Eksperti i ekonomisë: Largimi i kompanisë turke rrezikon seriozitetin e projektit të aeroportit të Vlorës

Oct 20, 2025 | 22:48

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, ka shprehur shqetësime të forta mbi mënyrën se si po zhvillohet ndërtimi i aeroportit të Vlorës, veçanërisht pas largimit të një prej kompanive kryesore të konsorciumit fitues të tenderit.
I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Sefa u ndal tek kompania turke që ishte përgjegjëse për komponentin teknik të projektit, duke theksuar se tërheqja e saj ka vënë në pikëpyetje të gjithë garën dhe seriozitetin e ndërtimit.

“Kompania që garantonte ndërtimin ishte ajo që kishte marrë pjesën më të madhe të pikëve në vlerësimin teknik. Tani që është tërhequr, lind pyetja se kush do ta përmbushë këtë pjesë kritike të projektit,” deklaroi Sefa.

Ai theksoi se kontrata koncesionare ishte dhënë në bazë të kapaciteteve teknike që ofronte kjo kompani, dhe mungesa e saj ngre dyshime serioze mbi aftësinë e pjesës tjetër të konsorciumit për të çuar përpara ndërtimin sipas standardeve të kërkuara.

“Nëse pjesa teknike nuk garantohet më, atëherë është në diskutim e gjithë kredibiliteti i projektit. Duhet transparencë nga autoritetet,” tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura