Zyrtarë përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në Egjipt kanë propozuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vendit të mbahen ndërmjet 21 nëntorit dhe 4 marsit. Sipas mediave shtetërore, kreu i Komisionit të Lartë Zgjedhor, Abdel Moez Ibrahim, tha se votimet për Dhomën e Ulët të Parlamentit do të mbaheshin në gjysmën e parë të kësaj periudhe, ndërsa do të pasoheshin me votimet për Dhomën e lartë, Këshillin Shura, në gjysmën e dytë të kohës së parashikuar. Liderët ushtarakë egjiptianë pritet të miratojnë datat përmes një dekreti ose të zgjedhin data të reja deri në fund të këtij muaji. Këto do të jenë zgjedhjet e para parlamentare në Egjipt, që nga rrëzimi i Presidentit Hosni Mubarak.











