Rubio: Izraeli dhe Libani po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, jemi pranë një marrëveshjeje

Jun 25, 2026 | 16:09

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Izraeli dhe Libani po shënojnë përparim në negociatat e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, duke u afruar drejt një deklarate të përbashkët qëllimi për paqe.

rubio

Gjatë një vizite në Bahrein, në kuadër të turneut të tij në vendet e Gjirit, Rubio u tha gazetarëve se bisedimet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të rëndësishme.

“Mendoj se jemi shumë afër arritjes së një deklarate qëllimi nga të dy vendet”, u shpreh ai.

Sipas Rubios, Izraeli dhe Libani morën pjesë këtë javë në Uashington në raundin e pestë të negociatave, të cilat synojnë arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes dy vendeve.

“Është një proces që kërkon kohë dhe shumë punë, por për herë të parë në 30 vjet, qeveria libaneze po flet drejtpërdrejt me qeverinë izraelite”, theksoi shefi i diplomacisë amerikane.

Nën ndërmjetësimin e SHBA-së, zyrtarët e Libanit dhe Izraelit kanë zhvilluar bisedime që nga muaji prill, duke shënuar kontaktet e para të drejtpërdrejta në dekada. Shtetet e Bashkuara dhe presidenti libanez Joseph Aoun kanë deklaruar se këto negociata janë të ndara nga diskutimet që Uashingtoni zhvillon me Teheranin, edhe pse Irani ka tentuar t’i lidhë dy çështjet.

Bisedimet e kësaj jave, të cilat pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme, janë fokusuar në krijimin e disa “zonave pilot” që do të kontrollohen nga ushtria libaneze, një hap që konsiderohet i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

© Panorama.al

Te lidhura