
Shpërthim me telekomandë i makinës ku udhëtonte kandidati i PS-së së komunës Shtiqën, Astrit Cengu.Vetëm pak sekonda pasi ai zbriti nga mjeti në qendër të qytetit të Kukësit, ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Vetë Cengu ka marrë lëndime të lehta, nga forca e goditjes, por pas mjekimit të plagëve ka lënë spitalin.
Mësohet se 38-vjeçari Cengu, banor në qytetin e Kukësit, sapo është zgjuar në mëngjes, ka marrë autoveturën e tij fuoristradë ngjyrë të kuqërremtë dhe ka lëvizur deri tek lokali përpara xhamisë së qytetit. Sipas policisë dhe dëshmitarëve, sapo ka zbritur nga makina për të takuar dy persona që e prisnin në kafe, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në automjetin me targa angleze N54 GEC, prej të cilit sapo kishte zbritur Cengu. Shpërthimi ka ndodhur kur kandidati socialist parkoi makinën dhe ndodhej vetëm 5 metra

larg saj. Makina është dëmtuar nga lënda plasëse, duke dalë jashtë përdorimi. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë, ekspertë të prokurorisë dhe kanë nisur hetimet. Gjithashtu edhe shtabi elektoral i PS-së është gjendur në vendngjarje, bashkë me deputetin socialist të Kukësit, Asllan Dogjani. Edhe prefekti i Kukësit, Elez Maçi, nga vendi i ngjarjes e ka dënuar aktin dhe ka inkurajuar forcat e policisë të bëjnë zbardhjen sa më shpejt të saj. Një nga ekspertët e policisë, i specializuar për krime të tilla, tha se nisur nga përvojat e mëparshme rezulton se kjo lëndë shpërthyese C4 më së shumti lidhet poshtë makinës, ngjitur me një aparat të ri celulari dhe më numër të paidentifikuar dhe sapo të jetë në makinë personi i shënjestruar, i dërgohet një zile. Kjo shkakton shkëndijë elektrike dhe shpërthim të lëndës plasëse. Nuk dihet ende nëse autorët kanë pasur eliminim fizik të Cengut, por ajo që dyshohet është fakti se bërja e ziles mund të jetë e vonuar në kohë, ndërsa drejtuesi kishte dalë nga mjeti. Një rrethanë tjetër e shpëtimit është vendi i vendosjes së lëndës plasëse. Autorët dyshohet se e kanë vendosur eksplozivin gjatë natës, poshtë sediljes së vendit të parë, pasi makina me targa angleze është me timon në krah të kundërt. Kjo i ka dhënë mundësi 38-vjeçarit që të dalë e të zbresë në krah të kundërt me shpërthimin. Nga ana e saj, policia e Kukësit ka kërkuar ndihmë nga komuniteti për zbardhjen e ngjarjes. Sipas saj, ka disa të shoqëruar, por asnjë të akuzuar për ngjarjen. Nga marrja në pyetje e vetë kandidatit nuk rezulton që ai të ketë pasur probleme personale, duke e lidhur me faktin e kandidimit të tij në zgjedhje. Nga policia pohohet se nga verifikimet e para, nuk ka pasur asnjë problem gjatë fushatës mes 3 kandidatëve në garë për komunën Shtiqën. Drejtori i policisë së Kukësit, Sadri Ramçaj, pohoi se nuk është përcaktuar sasia e eksplozivit dhe lloji i tij. Policia e Kukësit ia ka kaluar materialet për ngjarjen Prokurorisë së rrethit me akuzat e “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “kanosjes” dhe “mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse”. Ndërsa nga grupi hetimor nuk është dhënë asnjë motiv për ngjarjen, socialistët e kanë cilësuar akt terrorist për shkak të kandidimit. Kreu i PS-së së Kukësit, Ylber Duraku, reagoi duke thënë se “kryeministri Berisha bën thirrje për qetësi, por ju po e shihni sesi kandidatët tanë po trysnohen me bomba, me dinamite. Unë nuk di autorët. Ua lë organeve kompetente zbardhjen e ngjarjes. Asnjëherë kandidatët tanë nuk janë përfshirë në ngjarje të tilla dhe në afera. Kjo tregon se kundërshtarët tanë politike po përpiqen si gjithmonë t’i marrin votat me dhunë e me akte terroriste. Kundërshtarët tanë politikë po e përdorin pushtetin për të vjedhur dhe nuk e lëshojnë me votë”. Duraku përmendi dhe vrasjen e pazbuluar ende të Remzi Veselit, kryetar i komunës Tërthore.
Astrit Cengu, kandidati socialist për komunën e Shtiqënit, ka punuar disa vite në polici, ku njihej si profesionist dhe i guximshëm. Për shkak të karakterit ekspresiv, ai ka pasur polemika me drejtuesit e policisë, duke u nxjerrë më pas jashtë radhëve të saj. Ai njihet si biznesmen në Kukës, pasi është sipërmarrës në një firmë rojesh private dhe po ndërton një kompleks gjuetie afër liqenit. Njihet si një ndër aktivistët më të flaktë të PS-së dhe ka marrë pjesë në grevën e urisë para Kryeministrisë.
Përrenjas, dhunohet shoferi i kandidatit PD
Dhunohet shoferi i kandidatit demokrat për Bashkinë e Përrenjasit. Tre shtetas i kanë bllokuar rrugën Asqeri Karriqit, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa udhëtonte në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd. Sipas policisë, Ylli Kanani 37 vjeç, Ladimir Torra, 30 vjeç, si edhe Dritan Kanani, 32 vjeç i kanë dalë përpara Karriqit, duke goditur fillimisht makinën e më pas qëlluar vetë drejtuesin. Në makinë ndodheshin dhe dy persona të tjerë që janë goditur gjithashtu, ndërsa autorët kanë grisur dhe dëmtuar posterët e kandidatit, Bajazit Karriqi. Si pasojë e plagëve shoferi i mjetit është dërguar në spitalin e Librazhdit, ndërsa policia shoqëroi në komisariat shtetasin Ylli Kanani dhe shpalli në kërkim dy të tjerët. Vetë kandidati për kryetar Bashkie në Përrenjas, Bajazit Karriqi, ka deklaruar se ky incident është shkaktuar për motive politike. m.s
Peqin, rrihen mes tyre 5 veta
PEQIN – Pesë persona u rrahën mes tyre në një lokal të komunës Pajovë të rrethit të Peqinit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Bishqem, ku një grup simpatizantësh të Partisë Socialiste pretendojnë se u dhunuan nga pala tjetër për shkaqe politike. Policia, e cila e ka etiketuar ngjarjen për motive të dobëta, deklaron se nga ky incident, i cili ka nisur me fyerje e më pas ka agravuar me grushte kanë mbetur të dëmtuar të pestë, duke marrë mjekime në spitalin e Elbasanit. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kandidati për kryetar Bashkie i Partisë Socialiste, Agim Bahja, të cilin e quan incidentin për motive politike. I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të komisariatit të Peqinit, Viktor Aga, i cili deklaroi se grindja ka qenë për motive të dobëta, pasi personat ishin në gjendje të dehur. Në ambientet e lokalit ndodhej dhe një punonjës policie nga Tirana, i cili sipas Agës ishte i rastësishëm dhe nuk kishte lidhje me sherrin. m.s
Tension në Blinisht, shkon FNSH
LEZHE – Situatë e tensionuar në Blinisht pas përplasjes së dy ditëve më parë mes palëve dhe plagosjes së dy kandidatëve për kryetar komune. Ditën e djeshme, para komunës së Blinishtit janë mbledhur simpatizanët e së majtës, të cilët janë mbledhur rreth godinës, ku drejtues është kandidati i 9 majit nga Partia Demokratike, Jak Zhuba. Për të shmangur ndonjë incident kanë mbërritur në komunë forca të shumta të policisë së Lezhës e më pas ato janë zëvendësuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës. Po kështu, edhe në hyrje të Blinishtit ka forca policie të cilët kontrollojnë mjetet që hyjnë apo dalin në qendër të komunës. Të kontaktuar me telefon burimet zyrtare të policisë së Lezhës shprehen “se policia është në detyrën e saj, për të parandaluar çdo incident të mundshëm ndërmjet qytetarëve. Nuk kemi shoqëruar asnjë njeri deri tani sepse nuk ka pasur asnjë konflikt ditën e djeshme, por ne zbatojmë vetëm ligjin. Jemi në gatishmëri për të parandaluar çdo situatë që ka të bëjë me shkeljen e ligjit”. Dy ditë më parë, pas një shkëmbimi fyerjesh u lënduan dy kandidatët e komunës, Zef Hila e PS-së dhe Zhuba i PD-së. r.n
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al











