TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje të shtyjë edhe me një muaj masën e sigurisë “arrest me burg” për Altin Koren, i arrestuar në qershor të këtij viti për llogari të drejtësisë amerikanë. Kore, 35 vjeç, akuzohet për trafikimin e 25 kilogramëve kokainë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po mbahet i paraburgosur me qëllim ekstradimi. Kërkesa për ekstradimin e tij drejt kontinentit amerikan pritet të shqyrtohet sot në Gjykatën e Tiranës. Dje, Gjykata e kryeqytetit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për shtyrjen edhe për një muaj të kohës së paraburgimit. Në pretendimet e saj, pala mbrojtëse e ka cilësuar të pabazuar në ligj këtë kërkesë të Prokurorisë. Sipas mbrojtësit ligjor të të dyshuarit Kore, afati 3 mujor i mbajtjes në paraburgim për qëllime ekstradimi merr fund sot. Altin Kore u arrestua në qershor në Aeroportin e Rinasit. Ai u prangos, pasi ndaj tij ekzistonte një urdhër kërkimi ndërkombëtar i shpallur nga Interpol Washington në 3 mars 2011. Emri i tij ishte radhitur në listën e personave në kërkim, pasi në 14 gusht 2008, Gjykata e Teksasit, SHBA, kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj tij për akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 60 ditë. “Më 4 maj 2008, Kore kërkoi 3 kg kokaine nga një burim furnizimi. Kokaina u trafikua në SHBA nga Meksika dhe në SHBA u shpërnda në Dallas, Teksas dhe Indiana. Për më tepër, disa nga lëndët narkotike u dërguan në Shqipëri dhe Itali. Organizata e drogës fshihte lëndët narkotike në qirinj që dërgoheshin me barkë në Europe në kontinierë ngarkesash. Në total, Kore është përgjegjës për 20 deri në 25kg kokainë”, thuhej në vendimin e masës së sigurisë ndaj tij. Në përfundim të afatit 60 ditor, një vendim tjetër gjyqësor, i datës 25 gusht, e shtyu këtë afat edhe me 30 ditë të tjera. Ndërsa dje, afati u shty edhe me 30 ditë në vijim. ar.ba
Shpërndarja e kokainës
Sipas autoriteteve amerikanë, Kore ishte anëtar i një organizate droge që shpërndante sasi kokaine me shumë kilogramë. “Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës që lehtësonte marrjen e kokainës dhe drejtimin e të tjerëve për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Kore kontaktonte drejtpërdrejt me një burim furnizimi për marrjen e kokainës”, thuhej në vendimin e gjykatës që caktoi 60 ditë burg ndaj tij.











