Eksploziv zv/drejtorit të Policisë,disa të shoqëruar

Dec 8, 2011 | 16:10
Apartamenti ku ndodhi ngjarja

TIRANË- Rreth 15 persona mësohet se janë shoqëruar si të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça.

Paraditen e sotme ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj kanë zhvilluar një takim me grupin hetimor të ngritur për këtë çështje.

Mësohet se ende nuk ka një të dyshuar kryesor për ngjarjen, ndërsa kamera sigurisë në pjesën e jashtme të ndërtesës, pritet të japë një ndihmesë të madhe në zbardhjen e identitetit të personit që ka venë eksplozivin.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, rreth orës 3:30 në banesën e nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça, pranë parkut të autobusëve në rrugën ‘Frosina Plaku’.

Në kohën e shpërthimit vetë nëndrejtori Muça dhe familja e tij kanë qenë në banesë, në katin e pestë, por për fat nga shpërthimi nuk ka pasur njerëz të lënduar.

Nga shpërthimi, mësohet se ka pasur vetëm dëme materiale në banesë dhe në banesat e tjera aty pranë. Hetimet paraprake kanë konstatuar se lënda shpërthyese, e cila ende nuk specifikohet në çfarë sasie ka qenë ka qenë vendosur në derën e jashtme të banesës. Nuk ka ende të dhëna rreth autorësisë dhe as shkaqeve të ngjarjes.

Gjithçka pritet të zbulohet nga hetimet,  ku si pistë e parë në të cilën po hetohet është ajo që lidhet me detyrën që kryen Muça.

© Panorama.al

Te lidhura