Eksperimenti në makinë, oficeri i SHISH nuk u vetëvra

Nov 16, 2011 | 9:27

Këqyrja në mjetin e shkrumbuar: Isa Çopa u gjet në pozicion të panatyrshëm, nuk ia vuri flakën Opelit

Grupi i hetimit, pas ngjarjes ka këqyrur në ambientet e policisë automjetin e djegur të oficerit 49-vjeçar të Shërbimit Informativ. Shkak i këqyrjes së automjetit, që pasi ka qëndruar disa ditë në Durrës mësohet se është sjellë në Tiranë, ka qenë përcaktimi i disa detajeve që mund të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave të ngjarjes. Duke vepruar me një manekinë, hetuesit kanë parë “pozicionet natyrale” në të cilat mund të ishte gjendur Isa Çopa brenda makinës në rast vetëvrasjeje. Eksperimenti në fjalë në makinën e djegur “Opel Corsa” ka treguar se pozicioni në të cilin është gjetur oficeri i SHISH-it është i panatyrshëm. Sipas hetuesve, mënyra si është gjetur kufoma brenda në makinën e djegur nuk përkon me një pozicion qëndrimi natyral të njeriut. Sipas të dhënave jozyrtare nga hetimi, Isa Çopa është gjetur në pjesën e sedijes së pasme të pasagjerit, por trupi i dekompozuar nga djegia nuk ka qenë në pozicionin ulur në sedilje. Po kështu, shtrirja nuk ka qenë në pozicionin para pas, por tërthor. Sipas burimeve nga hetimi, 49-vjeçari është gjetur pa jetë me pjesën e kokës dhe të kraharorit pas sedijes së shoferit dhe me këmbët në anën tjetër të makinës, vendosur tërthor në raport me shasinë e mjetit. Praktika e rasteve të ngjashme, sipas hetuesve, tregon se viktima, në rast vetëvrasjeje, do të gjente një pozicion më të rehatshëm e natyral qëndrimi, ose të paktën do ta fiksonte mirë trupin e tij. Verifikimi në makinën e Isa Çopës ka shtuar dyshimet se kufoma është gjetur në atë pozicion ku është hedhur nga autorë të mundshëm të ngjarjes. Megjithatë, fjala e fundit për versionin e ngjarjes enigmatike do të thuhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, i cili ende nuk ka përfunduar raportin mbi shkaqet e vdekjes së oficerit të SHISH-it.
Hetimi
Vrasja për shkak të detyrës është pista kryesore e hetimit të prokurorisë në lidhje me vdekjen e Isa Çopës. Oficeri i SHISH-it, njëherësh nënkryetar i degës së shërbimit sekret në Durrës, u gjet pa jetë muajin e kaluar në makinën e tij “Opel Corsa” të shkrumbuar nga flakët. Ngjarja u mor vesh një natë pas djegies së automjetit, në zonën e Currilave në Durrës. Flakët kishin dëmtuar seriozisht jo vetëm automjetin, por edhe provat në vendin e ngjarjes. Pistoleta “Makarov” e oficerit të SHISH-it, e cila kishte kryer një qitje, nuk qe e mundur të ekspertohej për faktorë plotësues e të dhëna të tjera, pasi ishte qëndruar nën faktorin nxehtësi gjatë gjithë natës. Po kështu, brenda në makinë gjithçka ishte shkrumbuar, përfshi edhe trupin e oficerit të SHISH-it, i cili u identifikua në morg nga të afërmit duke u bazuar në shenja personale dalluese. Verifikimet paraprake në Mjekësinë Ligjore mbi kufomën e oficerit të SHISH-it treguan se ai kishte një dëmtim të rëndë në kokë, në pjesën e majtë. Dëmtimi fillonte prapa veshit dhe vazhdonte deri lart, në drejtim të pjesës kulmore të kafkës së njeriut. Për shkak të djegies së madhe të trupit, ekspertët nuk arritën të përcaktojnë mjetin e goditjes nga dëmtimet në lëkurë, por sipas hetuesve, dyshohet se është përdorur mjet i fortë pasi ka shkaktuar thyerje lokale të kockës dhe plasaritje pranë vatrës së goditjes qendrore.

© Panorama.al

Te lidhura