Ekonomisti vjedh paratë e kazinosë

Aug 7, 2012 | 12:24

TIRANE – Një 22-vjeçar me profesion ekonomist është vënë në pranga dje nga Policia e Tiranës, pasi ishte dënuar në mungesë me 8 muaj heqje lirie, me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Burime zyrtare të Policisë thanë se është arrestuar shtetasi Lidian Rako, i dënuar dy muaj më parë nga Gjykata e Tiranës. Nga vendimi i Gjykatës rezulton se në qershor të vitit 2011 ka depozituar një kallëzim penal shtetasi Sokol Demiri, i cili shpjegonte se bashkë me shtetasin Luli Agalliu kanë në administrim një kazino, që në përbërje të saj ka edhe një sallë me loto sportive dhe bilardo. Një muaj para kallëzimit, në këtë kazino është punësuar si ekonomist shtetasi Lidian Rako, i cili kishte për detyrë të mbikëqyrte kompjuterët e lojërave të fatit dhe të paguante fituesit e lotove sportive gjatë ditës. Më datë 27 qershor 2011, Lidian Rako ka qenë në punë në turnin e parë dhe administratorët Sokol Demiri e Luli Agalliu i kishin vënë në posedim një shumë prej 240 mijë lekësh, me qëllim pagimin e fituesve të mundshëm të lojërave të fatit gjatë ditës. Në orën 14:00 të asaj dite, Rako është larguar pa njoftuar askënd, së bashku me këtë shumë të hollash. Njëri nga administratorët, Sokol Demiri, në kallëzimin e tij shprehej se me Lidian Rakon e kishte lidhur shtetasi Gentian Thomagjini, i cili është djali i motrës së tij. Demiri shprehej se së bashku me ortakun e tij, Luli Agalliu, kanë bërë përpjekje për të kontaktuar Lidian Rakon, por ka qenë e pamundur. Më pas, Demiri ka kontaktuar me babanë e ekonomistit Rako, Agim Rakon dhe e ka vënë në dijeni për çfarë kishte ndodhur. Agim Rako i ka premtuar se do ta zgjidhte këtë situatë, por nuk bëri asgjë. Në këtë mënyrë, shtetasi Lidian Rako ka përfituar të hollat duke shfrytëzuar pozicionin e tij të punësimit. Gjatë gjykimit në mungesë të Lidian Rakos, janë pyetur si dëshmitarë shtetasit Sokol Demiri dhe Luli Agalliu, dhe që të dy kanë konfirmuar faktin se shtetasi Lidian Rako u ka vjedhur, duke shpërdoruar detyrën e tij si mbajtës i parave të xhiros ditore, një shumë prej 240 mijë lekësh. Prokuroria kishte provuar plotësisht me dëshmitë e dy administratorëve të kazinosë, si dhe në tërësi nga provat e dosjes nr.2903, të vitit 2011, fajësinë e Lidian Rakos. Në përfundim, gjykata shpalli fajtor 22-vjeçarin, duke e dënuar me 8 muaj burg.

© Panorama.al

Te lidhura