Bilanci i tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën vijon të rëndohet, ndërsa autoritetet dhe ekipet e emergjencës po përballen me një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore të viteve të fundit në vend.
Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 11 mijë persona rezultojnë të zhdukur pas tërmetit të dyfishtë që goditi vendin. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë përqendruar kryesisht në kryeqytetin Karakas, ku dhjetëra ndërtesa janë dëmtuar ose janë shembur.
Një grup i opozitës ka hapur një platformë në rrjetet sociale, ku qytetarët mund të raportojnë familjarët e humbur. Deri tani, përmes kësaj nisme janë regjistruar mbi 11 mijë persona të zhdukur.
Megjithatë, numri real i të humburve mund të jetë edhe më i lartë, pasi shifra aktuale përfshin vetëm personat që kanë pasur mundësi të lidhen me internetin dhe të raportojnë rastet pranë autoriteteve ose platformave të ngritura për emergjencën.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes rrënojave, ndërsa autoritetet venezueliane kanë shpallur gjendjen e emergjencës në zonat më të prekura. Frika për rritjen e numrit të viktimave mbetet e lartë, teksa shumë familje ende presin informacione për fatin e të afërmve të tyre.
© Panorama.al












