DURRES- Në familjen Tata që jetojnë në lagjen “Nr. 13” në qytetin e Durrësit, mbajtja e qenit në banesë për pak është kthyer në tragjedi. Vogëlushi 3-vjeçar, me inicialet Xh. T., ka qenë duke luajtur me qenin në katin e dytë të banesës private, kur papritmas është sulmuar nga qeni i shtëpisë. Burime të Policisë bënë të ditur se, bazuar nga hetimi paraprak, ka rezultuar se qeni ka qenë tepër i egërsuar, saqë i ka shqyer 3-vjeçarit pjesën e sipërme të kokës. Ndërkohë që e ëma e fëmijës, pasi ka dëgjuar ulërimat e fëmijës, ka rendur për ta ndihmuar. Asaj i është dashur të përleshet me qenin, i cili kishte kafshuar fëmijën dhe nuk e lëshonte. Gruaja është detyruar ta godasë qenin me mjete rrethanore që janë ndodhur në dhomë, por më kot, qeni i tërbuar nuk e lëshonte fëmijën. Pasi kafsha shtëpiake ka lëshuar fëmijën, i është drejtuar të zonjës së shtëpisë, të cilën e ka kafshuar në pjesë të ndryshme të trupit. E gjendur në një situatë të tillë, ajo nuk ka pasur zgjidhje tjetër, veçse të hidhet nga ballkoni i katit të dytë me gjithë fëmijën e saj në krahë. Pas ulërimave të shumta të saj, në vend mbërritën fqinjët, të cilët i transportuan për në Spitalin e Durrësit. Pasi i është dhënë ndihma e parë, 3- vjeçari është dërguar urgjent për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi plagët që kishte marrë nga kafshimet e qenit ishin mjaft të rënda. Ndërsa nëna e tij ndodhet në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. l.m











