
Sot ata janë këngëtarët që mbushin skenat. Ndonjëherë harrojmë si janë krijuar, se sa të vegjël kanë qenë dhe si hodhën shtat në vite. Kanë dalë nga formate popullore, me votë popullore e, si për hir të atyre kohërave, vazhdojnë të jenë po aq të dashur. Të parët që hapën rrugën e talent-show-ve në Shqipëri ishin Pali Kuke e Adi Krasta. E quajtën “Ethet e së premtes mbrëma” dhe ua dhanë skenën ca të rinjve tërësisht të panjohur. Anjeza Shahini, Luis Ejlli, Marsida Saraçi, Arbër Arapi, Rosela Gjylbegu, Samanta Karavello e shumë të tjerë janë produkt i “Etheve”. Pastaj e vijoi Zana Çela me “Akademinë e yjeve”. Ndër zërat më të mirë që ka nxjerrë janë Elhaida Dani, Iris Hoxha etj. Po lindi edhe “Gjeniu i vogël” i “Promotor”, që ka nxjerrë Olta Bokën, Gerta Mahmutajn etj. Kush më i suksesshëm, kush më pak, kush u shua prej vitesh, kush e vazhdoi më tej… I qartë është fakti që këto lloj formatesh kanë audiencë të lartë dhe ata që kanë mundur e kanë kapur këtë çelës. Talent show-t e përmendur më sipër kanë qenë adaptime të formateve të ngjashme që zhvillohen kudo në botë.
Garë të mëdhenjsh
Së fundi, me bujë të madhe po tërheqin vëmendjen e audiencën dy talent-show. Nuk bëhet më fjalë për përshtatje

formatesh të huaja, por për marka të blera. Një ndër ta ka nisur prej javësh në Top Channel. Bëhet fjalë për “The Voice of Albania”, e cila vjen për publikun çdo të premte mbrëma. Tashmë ka fituar një audiencë të mirë, të cilën e ka bërë për vete jo vetëm me talentet e reja, por edhe me katër “kujdestarët”, Sidrit Bejleri, Alma Bektashi, Miriam Cani e Elton Deda, që me batutat e tyre e kanë bërë edhe më interesant spektaklin. E ndërsa rrethi i konkurrentëve në “The Voice” është ngushtuar, në një tjetër televizion kombëtar, në TV “Klan”, fillon një tjetër spektakël i këtij lloji. Në datën 8 janar fillon “X Factor”, me producente artistike Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun. Nuk ishte i papritur ky spektakël, jo vetëm sepse prej kohësh flitet për të, qyshkur u ble e drejta televizive për këtë program, jo vetëm sepse kanë dalë spotet televizive, por edhe sepse tashmë u bë e zakontë që në dy ekranet e mëdha televizive të garohet me programe pak a shumë të ngjashme. Ndërsa flitet që te njëri do të fillojë aksh format, nxiton tjetri që të dalë me diçka të ngjashme, madje edhe më parë. Kjo ka ndodhur me programet e pasdites, të së dielës, me festivalet etj. Dhe së fundi me dy talent-show që synojnë të nxjerrin një talent të rrallë në fushën e muzikës. Është kjo një garë të mëdhenjsh që synojnë të mbledhin rreth vetes sa më shumë shikues. Kush e ka ndjekur të njëjtin spektakël në kanalet italiane, e ka të qartë formulën e “X factor”. Mësohet se pesë javët e para të programit do të transmetohen audicionet që janë zhvilluar në qytetet kryesore të vendit, si në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Më pas dy net spektakël për të arritur në përzgjedhjen e 16 finalistëve që do të konkurrojnë drejtpërdrejt në 16 net show. Finalistët janë të ndarë në katër kategori: vajza, djem, grupe dhe mosha mbi 23 vjeç. Ashtu si dhe te “The Voice”, nuk do të mungojë një juri me emra të njohur të muzikës e spektaklit. Ata janë Alban Skënderaj, Juliana Pasha, Pandi Laço dhe Vesa Luma. Secili prej tyre do të marrë nën mbështetje një nga kategoritë. Ata nuk do të vlerësojnë më, por do të vlerësohen nga publiku bashkë me konkurrentët e grupeve përkatëse.
Në kërkim të Faktorit X
Për kantautorin Alban Skënderaj, i cili u shfaq fare papritur e fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm në një kohë të shkurtër, këto lloj formatesh tregojnë hapje mentalitetesh. “Isha informuar për pjesëmarrjen tepër masive. Kjo është një shenjë shumë pozitive, sepse tregon që të rinjtë e të rejat shqiptare i kanë harruar komplekset, e kërkojnë drejtpërdrejt të kenë një shans për të arritur diçka të rëndësishme midis një formati të tillë që nuk ka paragjykime për asnjë”, thotë ai. “Do të mundohem të gjej atë që ka Factorin X”. Kështu shprehet këngëtarja Juliana Pasha, një nga zërat më të bukur e të fuqishëm në skenën e këngës shqiptare. “Shqipëria, ndonëse një vend i vogël, ka treguar dhe më parë se nuk i mungojnë talentet. Mjafton të përmend këtu “Gjeniun e vogël”, që vit pas viti ka nxjerrë zëra të mrekullueshëm”. .Pandi Laço, ndonëse vjen nga një eksperiencë e gjatë si organizator spektaklesh, mes të cilëve edhe “Gjeniu i vogël”, ia ka frikën gjykimit të shpejtë, por mes “të mirit, të shëmtuarit dhe të keqit” do përpiqet të mos jetë ky i fundit. “Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një rol që duhet luajtur. Të gjykosh të tjerët është diçka jo e thjeshtë… Edhe kur prezantohesh me dikë për herë të parë, ndodh që përshtypja e parë është e gabuar. Kështu ndodh edhe kur je anëtar i një jurie. Ndoshta mund të gabosh tek je i detyruar që në harkun e 3-4 minutave të japësh një vlerësim”, thotë ai.
Ndërsa Vesa Lumës, e cila është vetë një “produkt” i “Etheve”, iu duk se ishte herët për të “t’u jepte mend të tjerëve”. “Pozicioni im mbase është më i vështirë, sepse i bashkëndiej emocionet e konkurrentëve duke qenë se edhe unë isha në pozitën e tyre para gati 10 viteve, dhe emocionet janë të përziera”.
ALMA MILE











