Ekstradohet nga Spanja vrasësi Perikli Kule

Nov 5, 2011 | 12:55

Një prej 10 shqiptarëve më të kërkuar nga Interpoli u ekstradua pasditen e djeshme nga Spanja. Perikli Kule, aktualisht 42 vjeç, është i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje që ka kryer në bashkëpunim në Fier, rreth 14 vjet më parë. Prej shumë vitesh emri i të ekstraduarit ishte ndër të parët në listën e më të kërkuarve, derisa dy vjet më parë, Interpol Madridi njoftoi policinë shqiptare për arrestimin e tij. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se Kule ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që nga viti 1999, kur Gjykata e Fierit e shpalli atë fajtor për vrasje në bashkëpunim, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Të njëjtat burime thanë se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 8 korrik të vitit 1999, e ka dënuar shtetasin Perikli Kule me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtjes pa leje”.

© Panorama.al

Te lidhura