U dënua me 4 vite burg për dhunë s*ksuale, djali i madh i princeshës norvegjeze apelon vendimin: Jam i pafajshëm

Jun 25, 2026 | 17:18

Marius Borg Høiby, djali i madh i princeshës trashëgimtare të Norvegjisë, Mette-Marit, ka apeluar vendimin e gjykatës që e dënoi me katër vite burg për dhunë seksuale.

Marius Borg Høiby

Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Petar Sekulic, i cili deklaroi se klienti i tij i konsideron akuzat të pabazuara dhe dënimin të gabuar.

“Ai deklarohet i pafajshëm për këto akuza dhe mendon se burgosja e tij është një gabim”, tha Sekulic për gazetën norvegjeze VG. “Meqenëse vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij, ai ka paraqitur apelim”, shtoi avokati.

Më 15 qershor, Gjykata e Qarkut të Oslos e dënoi 29-vjeçarin me katër vite burg. Høiby ishte përballur me gjithsej 32 akuza penale, mes tyre katër raste të dhunës seksuale. Gjykata e shpalli të pafajshëm në dy prej këtyre rasteve.

Për veprat penale për të cilat akuzohej, dënimi maksimal i parashikuar nga ligji arrinte deri në 10 vite burg.

Prokuroria kishte kërkuar fillimisht një dënim prej shtatë vitesh e shtatë muajsh burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar uljen e dënimit në një vit e gjysmë.

Høiby ka mohuar të gjitha akuzat për dhunë seksuale, por ka pranuar përgjegjësinë për disa vepra më të lehta penale.

Megjithëse është djali i princeshës trashëgimtare Mette-Marit, ai nuk mban titull mbretëror dhe nuk ushtron asnjë funksion zyrtar në Familjen Mbretërore të Norvegjisë.

© Panorama.al

Te lidhura