edmond Haxhiajt, që konsiderohet edhe porositësi, në kërkim janë shpallur Ruben Saraiva (autori i vrasjes), shtetasi portugez që ka folur shqip dhe madje me dialekt me dëshmitarët dhe viktimën në momentin që e ka qëlluar, si dhe 4 shtetas britanikë, mes tyre një femër, të cilët kanë mundur të zbulojnë të gjitha lëvizjet e shënjestrës. Në lidhje me shtetasit britanik të shpallur në kërkim ndërkombëtar Policia e Shtetit i ka identifikuar si Harry Simson. Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të gjithë këta persona që Policia i ka shpallur në kërkim janë larguar nga Shqipëria, ndërkohë që kanë vijuar kontrollet e imtësishme në disa zona të Lezhës, e kryesisht në zonën e Balldrenit, Kakarriqit dhe të Gjadrit, ku Polica pretendon se ka gjetur mbetjet e disa rrobave të djegura, ku dyshohet se i përkasin autorit të krimit, shtetasit portugez Ruben Saraiva.
PROVAT NË VENDIN E VRASJES
Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit saktësohet se janë siguruar një mori provash, të cilat janë të pakundërshtueshme që e bëjnë ngjarjen të konkretizuar nga 6 personat e shpallur në kërkim.
Policia thotë se ka gjetur një celular, ndonëse nuk bën me dije se kujt i përket, një letërnjoftim, që sërish nuk dihet se cilit prej shtetasve të huaj i përket dhe po ashtu janë siguruar pamje të mjaftueshme filmike që tregojnë praninë e shtetasve të huaj në zonën e Shëngjinit për disa ditë me radhë.
Policia ende nuk ka bërë me dije se si është mundësuar largimi i 5 të huajve dhe i djalit nga Kakarriqi, Edmond Haxhia, nga vendi, por bëhet me dije se lidhja mes të gjithëve bëhet për shkak se Haxhia është kushëri i parë me njërin nga personat që jeton në Angli dhe ka pasur konfliktin e hershëm me familjen Nikulaj, konflikt i përgjakshëm për të cilin në fakt nuk u hetua dhe as nuk u gjykua asnjë person kurrë, sot e asaj dite, ndërkohë që u tha se janë 5 të vrarë dhe një i plagosur.
Shtetasi shqiptar me pasaportë britanikë, Edmond Haxhia mësohet se është kthyer në Shqipëri disa muaj më parë dhe policia, ndonëse jo zyrtarisht, u tha se mori kontrolle të shumta në zonën ku banonte fisi Haxhia, të vetmit që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me familjen Lekstakaj, të cilët nuk jetojnë asnjë në Shqipëri prej shumë e shumë vitesh.
Po ashtu, policia kërkoi edhe autorin në atë zonë duke e fiksuar disa herë faktin se atentatori është parë të shkojë deri në Kakarriq dhe më pas ka humbur gjurmët, ku u tha se motorin, me të cilin udhëtonte vrasësi e ka marrë një makinë duke i larguar bashkë me atentatorin, që sipas Policisë është shtetasi portugez Ruben Saraiva.
Përplasja e përgjakshme që nuk u hetua asnjëherë
Nga sa është mësuar pak vite më parë, por që Policia dhe Prokuroria, as ajo e Lezhës dhe aq më pak institucionet kryesore shtetërore, konflikti mes familjes së Nikuljave dhe të familjes Lekstakaj nisi në vitin e largët 1997. Ishte një konflikt banal në një pikë karburanti, ku nga një përplasje me armë mbetën të vrarë dy persona. Mes tyre u tha se ishte një person i familjes së Nikulajve dhe një person tjetër.
Çështja sigurisht që nuk kaloi nëpër duart e Policisë pasi vendi ishte nën pushtetin e bandave e për pasojë, konflikti vijoi. Me 28 shtator të po atij viti, do të vriteshin në arën e jonxhës dajë e nip, Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, djali i poetit të shquar, Ndoc Gjetja. Ajo vrasje në arë pati edhe dëshmitarë, nipin e Gëzimit dhe kushëririn e parë të Laurentit. Ky dëshmitar, ndonëse fëmijë, nuk u mor kurrë në pyetje për të hedhur dritë mbi vrasjen e xhaxhait dhe të nipit.
Në fillimin e vitit 1999, qëllohet sërish mbi dy vëllezërit e Gëzimit, njëherësh dy dajat e Laurentit, Pjetër e Gjovalin Lekstakaj. Gjovalini vritet në vend, ndërsa Pjetri merr një plumb në kokë. Sërish nuk ka Polici dhe as Prokurori që të niste hetimet për ngjarjet e rënda.
Vite më vonë, djemtë e familjes së Lekstakajve kërkuan të dëshmonin nga Anglia për vrasjet e njerëzve të tyre, por Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Lezhës refuzuan të rihapnin çështjen e për pasojë nuk morën dot përsipër mbrojtjen e jetës së dëshmitarit që kishte parë ekzekutorët e familjes.
© Panorama.al











