“Efekti bumerang” dhe transparenca e zgjedhjeve

May 19, 2011 | 11:11

REXHEP MEIDANI

Efekti bumerang në përgjithësi

Efekti bumerang mishëron, nga pikëpamja psikologjike, atë tip reaksioni ndaj çdo prirjeje për të reduktuar lirinë individuale. Ky term, në analizën e mjedisit shfrytëzohet në pasqyrimin e efekteve dhe ndryshimeve negative në ekosistem (si pasojë dhe e shmangies së kontrollit në reduktimin e tyre). P.sh., për zogjtë, pesticidet DDT, duke ndërhyrë në procesin e riprodhimit, kanë provokuar ngordhje të tyre me shumicë, njëlloj kimikate të tjera kanë ndikuar në prodhimin apo riprodhimin e bletëve; tharja e zonave kënetore në shumë raste ka çuar në situata të theksuara përmbytjeje e thatësire sezonale; instalimi i oxhaqeve të larta për të zvogëluar ndotjen në zona të afërta, duke e rritur atë në shtresa më të larta, ka shtuar shiun acid në shkallë globale etj. Në marketim, efekti bumerang lidhet me investimin, aktivizimin apo punën e duhur për ekzekutimin, mbështetjen e promovimin dhe rritjen e të ardhurave në krahasim me investimin dhe punën e bërë. P.sh., në marketimin social efekti bumerang ndodh si rezultat i ndryshimit të sjelljes së “projektuar” gabimisht më parë, ndërsa në marketimin në përgjithësi efekti bumerang i referohet metodologjisë së zbatimit, mbështetjes e promovimit të investimit, aktivizimit dhe përftimit përkatës publik apo privat në këtë investim-aktivizim…
Bumerangu zgjedhor
Në rastin e një veprimtarie politike-elektorale, efekti bumerang shfaqet në rastet kur ndryshohet kahu apo rezultati në favor të partisë apo kandidatit, që llogaritej sipas elektoratit në vend të dytë. Kjo edhe duke pasur parasysh që në një fushatë elektorale synimet pozitive të një partie apo kandidati mund të kenë edhe rezultate ose efekte krejtësisht negative. Njëlloj, struktura bipartizane e procesit zgjedhor, apo, në përgjithësi, manipulimet ligjore dhe mungesa e transparencës zgjedhore, janë pjesë e efektit bumerang në vende me probleme serioze në respektimin e vetë institucionit të votës së lirë e demokratike, pra dhe të institucioneve të “falsifikuara” të gjeneruar padrejtësisht prej saj. Kjo është vënë re në mjaft raste në proceset zgjedhore gjatë tranzicionit shqiptar, edhe pse kemi aty-këtu një zbutje në kohë në gjirin e shoqërisë nëpërmjet fuqizimit të medias neutrale. Por, nga ana tjetër, kalimi nga KQZ-ja kushtetuese në atë me përbërje partizane, me një shumicë prej partisë në qeverisje dhe me kryetar tërësisht të komanduar jo nga ligji, por nga politika e vullneti i kryeministrit, ishte një nga gabimet më të rënda të vetë politikës shqiptare, një nga efektet bumerang që ka trazuar dhe vazhdon ta mbajë në ngërç shoqërinë shqiptare. Me efekt bumerang kanë rezultuar në disa raste dhe sondazhet e ndryshme para zgjedhjeve apo pas tyre. Kjo mund të thuhet dhe për “exit poll”-et shqiptare! P.sh., në rastin e “exit poll”-it, të organizuar nga TV Klan në zgjedhjet e 2005-s, efekti bumerang ishte i dukshëm dhe i mirorkestruar, ndryshe nga skandali i “exit poll”-it të zgjedhjeve vendore të 2011-s, të porositur po nga kompania përkatëse! Që jo vetëm nuk prodhoi “hilen” apo trysninë mbi komisionet zgjedhore, por u shoqërua me hile më të trasha si ajo e fundit në KQZ…
Po ashtu, në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, si problem pas zgjedhor mbeti ai i transparencës së tij, sidomos ai i lidhur me hedhjen poshtë të kërkesës së dy anëtarëve të KQZ, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Megjithëse u deshën dy vjet përpjekje nga PS-ja dhe opozita në përgjithësi, apo u dhanë jo pak rekomandime ndërkombëtare, PD-ja dhe kryeministri, pasi u tall gjatë gjithë kohës, e hodhi poshtë kërkesën për transparencë elektorale disa muaj para organizimit të zgjedhjeve vendore, duke urdhëruar me “urgjencë” djegien e fletëve të votimit. Kurse sot, një sjellje e tillë po skenohet si një efekt bumerang. Aq më tepër që partizane dhe realizuese me forcë numrash në KQZ për “hapje kutish” tani është po PD-ja dhe kryetari-kryeministër i saj! Ndërkohë, ajo që kërkohet është përfshirja e domosdoshme e transparencës zgjedhore në sistemin tonë politik-elektoral, qoftë në mënyrë teknologjike, qoftë nëpërmjet rinumërimit, qoftë me anë të rindërtimit të strukturës zgjedhore, larg të qenit të saj bipartizane (më saktë, tërësisht partiake) si kjo e sotmja…
Mundësi reduktimi
Zakonisht pranohet se në situatë mosmarrëveshjeje e konflikti, pala që ushtron një forcë më të madhe ka më shumë shanse të fitojë. Por, ushtrimi i teprimit të forcës e dobëson sulmuesin dhe rrit mbështetjen për kundërshtarin. Bile, në përgjithësi, një aksion apo pohim i një grupi mund të provokojë një efekt bumerang kur shfaqet krejtësisht i padrejtë, tejkalon kufijtë e lejueshëm apo rezulton jo proporcional krahasuar me veprimin, sjelljen apo pohimin e grupit tjetër. Aq më tepër kur u komunikohet audiencave të përmasave të mëdha, siç janë ato të zgjedhjeve! Kurse veprimet e fshehta reflektojnë një ndikim ndalues mbi efektin bumerang. Po ashtu, trajtimi i drejtë i ngjarjeve mundëson minimizimin e efektit bumerang, shmang dhe redukton skandalin apo zbut reagimin e indinjimin. Në ndonjë rast, ka rëndësi dhe trajtimi i zbehtë publik e mediatik, konkretisht, ose duke heshtur, ose duke refuzuar komentet e tepërta ose pa dhënë detaje në media. Me vlerë është, gjithashtu, ndjekja e procedurave formale, përfshirë dhe ato të angazhimit të gjykatave. Sepse efekti bumerang në një aspekt apo në një tjetër lidhet me perceptimin e padrejtësisë, shpërpjesëtimin apo dhunimin e kufijve të konsideruar si të lejueshëm. Bile, ndjekja formale e procedurave e redukton efektin bumerang, qoftë dhe kur vetë procedurat, në praktikë, janë jo të drejta apo të ndershme. Aktivizimi apo zmadhimi i efektit bumerang apo reduktimi i tij lidhet dhe me taktikat e strategjitë e përdorura, me përkujdesjen e përkushtimin, mbështetjen nga populli, nëpërmjet komunikimeve e bisedave të drejtpërdrejta, përdorimit të spin-doktorëve, intensifikimit të relacioneve publike, intervistave, takimeve, komunikimeve elektronike apo medias sociale etj…
Në vend të ligjit – mediatori!…
Në trajtimin e efektit bumerang duhen konsideruar dy palë: pala kundërshtare (oponenti) dhe ajo ndërmjetëse (mediatori). Përgjithësisht, është pala e dytë që detyron oponentin që të ndërmarrë aksionin që duhet. Në këtë rol, shumë shpesh, janë përfaqësuesit ndërkombëtarë që e gëzojnë autoritetin dhe protagonizmin e tyre prej institucioneve ndërkombëtare apo qeverive që përfaqësojnë. Sidomos kur bëhet fjalë për të ndikuar mbi përfaqësues të brendshëm autokratikë (pra dhe autoritarë), mbi palët kundërshtare (të një krahu apo tjetri). Në vende e situata demokratike, për të shmangur efektin bumerang, nivelimi i këtij ndërmjetësimi realizohet në disa shtresime, p.sh. rolin e ndërmjetësit e merr në një sistem federal qeveria federale ndaj asaj të njërit shtet përbërës, ajo e shtetit të veçantë për qeverisjet vendore, ato rajonale për ato lokale etj. Bile, në këtë kuptim, një ndërmjetësim i tillë duhet të bëjnë kudo dhe degët legjislative ndaj atyre ekzekutive. Ndërkohë që përdorimi i ndërmjetësve të huaj është thjesht dobësi serioze e institucionit të votës së lirë, një dëshmi e dhimbshme e papjekurisë politike, pasqyrë e mosbesimit të palëve kundërshtare, autokratizmit institucional, pse jo e hibridizimit apo e mungesës së demokracisë…
Thjesht si histori
Një burrë i moshuar ishte krenar për dy gjëra: për mjekrën e madhe të bardhë, që i arrinte deri në kraharor dhe për gjumin e tij të menjëhershëm sa vendoste kokën në jastëk. Një ditë, për çudi, nipi 3-vjeçar e pyeti se ku ai e vendoste mjekrën gjatë fjetjes: nën mbulesë, apo mbi të? Deri në atë moment ai nuk e kishte vrarë mendjen për një gjë të tillë, prandaj nuk po dinte si t’i përgjigjej nipit të tij ndaj këtij detaji. Vendosi ta zbulonte të “vërtetën” po atë natë, aq më tepër që bënte mjaft ftohtë. Sapo hyri në shtrat ai u mbulua tërësisht, por menjëherë iu kujtua pyetja e nipit. Atë çast mjekrën e kishte nën mbulesë. E nxori nga mbulesa dhe e la mbi të. Por, shpejt iu duk që nuk ishte tamam ai pozicioni i duhur. E futi përsëri mjekrën nën mbulesë, por prapë iu duk se ishte më mirë kur ajo ndodhej jashtë saj. Kështu, ai e kaloi të gjithë natën duke e nxjerrë dhe e futur mjekrën, pa vënë dot gjumë në sy. Kështu, krenaria e tij u bë dhe makthi apo “bumerangu” i tij. Në mëngjes, gjëja e parë që ai bëri ishte qethja e mjekrës, për të rifituar gjumin dhe qetësinë…

© Panorama.al

Te lidhura