NGA IRENA DULE
Në Qeveri është në shqyrtim një projektligj për shitjen e tokës bujqësore shtetërore personave të huaj. Problemi nuk është ideja në vetvete, por mënyra si është ndërtuar, një ligj i posaçëm që krijon regjim paralel, privilegjon të huajt mbi vendаsit dhe mundëson privatizim toke që e shet si “investim i huaj.”
Shqipëria ka ndërtuar me kalimin e viteve një model të njohur ligj(sh)bërjeje (nuk po rendis shembuj se të tillë ka plot dhe nuk është kjo tema). Kur dëshiron të arrijë një rezultat që e drejta ekzistuese nuk e lejon ose e lejon por me kufizime të papëlqyera nuk ndryshohet ligji ekzistues.
Krijohet një ligj i ri paralel. Ai shfuqizon vetëm ato dispozita të ligjit të vjetër që pengojnë, ruan ato që i japin pamjen e mbrojtjes, dhe krijon regjim të ri me dukje rregullimi por me efekt liberalizimi selektiv. Projektligji për kalimin e pronësisë së tokës bujqësore tek personat e huaj është shembull klasik i këtij modeli dhe i radhës, megjitahtë jo ndër më të sofistikuarit.
Testi i thjeshtë që e zbulon gjithçka është ky.
Nëse qëllimi i vërtetë i këtij projektligji ishte mosdiskriminimi i personave të huaj siç pretendon neni 1, zgjidhja juridike minimale dhe korrekte do të ishte një nen i vetëm. Shfuqizim i nenit 4 të Ligjit nr. 8337/1998, Për shitblerjen e tokave bujqësore…(ekzistues e në fuqi), i cili i përjashton të huajt nga regjimi i përgjithshëm, dhe lëri ata të trajtohen njëlloj si shtetasit shqiptarë, me të njëjtat kufizime, të njëjtat procedura, të njëjtat të drejta. Kaq. Një nen. Një faqe. Jo dymbëdhjetë nene, jo ligj i posaçëm, jo regjim paralel.
Fakti që u zgjodh rruga e kundërt e zbulon axhendën. Ligji i posaçëm vetëm për personat e huaj nuk është instrument mosdiskriminimi, është instrument trajtimi të veçantë. Dhe trajtimi i veçantë, sipas nenit 18 të Kushtetutës, kërkon justifikim objektiv dhe proporcional. Ky ligj nuk ofron asnjë justifikim të tillë, sepse nuk ka. Asimetria e krijuar është e qartë: neni 3 i Ligjit 8337/1998, i cili e lidh blerjen e tokës bujqësore shtetërore me përfundimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve, mbetet në fuqi për shqiptarët. Për të huajt, drafti hap kanal të ri paralel. Shqiptari pret radhën e kompensimit. I huaji nuk pret.

Foto Ilustruese
Kjo asimetri nuk është defekt teknik i draftimit, por është rezultati i synuar. Por ka edhe një problem më thelbësor që drafti mundohet ta maskojë me emërtim. Ajo që ligji e quan “kalim pronësie” është, juridikisht dhe substancialisht, privatizim i tokës bujqësore shtetërore. Toka është shtetërore, kalon nga shteti tek subjekti privat, me akt noterial, kundrejt çmimi, përgjithmonë. Neni 3 i Ligjit 8337 e ndaloi pikërisht këtë, jo rastësisht, por sepse procesi i kompensimit të ish-pronarëve nuk kishte përfunduar dhe toka shtetërore mbetej e ekspozuar ndaj pretendimeve të tyre. Drafti i ri nuk e zgjidh këtë problem juridik themelor, as kompensimin nuk e përfundoi, as pretendimet e ish-pronarëve nuk i adreson. Thjesht krijon kanal anësor që e anashkalon nenin 3 për një kategori blerësish. Privatizimi i shmangur nga procedura e rregullt, i riemërtuar si “investim i huaj”.
Për t’i dhënë gjithë kësaj pamjen e ligjit të kujdesshëm, nenet 5,6 dhe 7 vendosin një raft të tërë kushtesh dhe detyrimi. Parakushtet para blerjes janë problematike kur bien pas fitimit të pronësisë.
Përdorim ekskluziv bujqësor, mosndryshim destinacioni, aktivitet real i dokumentuar, dhe mbi të gjitha revokimi i pronësisë si sanksion për mosrespektim. Ligji mund ta kufizojë përdorimin e pronës, por nuk mund t’ia rimarrë pronën blerësit pa një procedurë të qartë, arsye të fortë, proporcionalitet dhe kompensim. Drafti përdor termin “revokim i pronësisë”, por nuk shpjegon as si bëhet, as kush e vendos, as çfarë ndodh me paratë e paguara. Kjo nuk është garanci juridike, por një dispozitë e paqartë që mund të rrëzohet lehtësisht në gjykatë.
Pronësia e fituar plotësisht nuk mund të kufizohet pas transferimit, nëpërmjet detyrimi ligjor të njëanshëm pa kompensim, kjo bie ndesh me nenin 41 të Kushtetutës dhe Protokollin 1 të KEDNJ. Çdo ekspert ligjor e kupton që kufizimi i mos-tjetërsimit dhe revokimi ekzistojnë vetëm për të hedhur hi syve, për t’i thënë opinionit publik “ja, ne vendosëm garanci”, ndërsa investitori i huaj e di mirë që këto nuk do t’i rezistojnë dot një sfide gjyqësore.
Tabela e krahasimit me të drejtën evropiane e mbyll çështjen. Asnjë shtet anëtar i BE nuk ka krijuar ligj të posaçëm që u jep të huajve më shumë të drejta mbi tokën shtetërore sesa vendasve. Ky draft nuk ka precedent evropian, jo e jo por as në ballkan dhe jo sepse është inovativ, por sepse është i palogjikshëm si instrument i politikës ligjore.
Ajo që mbetet pas analizës nuk është portret i ligjbërjes inkompetente. Inkompetenca e vërtetë prodhon ligje kaotike pa drejtim. Ky ligj ka drejtim shumë të qartë. Ai shmang procedurën e privatizimit, anashkalon kufizimet e kompensimit, privilegjon blerësin e huaj, mbulon gjithçka me retorikë investimi. Diletantizmi është fasada. Qëllimi është substanca.
© Panorama.al












