Ekspertim i dytë aksidentit të Ruçit

Dec 26, 2011 | 11:15

Makina e Ledio Ruçit pas aksidentit

Vdiq 28-vjeçarja, pritet raporti autoteknik për fundin e hetimit.

Prokuroria e Tiranës po pret një ekspertizë të re për aksidentin e datës 20 nëntor 2011 me një të vdekur, ndodhur në Tiranë, në të  cilin u përfshi dhe mori lëndime të lehta edhe Ledian Ruçi, djali i Gramoz Ruçit. Burime nga Prokuroria kanë thënë se ekspertiza e re për ngjarjen është në hartim e sipër. Duket se hetimi i ngjarjes varet nga kjo ekspertizë, e cila mësohet se është veprimi i fundit hetimor për aksidentin ku gjeti vdekjen shtetasja Brunilda Pinderi dhe u plagosën tre persona të tjerë. Ngjarja ndodhi më 20 nëntor 2011 rreth orës 21:15, kur sipas Prokurorisë, shtetasi Edi Lika ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Mini Cooper” me targë CG 832 SC. Ai është aksidentuar në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me Unazën’, me mjetin tjetër tip “BMW— X6” me targë IKY 3939 të drejtuar nga shtetasi Ledian Ruçi. Nga kjo përplasje rezulton se ka gjetur vdekjen shtetasja Brunilda Pinderi, ndërsa të tjerët janë plagosur. Nga akti i ekspertimit paraprak i kryer nga eksperti autoteknik Mark Gjonpalaj, i njësisë së Policisë Rrugore Tiranës, ka rezultuar se shkak determinant për ardhjen e pasojës ka qenë shkelja e rregullave drejtuese të mjetit tip “Mini Cooper” me targë CG 832 SC, i cili, sipas prokurorit dhe aktit të ekspertimit rezulton të jetë futur në kryqëzim me semafor të kuq, duke e shkelur kështu nenin 41, pika 2 dhe 10 të Kodit Rrugor. Sipas organit të akuzës, pas ekspertizës paraprake në vendin e ngjarjes, pasi Gjykata vendosi masën arrest me burg ndaj Edi Likës, për nevoja të hetimit u fillua kryerja e një ekspertize të dytë. Hapi i parë i kësaj ekspertize ishte eksperimentimi i aksidentit në vendin e ngjarjes.
Ekspertiza
Rreth dhjetë ditë pas aksidentit të ndodhur rek ura e Lanës në Rrugën e Elbasanit, në prani të avokatit të të arrestuarit

Aksidenti

Edi Lika, Prokuroria eksperimentoi aksidentin e ndodhur me pasojë vdekjen e Brunilda Pinderit. Në prani të avokatit të Edi Likës por edhe të ekspertëve të Policisë Rrugore dhe specialistëve autoteknikë, grupi i hetimit eksperimentoi aksidentin. Të ndarë në disa grupe, hetuesit u vendosën njëherësh në dy semaforët ku ndodheshin mjetet para se të hynin në aksident. Njëri grup u vendos tek semafori që është në urën e Lanës, në kryqëzimin ku takohet rruga që zbret nga Parlamenti me dy kahet e unazës, aty ku ka qenë makina e Ledian Ruçit dhe grupi tjetër u vendos tek semafori i unazës në rrugën që vjen nga ETC për tek kryqëzimi i këndit të lojërave. Një kamera kishte fiksuar se ky semafor, që shihte nga ETC, ka qenë me ngjyrë portokalli dhe ka kaluar me të kuqe në kohën kur “Mini Cooperi” ka qenë duke hyrë në kryqëzim. Eksperimenti tregoi se në këtë kohë, në semaforin ku ishte ndodhur Ledian Ruçi, ndizej drita jeshile e lejimit të kalimit. Pas eksperimentit, specialistët autoteknikë përcaktuan trajektoret e mjeteve se bënë matje e llogaritje të tjera për lëvizjet dhe shpejtësinë, të cilat do të përfshihen në një raport ekspertimi, i cili do të dërgohet në Prokurori. Mbi këtë dokument organi i akuzës do të vendosë edhe mënyrën si do të përfundojë hetimi i aksidentit të rëndë që shkaktoi vdekjen e 28-vjeçares Brunilda Pinderi.

Aksidenti, arrest me burg shoferit të Mini-cooperit
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 20 nëntor në mbrëmje, ku gjeti vdekjen 28-vjeçarja, Policia arrestoi në gjendje të plagosur edhe shtetasin Edi Lika. Në Spitalin Ushtarak u ndalua edhe shtetasi Ledian Ruçi, i cili u la i lirë tri ditë më pas për shkak se Prokuroria nuk kërkoi masë sigurie ndaj tij. më vonë, Gjykata e kryeqytetit në një seancë në spital i caktoi masën arrest me burg pa afat shtetasit Edi Lika, me akuzën se kishte hyrë me të kuqe në kryqëzim duke shkaktuar aksidentin.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura